A po e ndihmojnë ndërkombëtarët qeverinë e Edi Ramës?


Nga Ervis Iljazaj – 
Qeveria Rama dy nuk nisur në mënyrën më të mirë të mundshme, siç duhet të ishte normalisht. Nga një qeveri e cila nuk ka shumë që ka fituar zgjedhjet parlamentare, pritet më së paku një entuziazëm që karakterizon çdo qeveri të re, aq më tepër një qeveri e cila ka fituar zgjedhjet e vetme, që nuk ndodhte prej shumë kohësh në politikën shqiptare.

Një gjë e tillë deri më tani nuk është perceptuar nga qeveria Rama dy. Përkundrazi, ajo ka filluar punën e kapur në mënyrë të papritur ndoshta, nga një lum akuzash për ish-ministrin Tahiri, që përfshijnë atë me grupe kriminale të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Edhe pse kjo është një qeveri e re dhe Saimir Tahiri nuk është më pjesë e saj, Edi Rama po paguan kostot në sytë e opinionit publik për faktin se ish-ministri konsiderohej nga vetë ai si një nga ministrat më të suksesshëm të qeverisë së kaluar. Në këtë kuptim, edhe qeveria Rama dy është e ndjeshme në mënyrë direkte ose jo me këtë çështje.

Pa hyrë në detajet e rastit Tahiri, aq më shumë kur kjo çështje tashmë i ka kaluar drejtësisë, dhe e ka ajo për detyrë për ta zgjidhur atë vetëm sipas ligjit, është fakt, që kjo akuzë ndaj tij, ka ulur ndjeshëm besimin ndaj qeverisë aktuale. Nuk ka ende një sondazh që të tregojë se në çfarë niveli është besimi i qytetarëve ndaj kësaj qeverie, por me siguri nuk gëzon të njëjtin pas dy javëve kur përflitet për përfshirjen e politikës në lidhjet me krimin e organizuar.

Megjithatë, duke se Edi Rama, në të gjithë këtë histori, vazhdon ende të ruajë një aleat të fortë, që janë ndërkombëtarët. Siç ndodh shpesh në këto raste, aleatët tanë ndërkombëtarë, dhe sidomos Shtetet e Bashkuara, shërbejnë si arbitër për të zgjidhur konfliktualitetin e lartë që karakterizon politikën tonë. Kjo për faktin se besimi i qytetarëve shqiptarë ndaj institucioneve është në nivelet më të ulëta që mund të imagjinohen, pa përjashtuar asnjë prej tyre, fut këtu edhe drejtësinë.

Prandaj, qëndrimet e tyre marrin një rëndësi të veçantë për opinionin publik. Për rastin e Tahirit dhe për të gjithë situatën politike që është krijuar, qëndrimet e ndërkombëtarëve dhe Shteteve të Bashkuara nuk munguan.

Ambasadori Donald Lu, ishte i pari që doli dhe mbajti qëndrimin e tij për çështjen Tahiri. Një qëndrim i ftohtë dhe neutral, që nuk ndikonte në vazhdimësinë e kësaj qeverie, edhe pse mbi të rëndonin akuza të mëdha. Kush priste që qëndrimi i ambasadorit amerikan do të trondiste pozitat e qeverisë Rama u zhgënjye, pasi asgjë nuk ndodhi pas asaj deklarate.

Me sa duket SHBA, vazhdojnë ende të besojnë tek aleanca e tyre me Edi Ramën Kryeministër. Një aleancë që i duhet për të çuar përpara axhendën e saj të rëndësishme për Shqipërinë dhe Rajonin në përgjithësi për interesat e tyre gjeopolitikë.

E njëjta situatë ndodhi dje me ministrin e Rendit italian, në një konferencë të përbashkët me ministrinë shqiptare. Edhe pse ministri Miniti nuk la pa përmendur të gjitha problematikat që ka Shqipëria me krimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, ajo konferencë duket sikur ishte një ditë normale pune dhe asgjë më shumë për pozitat e qeverisë shqiptare.

Prandaj, edhe pse qeveria Rama dy ka ngjallur pak entuziazëm te populli shqiptar deri më tani, ka një vazhdimësi të aleancave të saj me ndërkombëtarët që e bëjnë të duket ende e fortë. Por, se sa do të mjaftojë kjo aleancë për këtë qeveri mbetet për t’u parë. Sepse problemet e shqiptarëve janë po aty. Ato presin përgjigje nga qeveria, të cilën populli e mandatoi të vetme në krye të punëve të vendit.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Rama përgatit “Rama 2”. Bashkim ministrish, emrat që ikin dhe vijnë

Burime nga selia e Kryeministrisë tregojnë se është përfunduar struktura e qeverisë...
Read More