“A pastrojnë para Samir Mane, Shefqet Kastrati apo Ramë Geci?”

Në diskutimet për buxhetin e vitit 2018, kryetari i PD Lulzim Basha e lidhi projektin që solli qeveria në parlament me interesat e krimit dhe pastrimin e parave të drogës.

Futjen e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së e lidhi me koncesionin për mbledhjen e TVSH, sipas tij të kontrolluar nga Olsi Ramat.

Uljen e taksave për hotelet me 5 yje, e lidhi me hotelet e bosëve të drogës, duke marrë shembull Klemend Balilin dhe hotelin Santa Quaranta. Programin 1 Miliard Euro, Basha e konsideroi një skemë gjigande të pastrimit të parave të drogës.

Akuzave të Bashës, Rama fillimisht iu përgjigj me batuta: “Rritu Lul, rritu! Mona të bën të ndjehesh i fortë, por të zvogëlon”.

Për akuzat ndaj të vëllait, Rama u përgjigj shkurt se “vëllai im është një njeri i zakonshëm, nuk është kunati i famshëm, por unë kurrë nuk vij këtu me librin e shtëpisë së tjetrit, nuk vij të bëj luftë me familjet”.

Por Basha aludoi për informacione të shërbimeve partnere për Olsi Ramën.

“Mos na shit dëngla këtu se po të përmendim familjen, në momentin që familjen e përdor për të ndërtuar skema korruptive, koncensione korruptive, të tjerat i di vetë ti. Nuk është se nuk i di vetëm ti, i dinë edhe partnerët. Uroj të t’i kenë thënë edhe ty, siç vijnë m’i thonë edhe mua”.

Kreu i Partisë Demokratike tha se agjentët e huaj erdhën në Tiranë me dy misione. E para, tha Basha, është që lufta kundër krimit të mos kufizohet vetëm tek rivalët e Agron Xhafajt (vëllai i Ministrit të Brendshëm) dhe e dyta, që pasi të goditen bandat kriminale, aksioni të kalojë tek politikanët që pastrojnë para.

Duke iu drejtuar Edi Ramës për informacionet që ka marrë nga partnerët e huaj, Basha tha se “ndoshta këtë ta fsheh Fatmiri”. 

Përgjigjet e Edi Ramës kanë qenë të qeshurat nga karrigia e tij dhe thirrjet pa mikrofon për Bashën “ti nuk je Saliu, sill Saliun këtu, sill babën”.

Akuzave e Lulzim Bashës për invesimet në Tiranë si ndërtime të njerëzve që pastrojnë paratë e drogës, kryeministri i është përgjigjur me emrat e biznesmenëve më të mëdhenj të ndërtimit në Tiranë.

Rama e sfidoi Bashën të flasë pë rata që i quajti miq të Bashës dhe mbështetës të Partisë demokratike kur tha: “Kullat e Tiranës? Zamir Mane është pastrues parash? Shefqet Kastrati, është pastrues parash? Bashkim Ulaj është pastrues parash? Ramë Geci, është pastrues parash?

Dhe për një çudi, që rastësisht janë të katërt votues dhe mbështetës të PD-së. Nëse ke ndonjë kullë tjetër në mendje, urdhëro ta diskutojmë. Këto 4 njerëz janë njerëz që kontribuojnë në zhvillimin e vendit. Kanë bërë pasuri kur ti ishe në Hollandë dhe nuk guxon ti të thuash që pastrojnë drogë. Hajde këtu më thuaj, Zamir Mani është pjesë e skemës së pastrimit?

Shefqet Kastrati është pjesë e PPP. P e kanë edhe D, janë PD. Bashkim Ulaj, Ramë Geci, kanë bërë kërkesë të ndërtojnë dhe le të ndërtojnë. Kurrë nuk kam penguar njeri të ndërtojë në këtë vend dhe do të zhvillojë këtë vend”.

Kurse Basha u përgjigj duke thënë: “Mbrohesh pas emrave të përveçëm për një përgjegjësi që është tërësisht e jotja. Por unë nuk kompleksohem, pasi ndryshe nga ti unë nuk i ndaj investitorët në të djathtë apo të majtë, por në të ndershëm apo të pandershëm”.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Mimoza Ahmeti: Juvenali- Satira: Nga libraria e trotuareve

  Kalimi buzë një librarie të shtrirë përgjatë trotuaresh në Tiranë, është...
Read More