A po kërkon ndihmë Edi Rama te Partia Socialiste e vjetër?

Nga Ervis Iljazaj

Ilir Zela është zgjedhur nga Parlamenti Kryetar i AKEP-it. Zoti Zela është një figurë e vjetër e Partisë Socialiste dhe me kontribut në historinë e saj. Pa patur synim për të dhënë mendim mbi emrin e zotit Zela, që meriton gjithë respektin, për profesionalizmin e tij, duket sikur ky propozim nga Edi Rama kërkon të kthejë në vëmendjen e opinioni publik, që Partia Socialiste, ajo e vjetra, është ende e rëndësishme për këtë parti.

Në këtë drejtim, para disa ditësh në emisionin Studio e Hapur, Kryeministri nuk harroi të falënderonte liderin historik të Partisë Socialiste, Fatos Nanon, duke i njohur atij merita të mëdha për jetën e tij politike.

Këto lëvizje të fundit, duket sikur kanë për synim të rehabilitojnë Partinë Socialiste me emra të rëndësishëm që kanë bërë historinë e saj, pasi në këto momente Rilindja duket në vështirësi përpara opinionit publik me të gjitha çështjet që e kanë zënë poshtë atë. Duke filluar që nga problemet e kanabizimit, krimit të organizuar dhe lidhjet e tij me politikën, që me sa duket nuk do jetë një kafshatë e lehtë për t’u kapërdirë nga populli shqiptar, me gjithë përpjekjet dhe strategjitë politike për t’i lënë këto çështje në harresë.

Rilindja, emri i pagëzuar i Partisë Socialiste, duket sikur po e humbet shkëlqimin e saj të fillimit si një forcë e re dhe reformatore.

Kjo kthesë në të shkuarën, nuk ka të bëjë vetëm me rastet në fjalë, por edhe me vetë mënyrën se si ka nisur mandati i dytë i qeverisë Rama Dy.

Në mandatin e tij të parë, Edi Rama tregoi një filozofi krejt ndryshe në qeverisje nga mandati i dytë i tij.

Rama në mandatin e tij të parë pati një meritë të madhe në reformimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë duke e çuar atë drejt liberalizmit të majtë ose rrugës së tretë në trend me politikën europiane. Me fitoren e Macron dhe Renzit që pritet të rikthehet në drejtimin e Italisë por, edhe në shumë vende të tjera, Europa në vitet e ardhshme ka përcaktuar rrugën e saj ideologjike, që do të jetë ajo e reformizmit kundër rrezikut të populizmit, duke u bazuar te konkurrenca dhe liria e tregut në radhë të parë dhe, si pasojë e saj, te rishpërndarja që garanton një shoqëri të drejtë. Një mënyrë qeverisjeje që nuk kishte asgjë të ngjashme me ideologjinë tradicionale të Partisë Socialiste.

Reformat e ndërmarra, duke filluar nga ajo e arsimit, krijimin e tregut të energjisë, reforma territoriale, formalizimin e ekonomisë dhe kontrollit të territorit, duket sikur kanë ngelur përgjysmë. Rruga drejt reformave duhet të vazhdonte edhe më e vendosur, ndërkohë ka ndodhur totalisht e kundërta. Edi Rama rrezikon të kthehet nga një reformator në një populist dhe një socialist i orës së fundit. Bashkëqeverisja me popullin është një shenjë e qartë në këtë aspekt.

Prandaj, përtej emrave historikë të Partisë Socialiste që Edi Rama po përpiqet t’i rikthejë ose t’i falënderojë publikisht, me qëllim krijimin e idesë që Partia Socialiste nuk është eliminuar nga Rilindja, e cila ndodhet në vështirësi përpara opinionit publik, në këtë mandat edhe mënyra e qeverisjes dhe filozofia e saj duket e ndryshuar tërësisht nga mandati i parë.

Megjithatë kjo është rruga e gabuar drejt suksesit të mandatit të dytë. E vetmja mënyrë për të lënë gjurmë politike për Edi Ramën është vazhdimi i reformave liberalizuese dhe futja në treg e çdo sektori ekonomik dhe shërbimesh dhe, në këtë mënyrë, shkëputja totale ideologjike nga Partia Socialiste e vjetër.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

PUNK dhe EHO

-Letërkëmbimi Mapo-Danas Nga Zoran Panoviq I dashur Mustafë, Urrejtja serbo-shqiptare ka episode...
Read More