A na duhet shërbimi i detyrueshëm ushtarak kombëtar?

Nga Prof. dr. Kristaq Xharo*

Politikat e sigurisë ndryshojnë në vijimësi për t’iu përgjigjur sfidave. Rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak po rikthehet në disa vende. Profesor Xharo shkruan mbi këtë çështje, duke argumentuar mbi problematikat që ajo shfaq dhe mbi nevojat.

Tre ditë më parë, Suedia vendosi sistemin e detyrueshëm ushtarak. Pak më herët, 2 javë më parë, Norvegjia e shtriu sistemin e detyrueshëm ushtarak edhe për të rejat. Danimarka nuk e ka vënë ndonjëherë në diskutim, as Zvicra, Austria, Greqia e Turqia. SHBA kryen detyrim selektiv. Kosova po angazhohet fuqishëm për krijimin e Forcave të Armatosura. Mjaft vende të tjera, që e kanë ndërprerë përkohësisht po e konsiderojnë sistemin e detyrueshëm si një çështje për zgjidhje. Pak kohë më parë kjo temë u prek edhe te ne, nga dy analistë të njohur. Kjo ishte edhe zanafilla e këtij shkrimi. Mund të ishte edhe një temë për axhendën e Komisionit të Sigurisë, për Këshillin e Sigurisë apo Komandantin e Përgjithshëm, por, veçanërisht, në këtë situatë, për ata nuk mjafton koha për t’u marrë me çështje të tilla. Shërbimi i detyrueshëm, që më direkt lidhet me kapacitetet ushtarake, si komponent të fuqisë kombëtare dhe që determinojnë çështjet e sigurisë kombëtare janë harruar me kohë në vendin tonë. Dhe, për këtë mund të vetëshpalleshim kampion global të pacifizmit. Të debatosh për çështje të tilla, duket se jeton njëkohësisht në dy kohë: në kohën e shkuar dhe kohën e ardhme, por jo në të sotmen. E sotmja i takon politikës së ditës dhe kohës elektorale, të cilat lidhen me shqetësimet direkte që kanë sot lidershipet nga të gjithë krahët. E ardhmja lidhet me strategjinë kombëtare, që vështirë se do ta kemi ndonjëherë.

Shërbimi i detyrueshëm – a është koha për debat? Debati është i nevojshëm dhe thelbësisht i rëndësishëm, ndonëse jemi të vonuar në kohë. Debati lidhet me një çështje të prekshme dhe mungesa e reflektimit mund të ketë pasoja të dhimbshme. Çështja përmban jo vetëm dimensione të sigurisë, por edhe sociale e të kulturës kombëtare. Askush nuk mohon, që siguria në rajonin tonë edhe të paktën për një ardhme të afërt do të vazhdojë të mbetet mjaft e ndikueshme, por edhe fluide. Muajt e fundit, vendet fqinje kanë demonstruar se ndihen më të “sigurt dhe më të qetë” kur rrisin dhe shfaqin kapacitetet e tyre të fuqisë, specifikisht, të asaj ushtarake. Me gjithë vështirësitë ekonomike, në veri dhe në jug të gadishullit nuk e fshehin angazhimin e tyre në rritjen e kapaciteteve të fuqisë konvencionale; në blerje armatimi modern dhe në rritje të buxheteve ushtarake. “Çuditërisht” si edhe ne, edhe pse ato janë vende anëtare apo partnere në NATO, ato ju janë rikthyer kapaciteteve nacionale. Askush prej tyre, në situata të qeta apo të tensionuara nuk shfaqim “dehjen” në idenë se janë vende anëtare të NATO-s. Më qartë se ne, ata e njohin “artikullin V” të Aktit Themeltar të NATO-s, mbrojtjen kolektive, por janë fokusuar dhe nuk harrojnë “artikullin III”, përballimin fillestar të rrezikut me kapacitetet nacionale. Ato më mirë se të tjerët e kanë të qartë se NATO është aleancë, që kërkon kohën e vet të vendimmarrjes me konsensus, veçanërisht e komplikuar kur çështja diskutohet brenda anëtarëve të vet.

Përse shërbimi i detyrueshëm? Nuk është thjesht dhe vetëm çështje ushtarake. Të tjerë më parë janë shprehur se në një vend ku nuk ekziston asnjë institucion formal apo joformal i unitetit kombëtar shërbimi i detyrueshëm është i vetmi institucion që mund të vendosë në mënyrë të barabartë shtetasit e vet përballë të njëjtës përgjegjësi. Të rinj/të reja, që vijnë nga shtresa super të pasura deri në ato ekstremisht të varfra mund të jetë një vend e një kohë të ndihen të barabartë përballë një përgjegjësie sublime që është kombi. Të ndjerët të barabartë më shumë se kur shohin një ndeshje të kombëtares iu jepet mundësia të sfidohen dhe të sensibilizohen përballë të njëjtës përgjegjësi, që është më e madhe se partitë, më tej se besimet, më shumë se kulturat, apo se lokalizmat. Dhe jo vetëm me atë që ndiejnë, por edhe me atë që marrin, shërbimi i detyrueshëm nuk mund të zëvendësohet me asgjë tjetër në ndjenjën dhe sjelljen sociale në një shoqëri të dërrmuar në të gjitha vlerat e saj. Padyshim, që ndikon më tepër se gjithçka në kapacitetet e fuqisë kombëtare. Është fuqi njerëzore dhe siç shprehet Kaplan në “Anarkia që po vjen” është më e rëndësishme se çdo lloj teknologjie.

A është shërbimi i detyrueshëm ushtarak një nocion i tejkaluar? Sipas US Global Isues (2016), numri i vendeve ku aplikohet rekrutimi, shërbimi i detyrueshëm, është mbi 64 dhe i atyre me rekrutim selektiv është 8. Numri i vendeve ku rekrutimi mundësohet në kohë emergjence është 13. Numri i vendeve që kanë shmangur përkohësisht rekrutimin është 87, ndërsa numri i vendeve pa forca aktive të armatosura është 21. Ka dy lloje debatesh: në vendet që e kanë dhe në vendet ku përkohësisht është shmangur. Debati u shoqërua me referendume në Norvegji, Suedi, Danimarkë, Austri, Izrael vende që e aplikojnë shërbimin e detyrueshëm. Referendumet dërrmuan rëndë idenë e heqjes së shërbimit ushtarak. Çuditërisht në këto referendume gati 70% e atyre që kërkonin të ruhej shërbimi ushtarak ishin të rinj. Debati, shprehet Parameters, revista prestigjioze amerikane për studimet strategjike, ndihet që nuk është më tej çështje në vendet që e zbatojnë rekrutimin, por ai po dominon përherë e më fuqishëm mendimin publik në vendet që e kanë hequr këtë detyrim. Ka zëra kundërshtues, por ka një opinion mjaft të gjerë që e mbështet. Kritikët, ku shumica janë të orientuar nga frymëzime pacifiste, por edhe religjioze e konsiderojnë shërbimin e detyrueshëm si shmangie nga liritë individuale dhe nga parimet e besimit, një mundësi për të nxitur çështje të militarizmit. Mbështetësit argumentojnë se shërbimi i detyrueshëm është më shumë se një komponent i fuqisë dhe ndërgjegjes kombëtare. Argumenti tejkalon kontekstin e forcave të armatosura. Ai shkon përtej kësaj të vërtete. Pozitivistët e lidhin procesin shumë më thellë të ideuar në vlerat, interesat dhe karakterin individual dhe kombëtar, ndërgjegjen kolektive të popullatës, por edhe përgjegjësinë e elitave. Pra trendet janë të tilla, që ato vende që e kanë nuk duket se kanë ndërmend ta ndryshojnë. Pothuajse në të gjitha vendet nordike ai është pranuar në nivelin e krenarisë kombëtare. Referendumi që u zhvillua në Finlandë në 2013 për heqjen e shërbimit të detyrueshëm dështoi në shumicë dërrmuese. Në Suedi, mbi 70% e të rinjve u shprehën kundër ndërprerjes së shërbimit të detyrueshëm. Referendume të tilla dështuan edhe në Zvicër dhe Austri. Edhe Gjermania ka një debat mjaft sensibilizues për vendosjen e detyrimit.

A ka NATO, apo BE standard për modelin e shërbimit? Jo. Vendet anëtare të NATO-s apo BE aplikojnë modele, që përcaktohen tërësisht në referenca kombëtare. Nuk ka kërkesë standarde të NATO-s apo BE, që përcaktojnë modelin e shërbimit. Danimarka, Norvegjia, Greqia, Turqia e anëtarë të tjerë në NATO zbatojnë modelin e shërbimit të detyrueshëm. Edhe vende të tjera europiane (jo anëtare të NATO-s), si: Austria, Finlanda, Suedia, Zvicra etj., zbatojnë shërbimin e detyrueshëm. Por, kur flitet për shërbim të detyrueshëm nuk konceptohen vetëm forca luftimi, por edhe lloje shërbimesh, ndihmëse apo edhe komunitare. Për ata, që angazhohen në lëvizje pacifiste apo religjioze nuk iu kërkohet apo detyrohen të mbajnë armë, por e kryejnë shërbimin në organizata humanitare (Kryqin e Kuq etj.), apo në shërbim të komunitetit, në spitale, azile, qendra sociale etj. Për gjini të ndryshme afrohen shpesh edhe shërbime të ndryshme. Nuk është vetëm Izraeli, por para pak ditësh edhe në Norvegji, ku për femrat u vendos shërbimi i detyrueshëm. Ligji u vendos pas kërkesës së femrave për mosdiskriminim. Koha e shërbimit të detyrueshëm dhe mënyra e realizmit të tij variojnë nga njëri vend në tjetrin.

A ka një histori shërbimi i detyrueshëm ushtarak? Rekrutimi nisi si strategji e përdorur, fillimisht, nga Franca, në kohën e Napoleonit, nga nevoja për të ndërtuar forca të fuqishme, të afta dhe të gatshme për të realizuar strategji mbrojtëse apo mësymëse, për të mbrojtur vendin apo për të përcaktuar sjelljen e vet kombëtare. Kur shtetet fituan monopolin e luftës, Traktati i Vestfalisë- 1648, ushtritë mercenare dominuan teatrin e luftës. Pas një periudhe prej më shumë se 150 vitesh, Napoleoni e përmbysi sistemin mercenar. Përplasja – do të shkruante Jomini, filozofi determinant i kësaj periudhe, – midis modelit francez (rekrutimit) dhe ushtrive mercenare dërrmoi keqas të dytët. Në vazhdim për më shumë se 200 vjet, deri në fund të Luftës së Ftohtë, në të gjitha vendet dominoi modeli i mobilizimit.

A nxit shërbimi i detyrueshëm nacionalizmin? JO – Ai promovon vlerat më të larta kombëtare. – Edhe pse është i vetmi mjedis ku aktiviteti nis me betimin solemn dhe himnin kombëtar, ai nuk promovon nacionalizëm, por vlera vitale. Shërbimi i detyrueshëm ushtarak edukon dhe nxit vlerat kombëtare në shumë mënyra. Së pari, është nga të paktit, në mos i vetmi, institucion që afron unitetin kombëtar mbi baza dhe interesa vitalë të kombit. Të rinjtë (të rejat) mundësohen të kuptojnë dhe të zhvillojnë konceptet për kombin, kulturën dhe interesat kombëtarë. Në ditët e sotme asnjë institucion tjetër nuk e zhvillon këtë proces më mirë. Shërbimi i detyrueshëm ushtarak mundëson që njerëzit të ndihen së bashku, sidomos kur përballen me sfida apo kërcënime të identitetit, me ndarje kulturore apo religjioze, politike apo ideologjike, nga çfarëdo lloj drejtimi, që mund të veprojë. Ai ua mundëson të rinjve për të mësuar dhe trajnuar së bashku, duke mundësuar që të ndajnë eksperienca të përbashkëta. Më tej, ndihmon të kuptuarit e përgjithshëm për jetesën, vështirësinë dhe përgjegjësinë, që thuajse është e nevojshme për çdo lloj angazhimi të mëvonshëm. Shërbimi i detyrueshëm ushtarak nuk nxit nacionalizmin, por ndërgjegjëson qytetarët e vet për konceptin real të kombit dhe përgjegjësinë e secilit për vendin tënd.

A ndihmon shërbimi ushtarak në këtë model shoqërie? – Shërbimi ushtarak ofron përvoja të paçmueshme për çdo individ. Ai është një ndryshim i rëndësishëm nga përvojat e mëparshme për të rinjtë/të rejat; një ndryshim në perspektivë që mund t’i ndihmojë ata të shohin të ardhmen në një nivel tjetër nga ai spontan, të frymëzojë ata që të punojnë më shumë në të ardhmen, dhe të nxisë një ndjenjë më të madhe të interesit jo vetëm kombëtar, por edhe përgjegjësisë qytetare. Për të rinjtë (por jo vetëm) shërbimi i detyrueshëm kthehet në një benefit që prodhon tipare të rëndësishme dhe po aq të vlefshme të karakterit të individit. Dhe vërtet, gjatë shërbimit të detyrueshëm , të rinjve iu mësohet jo vetëm respektimi i autoritetit, i vetëdisiplinës, të sjellurit dhe punuarit në grup, por edhe aftësi të tjera, të përballjes me problemin dhe vështirësinë, aftësi menaxhuese apo drejtuese, cilësi këto për të cilat shërbimi i detyrueshëm është unik. Në të kundërt, mungesa e tyre, edhe siç po provohet dita-ditës, po kthehet në një fenomen virusal. Armstrong (William) shkruan për News Max (2016) se shërbimi ushtarak i detyrueshëm kuron shumë nga sëmundjet e shoqërisë së sotme- “Doni të shihni djalin tuaj, vajzën tuaj, nipin dhe mbesën, fëmijët e fqinjit, adoleshentë që të jenë serioz, këmbëngulës, të respektueshëm, të disiplinuar, të nderuar e të përgatitur për jetën? Nuk është një reklamë për një pilulë magjike – është thjesht një argument për shërbimin e detyrueshëm ushtarak . Në të kundërt ju gjeni pamjen që nuk do të dëshironit ta shihnit, të rinj pa objektiva, pa iniciativë, pa vetëbesim deri në të rinj të pleksur me krimin, abuzimet, prostitucionin që në adoleshencë…”. Le të zgjedhim.

Editorialisti Kennet Andreson, kur Suedia ndërpreu shërbimin e detyrueshëm në vitin 2010, shkroi “…është një bazë e fortë për t’u frikësuar, se me ndërprerjen e shërbimit ushtarak, të deritanishmes do t’i shtohet edhe një nivel tjetër i zhdukjes së ndërgjegjes publike … lidhja mes detyrimeve dhe të drejtave po bëhet gjithmonë më pak dhe më pak e qartë. “Shërbimi ushtarak nxit ndjenjën e ndërgjegjes qytetare, një fenomen i dërrmuar aq rëndë nga ndasitë politike, kulturore, religjioze, të origjinës apo të vendlindjes. Shoqëria jonë gjithmonë e më tepër po demonstron frikshëm ndarjet dhe dallimet sociale. Asnjë strukturë institucionale nuk përballet me fenomenin. Shërbimi i detyrueshëm është një ambient ku mundësohet që dallimet të shkrihen dhe unifikohen. Ari Bussel shprehet në New Blaze, se “Forcat e Armatosura janë një terren i të gjithëve, të atyre që vijnë nga shtëpitë e pasura dhe të varfra, nga grupe religjioze të ndryshme e me praktikë në besime fetare, por edhe laike, me ngjyra të ndryshme të lëkurës, të zgjuar, apo edhe të ngadalshëm, me aftësi të kufizuara, por edhe të shëndetshme, të guximshëm dhe hezitues. Shërbimi i nxit të gjithë brenda një procesi më të njëjtin standard, duke i trajtuar në mënyrë të barabartë, duke i vendosur nën të njëjtat kërkesa dhe duke iu besuar të njëjtat përgjegjësi të mëdha, pavarësisht nga besimi, përkatësia, gjendja sociale apo etiketat e përkatësive të tjera”.

Kohë më parë, Tomas Hobbes shkruante se “… pa siguri nuk ka vend për industri…për art, për letërsi, për shoqëri dhe çfarë është më e tmerrshmja …pa siguri reflektohet një ankth i pandërprerë, dhe rreziku i dhunshëm për jetën, vetmi, varfëri, mizërie, brutalitet dhe pamjaftueshmëri…”. Siguria është substance e jetës njerëzore. Të jesh i sigurt është të jesh i pashqetësuar nga rreziqet apo frika. Ku jemi ne? – Vazhdojmë në shkrimin e ardhshëm. Ftesë për debat…

* (kolonel në rezervë) pedagog UET

Shkruar Nga
More from revista mapo

I akuzuari për trafik organesh: Ja bizneset në Shqipëri

Prokuroria bllokoi disa transaksione bankare mes dy kompanive që ofrojnë turizëm mjekësor....
Read More