A mund të ketë një lëvizje #MeToo në Shqipëri?


Fenomeni i përhapur, por fare pak i pranuar dhe i publikuar i dhunës me karakter seksual të vajzave dhe grave shqiptare. Lëvizja botërore #Me Too që lëkundi burrat e pushtetshëm dhe krahasimi që nuk po zë vend me mentalitetin tonë. A mund të jetë rasti Xhisiela një pikë nisjeje për “revolucionin e butë” për të drejtat e grave? Flasin sociologia Entela Binjaku dhe politikania Mesila Dode.

Nga Sebi Alla

Një vajzë e panjohur, një emër mes shumë të tjerash, banuese në fshatin e “pashpresë” Zezë, Xhisiela Maloku është kthyer në personazhin më të përfolur. Ajo u dhunua dhe kërcënua në dhomën e një moteli nga ish-i dashuri Rexhep Rraja, djali i deputetit socialist Rrahman Rraja. Vija e hollë mes propozimit, komplimentit me synim seksual dhe më pas detyrimit për të ofruar shërbime seksuale, këtë herë e kapërceu vijën e kuqe, edhe pse mes skandalit qe djali i një pushtetari. Emër anonim në politikë edhe ai i Rrahmanit, por fort i njohur në oazin e Niklës, periferi e vendit periferik si Fushë-Kruja. Xhisiela vijon të mohojë dhunën, e traumatizuar, e vrarë fizikisht e shpirtërisht, e madje edhe e trembur për jetën e saj dhe familjes. Sa shumë femra të tjera janë objekt dhune seksuale në vendin e punës, rrugë, komunitet, e kudo tjetër nëse personi me “epsh pa kontroll”, qëllon të jetë një pushtetar, politikan, i afërm me një të tillë, biznesmen, shef, apo i të gjithave bashkë, “i fortë”…? Edhe këngëtarja e njohur Elvana Gjata mendohet se ishte objekt i një ngacmimi seksual, çka u bë shkak më pas që “burrat e fortë” të përdornin armët. Pak femra pranojnë të denoncojnë hapur ngacmimet dhe kur ajo rrallë ndodh, opinioni ndahet. Tendenca e parë është që fajin t’ia kalojnë gruas dhe vajzës së dhunuar. Nuk bëhet fjalë vetëm për dhunën në familje, por për një tjetër formë dhune, preh e së cilës shpesh bien gratë dhe vajzat e njohura, të paraqitshme që qoftë edhe nga hiret që kanë arrijnë të marrin një vend pune. Më pas për ta nis “përndjekja e ëmbël” me ngacmime me karakter seksual, për të përfunduar më pas në dhunë e trysni nga meshkujt me pushtetin e parasë, të politikës, biznesit dhe të mashkullit që ka vënë emër me perandorinë e ngritur nga trafiqe. Mbrojtja më e mirë nga një përndjekje dhe “pengmarrje” e tillë shpesh është denoncimi publik, që vetë femrat të pranojnë dhe etiketojnë me emër personazhet prej të cilëve kanë marrë ngacmim. Një nismë e tillë është bërë e modës në SHBA dhe vende të tjera të zhvilluara. Lëvizja #MeToo u krijua një vit më parë dhe mori mbështetje ndërkombëtare, si një lëvizje kundër ngacmimit dhe sulmit seksual. #MeToo u përhap zyrtarisht në tetor 2017 në formë hashtagu në mediat sociale, si një përpjekje për të denoncuar zgjerimin e fenomenit të sulmit dhe ngacmimit seksual, veçanërisht në vendin e punës. Kjo lëvizje u rrit ndjeshëm pas akuzave për sjellje të pahijshme seksuale ndaj Harvey Weinstein. Tarana Burke, një aktiviste e njohur amerikane filloi të përdorë frazën “Me Too” që në fillim të vitit 2006 dhe ajo mori tjetër dimension më vonë nga aktorja amerikane Alyssa Milano në Twitter në vitin 2017. Në këtë lëvizje u përfshinë edhe emra të famshëm të Hollivudit si Gwyneth Paltrow, Ashley Judd, Jennifer Lawrence apo Uma Thurman, që kishin pranuar se kishin qenë preh e ngacmimeve seksuale. Aty flitet dhe një publikim në këtë formë u ka mbyllur karrierën publike në politikë dhe art personazheve të njohura botërore. Për sociologet Entela Binjaku shoqëria jonë ende kultivon modelin e gruas që duron, që është e urtë, që duhet të hapë rrugë. Edhe më rëndë mbetet një lloj “atocensure” kur përmendet fjala drejtësi, besimi tek e cila është në nivelet më të ulëta. “Shoqëria është tashmë mosbesuese ndaj konceptit të drejtësisë, dhe kjo sepse nuk ka parë njerëz me pushtet ekonomik apo social që të dënohen për denoncime të tilla”-gjykon Binjaku. Politikania dhe aktivistja e njohur Mesila Dode dhunën e të pushtetshmëve ndaj grave dhe vajzave e lidh me situatën që po kalon vendi dhe me dhunën verbale dhe jo vetëm që vjen nga elita e pushtetit. Për Doden përgjegjësi mbajnë edhe shoqatat e grave që nuk ngrenë zërin, por janë të “komanduara” nga pushteti. Për Doden, e cila kur kishte “zë” në Parlament ka marrë nisma në mbrojtje të grave, situate është alarmante, pasi vajza e gra nuk do të guxojnë të kërkojnë ndihmë te një shtet që të mbyll derën fytyrës, nëse nuk je i fuqishëm e nëse nuk ke lidhjet e duhura.

 

Entela Binjaku, sociologe: “Shumë gra bashkëjetojnë me heshtjen në mënyrë të përdhunshme”

Në vendin tonë janë fare të pakta dhe krejt të papërfillshme denoncimet për ngacmime apo krime seksuale, ndonëse shumë femra kanë rënë preh e këtij fenomeni. A duket sikur gratë dhe vajzat janë dyfish të dhunuara, që nënshtrohen dhe frikësohen nga denoncimi ndaj burrave të pushtetshëm të politikës, biznesit, apo edhe kategorisë së “të fortëve”? A është e rëndë edhe psikologjikisht heshtja për një grua të sulmuar, provokuar dhe në disa raste edhe detyruar që të jetë objekt i “krimeve seksuale”?

Për ngacmime seksuale mendoj se denoncimet janë të pakta për disa arsye. Së pari, sepse në psikologjinë tonë sociale kanë zënë vend shprehjet të tilla: “mashkulli atë punë ka, edhe do ngacmojë”, ose “kush e di se ça i ka bërë ajo, që ai e ngacmoi” etj., që tregojnë vetë qëndrimin tonë të kultivuar lidhur me këtë temë. Padyshim dëshira e femrës shqiptare për emancipim ka bërë hapa të mëdhenj në dekadat e fundit, por sërish ka shumë situata dhe probleme me të cilat duhet të përballet. Me shekuj me radhe shoqëria jonë vendoste në mënyrë të njëanshme për gruan, nuk i lejonte asaj përveç se funksione brenda shtëpisë, aq sa krijonte përshtypjen se gruaja nuk merr vesh nga asgjë tjetër. Shoqëria jonë ende kultivon modelin e gruas që duron, që është e urtë, që duhet të hapë rrugë etj. E parë në këtë drejtim, është e vështirë edhe për vetë gruan të dalë nga kjo mendësi. Së dyti, në kushtet kur dikush merr kurajën të denoncojë, ajo sërish përballet me elementë që e paragjykojnë vendimin e saj. Kjo do të thotë se serioziteti i trajtimit bie në duar të individëve që kanë një qëndrim të paracaktuar duke ulur edhe përgjegjshmërinë profesionale në trajtim. Megjithëse sot gra me shumë potencial, me një intelekt të admirueshëm në hapësirën publike po fitojnë vizibilitet dhe ndikim në shoqëri dhe në hapësirën publike, duke u bërë edhe zëri i të tjerave, por kjo nuk do të thotë se ky depërtim i tyre drejt kreut shihet me sy pozitiv.

Së treti, jo çdo institucion i vendit është formuar apo ka trajnuar në mënyrën e duhur në mënyrë që të respektojnë Kodin e Etikës në vendin e punës.

Së katërti, në kushtet e një shoqërie të varfër, ku shumë familje kanë vetëm një të punësuar që është burimi kryesor i të ardhurave, në një rast të tillë denoncimi, mund të shoqërohet më hedhje në rrugë. Së pesti, shoqëria është tashmë mosbesuese ndaj konceptit të drejtësisë, dhe kjo sepse nuk ka parë njerëz me pushtet ekonomik apo social që të dënohen për denoncime të tilla. Natyrisht kjo gjendje është e rëndë sepse jetohet çdo ditë me sulmet dhe provokimet, me frikën për ta denoncuar, me mungesën e kurajës për ta ndarë më të tjerë nga frika e paragjykimit. Të gjitha këto janë barrë e madhe psikologjike.

Përse në vendin tonë është kaq e vështirë të ketë reagim. Kujt i druhen gratë dhe vajzat? Mentalitetit, (që shoqëria gjykon e paragjykon të dhunuarën), frikës nga abuzuesit, (rasti Xhisiela që ishte dyfish nën trysninë e të pushtetshmit), apo mosbesimit ndaj institucioneve ligjzbatuese?

Të gjithave bashkë: mendësia është ajo që ndryshon më ngadalë. Me pak fjalë ne jetojmë një shoqëri teknologjike për nga risitë me të cilat bashkëjetojmë, por jemi ende shumë vite pas në çështje të ngritjes kulturore ndaj rolit të gruas dhe vendit që ka burri dhe gruaja në shoqëri. Personalitetet që i kanë kushtuar femrës mendimet e tyre janë të shumtë. Për shembull, Platoni iu thurte lavde zotërve që së pari, nuk e kishte bërë skllav, por njeri të lirë dhe së dyti që e kishte bërë burrë dhe jo grua. “Gruaja është gabimi i dytë i Zotit” thoshte Niçe, apo Hegeli që shprehej se dallimi mes një gruaje dhe një burri është ai mes “kafshës dhe bimës”, duke i dhënë femrës thjesht rolin e dekorit. Pra, edhe mendimtarët e nivelit të lartë kanë patur qëndrime aspak miqësore për gruan, por shoqëritë punuan shumë në drejtim të zhvillimit dhe hapjes së tyre dhe krijuan modele te reja të gruas bashkëkohore.

Sot për shembull dëgjon shpesh shprehjen “pas një burri të suksesshëm qëndron një femër e fortë”. Kjo shprehje përdoret si kompliment, por kjo tregon sërish rolin në hije të gruas qoftë edhe kur ajo është e talentuar dhe inteligjente madje shumë më tepër se burri që ajo e drejton drejt një karriere të përmbushur. Sot edhe tipologjia e “femrës së pavarur dhe në karrierë”, te ne përdoret si me sarkazëm. Kjo tipologji bie ndesh me idenë e burrave që janë mësuar të sillen me femra të varura ekonomikisht, gjithmonë të heshtura dhe të dëgjueshme, të varura ekonomikisht dhe ku pozita sociale e tyre përcaktohet falë të ashtuquajturit seksi i fortë. Pra, edhe nëse ka ndryshime që mund të shihen te gra që denoncojnë sërish konteksti është ky. Frika nga abuzuesit kur ata kanë edhe pushtet ekonomik apo të prestigjit social, dhe rasti i fundit i shtetases Xh.M e tregoi edhe publikisht këtë. Por shumë gra nuk denoncojnë edhe sepse nuk kanë besim në institucionet e ligjit që shpesh e trajtojnë me shpërfillje këtë dukuri dhe as nuk i japin rëndësinë e duhur. Te qytetarët është krijuar bindja se kush paguan e mbyll çështjen dhe hallka më e dobët mbetet edhe më e dobësuar.

Lëvizja feministe në botë u rikthye fuqishëm pas një periudhe të gjatë dekadash përmes lëvizjes #Me too. Prej më shumë se një viti për këtë lëvizje janë ngritur pyetje të shumta nëse femrat sot ndihen më të mbrojtura, a vijojnë ta shikojnë interesin seksual mashkullor ende si kompliment e deri te fakti nëse do të jemi në gjendje të ndërveprojmë në jetën e përditshme të punës së çdo njeriu që ndihet i ngacmuar apo dhunuar seksualisht përmes forcimit të legjislacionit… Në këndvështrimin tuaj çfarë duhet bërë më shumë në këtë drejtim, me qëllim që lëvizje të tilla të mos mbeten vetëm në kuadrin e denoncimit publik?

Lëvizjet si #Me too pikërisht këtë synojnë: që femrat të mos frikën të denoncojnë, ato nisin pikërisht nga femra me ndikim në botë, sepse fjala e tyre peshon në opinion, aq sa arrijnë të rrëzojnë edhe mite të ndërtuara. Por ato janë shoqëri shumë të zhvilluara pikërisht sepse gruan e kanë ngritur në atë nivel që ato janë të lira të denoncojnë pa patur frikën se paragjykohen se braktisen, apo se depersonalizohen. Ato shoqëri kanë punuar shumë me veten për ngritjen kulturore, aq sa gruaja të mos ndihet e rrezikuar apo e kërcënuar edhe nëse denoncon. Në realitetin e përditshëm tonin është e vështirë të presësh denoncime të tilla, sepse shpesh ato shoqërohen me pasiguri të mëdha lidhur me pasojat. Shumë gra bashkëjetojnë me heshtjen në mënyrë të përdhunshme, vetëm e vetëm që të mos humbasin edhe atë status quo që kanë arritur. Por që të punojmë në drejtimin e duhur duhet të veprojmë njëherazi në edukim, në informim, në rritjen kulturore të shoqërisë. Shkolla, media, familja, OJF të gjitha po të punojnë njëherazi.

Aristoteli thoshte: gjëja më e mirë në jetë është dija por gjëja më e keqe është injoranca. Ndaj një shoqëri sa me ditur të jetë, aq më jashtë apo larg dukurive të tilla qëndron. Dija lidhet me rolin e gruas në shoqëri, të drejtat e saj, statusin e individit në vendin e punës, edukimi me kodin etik, njohjen e koncepteve të së drejtës. Sepse nëse dëshiron të vlerësosh stadin e zhvillimit të një shoqërie, shihi gruan. Nëse gruaja shqiptare do të arrijë të ndërtojë statusin e gruas së lirë, me status dhe rol të konsoliduar, atëherë edhe shoqëria shqiptare do te ketë njohur një stad të ri zhvillimi.

 

Mesila Dode, politikane: “Djemtë e këqij janë ‘princat e kaltër’, vajzat e gratë e paguajnë shtrenjtë”

Në vendin tonë janë fare të pakta dhe krejt të papërfillshme denoncimet për ngacmime apo krime seksuale, ndonëse shumë femra kanë rënë pre e këtij fenomeni. A duket sikur gratë dhe vajzat janë dyfish të dhunuara, që nënshtrohen dhe frikësohen nga denoncimi ndaj burrave të pushtetshëm të politikës, biznesit, apo edhe kategorisë së “të fortëve”? A është e rëndë edhe psikologjikisht heshtja për një grua të sulmuar, provokuar dhe në disa raste edhe detyruar që të jetë objekt i “krimeve seksuale”?

Sipas mendimit tim situata është edhe më e rëndë se kaq. Po ndërtohet modeli ideal i burrit, jo më djali i mirë që punon dhe siguron mirëqenie e dashuri për familjen dhe partneren e tij, po ai i të fortit që dhunon brenda e jashtë shtëpisë, që di të vjedhë të shajë të rrahë e të rrihet, që flirton me politikën e i mbledh votat e pastaj i kërkon haraçin. Përfundimisht, stereotipi i shoqërisë shqiptare është kthyer kokapjekthi, djemtë e këqij janë princat e kaltër të kohës, e më pas këtë zgjedhje vajzat e gratë e paguajnë fort shtrenjtë. Ky është realiteti, i cili sjell për pasojë që heshtja të jetë normalitet e krimi seksual të justifikohet si dëshirë për t’u vetëdjegur me cigare.

Përse në vendin tonë është kaq e vështirë të ketë reagim. Kujt i druhen gratë dhe vajzat? Mentalitetit (që shoqëria gjykon e paragjykon të dhunuarën), frikës nga abuzuesit, rasti Xhisiela që ishte dyfish nën trysninë e të pushtetshmit), apo mosbesimit ndaj institucioneve ligjzbatuese?

Le të marrim rastin e fundit, atë të Xhisielës, rasti që për ekselencë shembi infrastrukturën shtetërore që mbronte një dhunues, i cili në këtë histori ishte jo vetëm i biri i deputetit, por edhe siç e dëshmoi me zë e figurë në një moment sinqeriteti, edhe mbledhësi i votave të kryeministrit. Kjo ishte arsye e mjaftueshme që ky i fundit t’i bindej dhe ta mbronte gjer në dëshpërim krimin e atyre që e sollën në pushtet dhe t’i justifikonte në çdo situatë. Pamë një viktimë që kërkoi ndihmë e u gjet para dyerve të mbyllura të shtetit. Pamë një oficer policie që u kanos me jetë nga keqbërësit e më pas u kërcënua rrugaçërisht edhe nga kryeministri, kur u quajt horr që nuk do i ndahej këmba-këmbës duke promovuar një gjuhë toksike që është e denjë vetëm për trekëndëshin Rama, Rraja dhe i biri. Mendoni që pas kësaj do ketë vajza e gra që do guxojnë të kërkojnë ndihmë te një shtet që të mbyll derën fytyrës, nëse nuk je i fuqishëm e nëse nuk ke lidhjet e duhura? Kjo është një infrastrukturë e tërë që mbron dhunën e pushtetin e krimit e të flasësh për ndihmë për vajzat dhe gratë më duket luks i tepërt.

Lëvizja feministe në botë u rikthye fuqishëm pas një periudhe të gjatë dekadash përmes lëvizjes #Me too. Prej më shumë se një viti për këtë lëvizje janë ngritur pyetje të shumta nëse femrat sot ndihen më të mbrojtura, a vijojnë ta shikojnë interesin seksual mashkullor ende si kompliment e deri te fakti nëse do të jemi në gjendje të ndërveprojmë në jetën e përditshme të punës së çdo njeriu që ndihet i ngacmuar apo dhunuar seksualisht përmes forcimit të legjislacionit… Në këndvështrimin tuaj çfarë duhet bërë më shumë në këtë drejtim, me qëllim që lëvizje të tilla të mos mbeten vetëm në kuadrin e denoncimit publik?

Sinqerisht, më duken si përralla me mbret këto për Shqipërinë. Kemi një kryeministër që etiketon median “kazan” e oficerin e policisë “horr”, që flet për opozitën duke i sharë më togfjalësha vulgarë si “derrat në llucë”. Kemi një polici që ende nuk gjen kamerat e personave që kanë hyrë në komisariat. Kemi shoqata të grave që heshtin e nuk bëzajnë për sa kohë nuk i jep urdhër kryeministri… Në Shqipëri fushata më e drejtë që duhet marrë jetë është #Vetëm ti hesht e kjo duhej drejtuar vetëm kundër një njeriu, inspiruesi i shtetit që shkrin si kripa në ujë.

 

Mustafa Nano: Pak vetë duhen për të përmbysur dynjanë

Gjatë monologut të tij në emisionin Provokacija, analisti dhe moderatori Mustafa Nano tregoi historinë e Jeff Flake. Ai është senator i republikanëve dhe për shkak të detyrës iu desh të merrte pjesë në seancën dëgjimore të Brett Kavanaugh, i zgjedhuri i Trump për Gjykatën Supreme të SHBA-së. Edhe pse ky i fundit është denoncuar se ka ushtruar dhunë ndaj një vajze kur ishte në gjimnaz, Flake vendosi të votonte në favor të tij. Kur gratë filluan t’i hakërreheshin në ashensor, sipas Nanos, duhet parë me vëmendje qëndrimi i senatorit Flake.

“Vini re qëndrimin e senatorit përballë tyre. Ai rri me kokën ulur. Është i tulatur, i përulur, i ndrojtur gati i terrorizuar. Ato dy gra po i bënin gjyqin më të madh që i është bërë ndonjëherë në jetën e vet”, tha moderatori i “Provokacija”. Ky është filmi edukativ për deputetët dhe zgjedhësit shqiptarë, sipas Nanos.

“Sa më pëlqen kjo situatë. Është një film edukativ që unë do doja ta shihnin të gjithë deputetët tanë dhe kështu do kishin rastin të mësonin se si do silleshin me zgjedhësit e tyre. Por do doja ta shihnin dhe zgjedhësit për të mësuar se kanë gjithë të drejtën t’u kërkojnë llogari të zgjedhurve të tyre, për të mësuar se të zgjedhurit, nuk janë padronët e tyre, përkundrazi ata janë vetë padronët e të zgjedhurve. Sepse deputeti prandaj është zgjedhur që të dëgjojë zërin e tyre, që të përfaqësojë interesat e tyre, që t’u bëhet krah njerëzve në hallet e tyre. Ky është lloji i deputetit që ne meritojmë”, u shpreh pas videos Nano. Më tej, ai shtoi se menjëherë pas qëndrimit të grave, senatori Flake ndryshoi mendim dhe nuk votoi për Kanavaugh. Pas atij takimi senatori la mënjanë lojërat politike, besnikërinë ndaj partisë së tij dhe veproi në bazë të ndërgjegjes edhe pse në Nëntor rrezikon të humbasin zgjedhjet.

“Ja pra se çfarë është në gjendje të bëjë një deputet i vetëm. Ja se ç’janë në gjendje të bëjnë vetë, pak qytetarë. Vetëm pak vetë duhen për të përmbysur dynjanë! Më besoni në atë që them, duhen vetëm pak vetë”, thekson Nano./abcnews.al

 

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Politika shqiptare e çorientuar, mungon ambasadori i ri amerikan

Nga Ervis Iljazaj Nuk është e vështirë të kuptosh që, politika shqiptare...
Read More