A mund të konsiderohet reformë ajo e ujit?

Nga Ervis Iljazaj

Që Edi Rama ka një sens paternalist ndaj shoqërisë kjo nuk vihet në diskutim. Qasja e tij “edukuese” ndaj qytetarëve shqiptarë, është një qasje që është vënë re që në momentin e parë kur mori postin si Kryeministër i Shqipërisë. Që në krye të herës, aksioni i tij politik filloi duke krijuar një kod sjelljeje që shqiptarët duhet të kishin ndaj detyrimeve të shtetit, si pagesa e energjisë apo në përgjithësi, një kod kulturor dhe estetik.

Jo më kot, pikat e tij më të forta, të cilat i dhanë të drejtë në zgjedhjet e 25 Qershorit, ishin “të bëjmë shtet” dhe një perceptim modern i shoqërisë dhe politikës.

Një politikë e tillë, u mirëprit nga shumica e qytetarëve, pasi abuzimet me shërbime të tilla ishin në nivele të denja të një shteti bananesh.

Së fundmi, bie në sy fushata e re sensibilizuese që Edi Rama ka nisur për pagesat e ujit, si dhe furnizimet e paligjshme të tij, në dëm të këtij burimi jetik kaq të domosdoshëm dhe konsumatorit, duke e quajtur “Reforma e Ujit”.

Mirëpo a është vërtet një reformë në këtë sektor një nismë e tillë? A do të ketë furnizim të pandërprerë dhe cilësor me ujë të qytetarëve apo thjesht do të mbushen më shumë arkat e shtetit dhe kaq?

Në politikëbërje reformë konsiderohet një politikë apo propozim, e cila ndryshon thelbësisht gjendjen e një sektori të caktuar në kuptimin e efikasitetit, të menaxhimit, të mënyrës të administrimit apo të funksionimit.

Në këtë kuptim, nisma e fundit e Kryeministrit është thjesht një fushatë sensibilizuese për zbatimin e ligjit, gjë e cila është shumë larg reformimit të shërbimeve publike, në këtë rast të ujit. Në këtë drejtim, asgjë nuk do të ndryshojë, përveçse pagesës nga frika e ndërprerjes së këtij shërbimi. Dhe, shumë mirë që është kështu, sepse taksat dhe detyrimet ndaj shtetit në shërbim të të gjithë shoqërisë janë detyrime të cilat duhen përmbushur, por po të njëjtat detyrime ka dhe shteti ndaj shoqërisë në sigurimin e plotë të shërbimeve të tilla.

A ndodh kështu në ata sektorë ku çdo qytetar kryen detyrimet e tij të plota?

Sigurisht që jo, pasi problemi kryesor me këto shërbime, nuk është thjesht çështje pagesash apo detyrimesh që duhet të përmbushin qytetarët. Është çështje e keqmenaxhimit dhe shtetëzimit, i cili me përkufizim çon në abuzimin dhe shpërdorimin si të parave të qytetarëve, po ashtu dhe të pasurive të tilla natyrore.

Për këto arsye, reformë e vërtetë e ujit apo shërbimeve të tjera, që sot janë plotësisht shtetërore, do të ishte konsiderimi i futjes së tyre në logjikën e tregut sipas parimit kosto-përfitim-shërbim. Kështu duhet të ndodhë dhe me shumë shërbime të tjera, si: energjia, arsimi, shëndetësia të cilat, janë “mall” tregu. Vetëm në këtë mënyrë do të kemi përfundimisht një shërbim që vlen dhe me çmimin që i takon. Me gjithë përpjekjen dhe vullnetin e mirë të Kryeministrit, këto shërbime për sa kohë do të vazhdojnë të jenë në menaxhimin shtetëror nuk do të kenë asnjëherë një menaxhim që të sigurojë efikasitetin e kërkuar nga qytetarët, pasi dihet, që për gjënë publike nuk kujdeset askush, aq më tepër në një shoqëri ku abuzimi me të është kthyer në normë.

Prandaj, aksioni i fundit i qeverisë për ujin, padyshim që është një aksion për t’u përshëndetur, por kurrsesi nuk mund të quhet një reformë në atë sektor, por thjesht një përpjekje për zbatimin e ligjit dhe detyrimeve.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Të dhënat: 1 në 4 persona të rrezikuar nga probleme të shëndetit mendor

Mbështetja psikosociale mund të ofrohet në shkollë ose në komunitet. Investimi për...
Read More