A mund ta nxjerrim Kodrën nga kuadri i një tabloje?

Një kujtim në Paris me Ibrahim Kodrën në ekspozitën e tij në vitin 1992. Shkrimtari e studiuesi Luan Rama publikon foton e rrallë me piktorin, Kadarenë dhe aktoren Rajmonda Bulku. In memoriam për piktorin shqiptar në 110-vjetorin e lindjes…

-(Apo një pyetje adresuar kuratorëve të artit)

Nga Luan Rama

Kodra ka vite që ka vdekur. Emri dhe arti i tij bënë histori: nga kodra e Ishmit ku u rrit jetim, pastaj përmes detit dhe bohemia e tij si artist në Itali. Shqipëri-Itali-Europë… Përveç disa studimeve të pakta mbi veprën e tij, padyshim një njohës i mirë i artit piktural do të na sillte refleksione të tjera dhe më të thella për veprën e tij, pasi piktura, siç dihet ka gjuhën e vet, ashtu siç e kanë të gjitha artet e tjera, apo siç ka gjuhën e vet dhe lëvizja e trupit, «fjalori» i një koreografi të vërtetë. Nganjëherë, vizionet e reja i kanë sjellë dhe shkrimtarët që e kanë dashur shumë pikturën, siç ishte André Malraux me «Le Musée imaginnaire» apo «Ecrits sur l’Art»; Louis Aragon me «Henri Matisse roman» apo «Ecrits sur l’art modern», apo Paul Eluard me «Anthologie sur les écrits sue l’art», pa përmendur këtu një nga kritikët e hershëm francezë, poetin e shquar Charles Baudelaire, i cili e shikonte pikturën ndryshe nga bashkëkohësit e vet.

Formatet e pikturës së Kodrës janë të formateve të zakonshme, në përgjithësi as shumë të mëdha dhe as shumë të vogla, e megjithatë, disa peizazhe me elemente të formave gjeometrike të frymëzojnë për t’i parë ato në dimensione të mëdha apo shumë të mëdha, duke marrë trajtën e pikturës monumentale. Kjo sigurisht, është një pyetje që i adresohet më shumë kuratorëve të artit. Mbase Kodra nuk e ka pas menduar këtë, ose ndoshta e ka menduar gjatë realizimit të saj për vetë forcën figurative të kompozimit, po sidoqoftë kjo do ti kërkonte një atelier të madh dhe pikësëpari një sipërmarrës të fuqishëm që do t’i komandonte një vepër të tillë, dhe këtë ai nuk mund ta siguronte dot. Diego Rivera e kishte këtë mundësi. Sipërmarrësit e tij vendas dhe të huaj, amerikanë, i dhanë mundësi të bënte piktura monumentale, afreske e mozaikë gjigantë, çka hynë në fondin e artë të artit meksikan. Kështu ai realizoi «Dreamstime», «Nën një qiell të mjegullt» apo «Revolucioni si ritual» etj.

Por a e ka Kodra një mundësi të tillë për t’u përdorur në një pikturë monumentale ? Mbase gabohem por personalisht them se po. Po t’i shohësh me vëmendje tablotë e tij për një kohë të gjatë, tablo të llojit të «Oltremare», ku harmonia e ngjyrave dhe kompozicioni krijojnë një sublimitet më vete dhe diçka ngazëlluese, njeriu krijon një tjetër percepsion të veprës. Dhe të ndodh që duke hyrë në atë lojë ngjyrash e figurash gjeometrike ta imagjinosh veten përballë një imazhi monumental. Është një lloj tërheqjeje që arti i bën njeriut, një lloj «thithje»? Këndej dhe mundësi për ta nxjerrë Kodrën nga korniza e një tabloje, e një ekspozite dhe për ta ekspozuar atë në rrugë, për ta nxjerrë jashtë, në jetën e përditshme qytetare, mes njerëzve, në fasadat e mëdha apo holle institucionesh, qendrash kulture, holle hotelesh moderne që po i shtohen Shqipërisë.

Sigurisht, jo pak do mendonin se kjo mund të ishte një lloj aventure dhe se nuk kemi pse ta nxjerrim Kodrën nga kuadri ku e ka vendosur ai. Por nga ana tjetër, asnjë kurator modern dhe i njohur europian, apo i përtej Atlantikut, nuk e ka pyetur as Leonardo Da Vinçin, as Raffaello-n, as Boticcelin dhe radhën e gjatë të gjenive të «Rinachimentos» për t’i ekspozuar veprat e tyre në hapësira gjigante siç i shohim nëpër botë, ku hiret e tyre veç janë ekspozuar më me dritë duke i bërë nder vetë pikturës dhe krijuesit të saj. Kjo i jep artit një mision akoma më qytetar, e afron artin tek publiku, e bën të prekshëm nga të gjitha shtresat e popullsisë, nga të gjitha kategoritë e niveleve kulturore, moshave etj. Në fund të fundit, njeriu i rrugës dhe kalimtari më i thjeshtë ka nevojë për bukurinë e artit të të gjitha epokave njerëzore!

 

Poezi nga IBRAHIM KODRA.

 

NJË LULE

Mos më thuaj që nuk të kam dashur,

o lule e livadhit të virgjër!

Thuamë që është shuar dielli,

thuamë që toka është në flakë,

thuamë që hëna është ngjethur,

thuamë që qielli është në gjëmë,

thuamë që s’ka më agshole,

por mos më thuaj që nuk të kam dashur…

 

O NËNË

Nuk i ndiej më ledhatimet e tua të ëmbla

ashtu si era e prillit që përkëdhel lulet,

o nënë.

Ku je fshehur?

Nuk e shoh më buzëqeshjen tënde,

sytë e tu, sytë e tu gjithë vëmendje,

që asnjëherë nuk lodheshin

së ndjekuri ecjen time të pasigurt.

Ishe gjithçka për mua.

Fytyra jote: më e bukura

mes muzave.

Dhe flokët e tu

të gjatë e të zinj

mbulonin faqet e gëzueshme,

kur gjoksi ngjallte ngrohtësinë

nëpër venat fëminore.

Tani ku je fshehur?

E freskët në kujtesën time,

rikthehu, o nënë,

të përkëdhelësh fytyrën time të lodhur.

 

Në homazh të ditëlindjes së piktorit Ibrahim Kodra; Ka pirë uiski me Heminguein, ka pasur miqësi me Kadarenë, të cilin e ka propozuar me shkrim për çmimin “Nobel” si akademik që është, madje dhe i Akademisë Franceze. Pak veta e dinë që Kodra ka shkruar dhe poezi. Në shqip, por më shumë në italisht. I janë botuar disa dikur në Prishtinë, ku dhe ka shkuar më shpesh e hapur ekspozita…(kultplus)

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ekspozohet te salla franceze: Historia e Gjergj Kastriotit nga Zhak Lavardë, botimi i 1597

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në kuadër të “Pranverës frankofone në Tiranë”, përuroi...
Read More