A po largohen partitë e vogla nga aleanca me Lulzim Bashën?

Nga Ervis Iljazaj

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ka deklaruar në një intervistë për gazetën Koha Jonë, se disa parti të vogla janë në prag të shpalljes të një lëvizjeje politike të re, apo siç quhet në këto raste, të një poli të tretë politik.

Me sa duket partitë e vogla, parlamentare apo jo, janë duke u përgatitur për një sezon të ri politik, mbas atij që lamë pas, që i nxori ato humbëse apo të parëndësishme në formimin e mazhorancave politike, ndryshe nga ajo që ka ndodhur shpesh përgjatë tranzicionit. Në këtë kuptim, për fatin e tyre politik, duhet me patjetër të rishikojnë strategjitë politikë nëse duan të mbijetojnë në skenën politike shqiptare.

Disa nga këto parti, që drejtohen nga Dashamir Shehi, Nard Ndoka apo Vangjel Dule, deri më tani kanë qenë haptazi aleat të Partisë Demokratike, jo vetëm kaq, por mandatin e deputetit e kanë fituar në listat e kësaj partie.

Atëherë përse kjo lëvizje? Mos vallë Partitë e vogla janë duke u larguar nga aleanca me Partinë Demokratike për të krijuar një qendër politike të ndryshme, për faktin se nuk ndihen më të sigurta nën ombrellën e PD-së?

Në të vërtetë, që nga zgjedhjet e 25 Qershorit, partitë e vogla nuk kanë më të sigurt rolin e tyre në sistemin politik shqiptar, pasi fitorja e vetme e Partisë Socialiste, uli ndjeshëm rëndësinë e tyre në krijimin e mazhorancave politike. Duke filluar që nga LIBRA e deri te PDIU, e cila në fakt arriti të fitonte tri mandate, por që ato ishin më shumë vota personale të kandidatëve se sa të partisë politike që i përkisnin, patën një rezultat që konfirmoi edhe njëherë që këto lëvizje politike kanë mbijetuar më parë në saj të skemave dhe kontekstit politik se sa përfaqësimit e ideve politike apo vlerave të caktuara të shoqërisë. Në këtë pikëpamje mund të thuhet që këto parti politike janë amorfe, për shkak se nuk arritën të frymëzonin qytetarët, të cilët mund t’i besonin votën.

Në këtë kuptim, momenti politik nuk është aspak i favorshëm për parti të tilla, dhe këtë gjë, e kanë kuptuar mirë iniciatorët e polit të tretë, duke u përpjekur të krijojnë të rivitalizojnë rolin e tyre brenda sistemit politik.

Po të shtojmë këtu, që në opozitë tashmë gjendet dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, roli i tyre për Partinë Demokratike ulet ndjeshëm. Kështu që, lëvizja e tyre duket një lëvizje e detyrueshme për mbijetesën politike, të trembur edhe nga ideja e dypartitizmit që mori jetë gjatë fushatës zgjedhore dhe marrëveshjes Rama- Basha.

Megjithatë, nëse shohim hapësirat të tregut politik, është e qartë që nuk ka vend për një pol të tretë . Nuk ekziston një frakturë shoqërore, e cila të mbështesë një lëvizje të tillë politike. Në këtë kuptim, roli i partive të vogla mbetet ai që ka qenë historikisht, t’i atashohen njërës nga partive të mëdha politike, në këtë rast Partisë Demokratike, nëse vërtet kërkojnë të vazhdojnë të luajnë një rol në mekanizmat politikë.

Në një shoqëri të çimentuar, si ajo shqiptare, elektorati lëviz me një ngadalësi të vogël si askund tjetër. Këtë fenomen e kanë vërtetuar fare mirë rezultatet zgjedhore ndër vite. Prandaj, politika shqiptare do të vazhdojë të ngelet edhe për shumë vite me dy parti kryesore, dhe një të tretë që është LSI, dhe parti të tjera që do të mbështesin ato.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Më të lumtur? Ku gabojnë shqiptarët që duan të largohen nga vendi

Nga Enton Palushi Shpesh mendojmë se largimi nga vendi është zgjidhja e...
Read More