A kishte lidhje me Shtetin Islamik atentatori i Finlandës?

Në këtë rast, policia finlandeze po zhvillon hetime për shkak të vrasjes në dy raste dhe tentativës për vrasje në tetë raste “me synim terrorist”. Shkas për këtë kategorizim është sjellja e burrit të arrestuar para dhe gjatë kryerjes së veprës, tha shefi i Autoritetit Kombëtar të Policisë, KRP, Robin Lardot. Detaje të tjera ai nuk mund të jepte.

Katër arrestime të reja

Sipas mendimit të policisë, ky sulm përputhet me modelin e atentateve të tjera me motive islamike në Evropë. Ende nuk është sqaruar, nëse 18 vjeçari i arrestuar kishte bashkëpunëtorë ose nëse ai është eventualisht anëtar i ndonjë rrjeti terrorist. “Profili i të dyshuarit i ngjan atyre të atentateve terroriste islamike në Evropë në të kaluarën e afërt”, tha shefi i Shërbimit të Fshehtë Finlandez, SUPO, Antti Pelttari. Një përfshirje e mundshme e milicisë terroriste “Shteti Islamik” është për këtë arsye “një nga çështjet qendrore” të hetimeve, konfirmoi Pelttari.

Sipas policisë, në rastin e të arrestuarit është fjala për një azilkërkues nga Maroku, që kishte shkuar në Finlandë në vitin 2016. Por motivi është i paqartë, sepse deri tani i arrestuari refuzon të japë çdo deklaratë. Veç kësaj, policia arrestoi katër marokenë të tjerë. Ata kanë “një lidhje” me dorasin, u bë e ditur. Kundër një të dyshuari të pestë, u nxorr një urdhër ndërkombëtar arresti.

Ndoshta atentati i parë terrorist në Finlandë

Roli i të arrestuarve ende po hetohet, bëri të ditur policia. Ata janë vërtet në lidhje me të dyshuarin kryesor. Por nuk është e sigurtë, që ata kanë të bëjnë me sulmin me thikë. “Po të konfirmohet dyshimi për akt terrorist, atëherë kjo do të ishte hera e parë në Finlandë”, deklaroi kryeministri i Finlandës, Juha Sipilä. “Ne i druheshim kësaj: nuk jemi më ishull”. Por Finlanda vazhdon të jetë “një nga vendet më të sigurta të botës”, tha Sipilä.

Dorasi i dyshuar vrau të premten dy finlandeze dhe plagosi tetë vetë të tjerë përpara se policët ta ndalonin duke e qëlluar me armë në këmbë. Sipas të dhënave të policisë, personi po kurohet në klinikën universitare të Turkut. Atje u trajtuan nga pikëpamja mjekësore edhe shtatë viktima të atentatit. Prej tetë të plagosurve, dy ishin nga Suedia dhe një viktimë nga Italia, bëri të ditur më tej policia.

Si reagim ndaj atentatit, autoritetet kanë përforcuar praninë në ambjente publike. Kontrollet janë përforcuar edhe në kufi. Të shtunën flamurët qëndruan në gjysmë shtizë. Kurse të dielën paradite u mbajt një minutë zi.

Shkruar Nga
More from Revista User

Zbulohet misteri i “Trekëndëshit të Bermundës”, avionët dhe anijet zhduken sepse…

E rrethuar me mister, “Trekëndëshi i Bermundës”, mbetet një nga vendi ku...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.