A po lindin lëvizjet jopolitike?

  1. Protestat masive të studentëve në të gjithë vendin e nisur për “ulje tarifash” e më shumë të drejta, kthehet në frymëzim. Çfarë po ndodh me kastën politike që ka qarkulluar me rrotacion mes vetes përballë studentëve të revoltuar? Protestat rinore pa ndikimin partiak dhe fryma që po i japin shoqërisë. Kryeministri ofron diskutim e “mirëkuptim”, studentët e refuzojnë. A janë shenjat e para të një lëvizjeje jopartiake? Flasin analistët Mustafa Nano dhe Alfred Lela.

Nga Sebi Alla

Në dhjetor të vitit 1990, zanafilla e protestës studentore që u mbyll me shembjen e diktaturës, nisi si ankesë për gjellën me presh të pazier mirë dhe ikjes së dritave në një godinë të inxhinierisë së ndërtimit. Aq mjaftoi që revolta të shpërthente në të tjera kërkesa, mirëfilltës politike që rrëzuan mitin komunizëm. 28 vjet më vonë… Një VKM e qeverisë për tarifa të reja për provimet e mbartura (e nxjerrë këtu e ca muaj më parë), trazoi “studentët e paqtë”, që zhvilluan një nga protestat më të mëdha, jo vetëm në numër, por në domethënien e saj. Protesta nisi të mërkurën dhe u masivizua aq shumë sa ka gjetur të papërgatitur qeveri e opozitë bashkë, me pyetjen ende pa përgjigje: Çfarë ndodhi? Larg politikës (partitizmit), lëvizja studentore bllokoi për tre ditë rresht Ministrinë e Arsimit dhe parashtroi kërkesat e saj kryesore për përgjysmim të tarifave të shkollimit, dyfishim të buxhetit të arsimit, kushte më të mira nëpër konvikte dhe të kenë përfaqësuesit studentorë në këshillat e fakulteteve. Nëse shihen një nga një, duket se thelbi është për çështjen ekonomike dhe më shumë të drejta për të vendosur, por fryma që po përçojnë, kapërcen atë që shihet. Një protestë e ngjashme me “jelekëverdhët” e Francës që shpërthyen në revolta të dhunshme pas vendimit të qeverisë për të rritur me 3 cent litrin e naftës. Më shumë se për një “kosto të papërballueshme”, qytetarët atje dolën masivisht kundër një vendimi që me një lloj arrogance iu imponua popullsisë.

Në Tiranë dhe të gjitha universitetet e tjera të rretheve, revolta studentore dhe e rinisë në përgjithësi, jashtë ndikimit politik, po i jep mësimin e parë “kastës drejtuese” majtas e djathtas, se populli i paqtë që deri më tani ka treguar një lloj “alergjie” nga protestat, këtë herë ka kapur pikën kulminante të durimit. A mund të jetë një “dhjetor i dytë” kjo lëvizje e studentëve që nis për çështje kushtesh e të drejtash dhe mund të mbyllet me “revolucion” në ndryshimin e mënyrës qeverisëse, por jo me këta personazhe të politikës? Një pikëpyetje që vështirë të shtjellohet, por fryma po ekziston, ose më qartë një pjesë e mirë e qytetarëve do të donin që të vijonte. I pari që duhet të bëjë mirë llogaritë në sjellje e nisma do të jetë kryeministri Edi Rama, që këtë herë nuk ka me vete as pjesën e propagandës. “Protesta e ka patur të garantuar pacenueshmërinë e statusit të qytetarisë, më vjen shumë mirë për këtë dhe po të mund të zgjidhja dot sot doja të isha student protestues dhe jo kryeministër në zyrë, por si kryeministër dhe protestues i dikurshëm, duke dëgjuar njëri-tjetrin dhe duke u bërë bashkë për të shtyrë me forcë modernizimin e arsimit të lartë mund ta bëjmë shumë më mirë punën kolosale që mbetet për të bërë në dobi të universitetit. Shkurt fjala se sa rrinë dhe çfarë kërkojnë në rrugë kjo është e drejta e tyre legjitime, por detyra ime është ti dëgjoj dhe mbështes në çdo rast që do të donin të bisedonin, kur dhe po të duan, bujrum, kjo zyrë është imja, por pushteti i saj është i kujtdo, që e vë në shërbim të vendit dhe të së ardhmes”, -deklaroi kryeministri në një video në Facebook. Dukshëm në rol, Rama në një ton të qetë, dashamirës dhe në aktrimin e “babaxhanit”, ofroi dorën e pajtimit, gati me premtimin se është i gatshëm të plotësojë çdo kërkesë, pse jo edhe dëshirë të studentëve, mjafton që kjo revoltë domethënëse të mbyllet. Po çfarë e bëri kryeministrin të mbante këtë qëndrim vetëm 24 orë pasi i kishte konsideruar këta studentë si “ngelës” që duhet të paguanin? Padyshim jo vetëm masiviteti, por mesazhet që dhanë studentët në rrugë dhe për më shumë admirimi për studentët protestues të mijëra qytetarëve. Një kryeministër i anatemuar, i përplasur me skandale trafiku të bashkëpunëtorëve, për lidhjet me botën e krimit, apo edhe për afera të dyshuara korruptive do ishte lehtësisht i rrëzueshëm, edhe me frymën e revoltës studentore, por pyetja tjetër që ngrihet vetishëm, pas së sotmes, po ai nesër a ka besim? Dhe sytë kthehen nga opozita…

Çdo opozitë në raste të tilla do “fërkonte duart” nga revolta kundër qeverisë, por duket se nuk ka vend për gëzim në radhët e saj. Studentët kanë refuzuar me vendosmëri çdo partiak brenda protestës, duke i konsideruar të gjithë përgjegjës për të drejtat studentore në dy dekadat e fundit. Për të kuptuar se nuk duan të përfshihen në politikë, data 8 dhjetor do i gjejë të dyja palët në shesh, opozitën që përkujton ditën e Rinisë dhe studentët e sotëm që po tentojnë të shënojnë “datën” e tyre të një proteste që mund të mbesë në kujtesë. “Nesër ka protestë edhe Partia Demokratike. Por ne nuk do të përfshihemi fare me ta! Ne nuk do lejojmë që ata të përfshihen me ne. Jo politikë” thuhet në njoftimin e studentëve që kanë vendosur t’i shmangen protestës që do organizojë opozita. Edhe kryedemokrati Lulzim Basha është treguar mjaft i matur me protestën e studentëve, duke heshtur dhe pa tentuar të marrë kauzën e tyre, ndoshta edhe për shkak se që në ditët e para të daljes së tyre në rrugë kërkuan që politika të mbetej jashtë tyre. Eksponentë të rëndësishëm të PD dhe LSI gjithashtu janë të vetëdijshëm se ende nuk janë “vetëpastruar” për të krijuar bindje dhe frymë në elektorat, ndaj në këtë rast kanë zgjedhur thjesht të jenë spektatorë me shpresën e një “fundi tragjik” të qeverisë. “Banorët e bashkuar përcaktuan triumfin e të vërtetës. Deshën t’i varrosin brenda 10 ditëve, po nuk ia dolën. Edhe kur këtu erdhën 1000 policë, për të dhunuar banorët. Kush ka fuqi të qëndrojë pas këtyre parave? Edi Rama, hajduti i kësaj afere. Ky është mësimi i protestës së Astirit, të protestës së studentëve. Për 48 orë e futën Ramën poshtë minderit. Por beteja nuk ka përfunduar”, tha Basha krah banorëve të zonës së Unazës së Re që gjenden prej një muaji në protestë, për shkak të projektit infrastrukturor që u prish banesat.

Nuk duhen injoruar as zërat që gjykojnë se kjo nxitje e studentëve, (qoftë edhe pa dijeninë e tyre), vjen si shtysë nga brenda së majtës, që është në kulmin e konfliktualitetit të brendshëm midis klaneve që nisin nga bashkia e kryeqytetit, vijojnë me qeverinë dhe përfundojnë në parti. Ndoshta po synojnë të nxjerrin problemin “Rama” dhe shpëtimtar një tjetër personazh po brenda së majtës, por kjo mbetet ende një teori konspiracioni që në real-politikën shqiptare nuk mund të konsiderohet krejtësisht e pabesueshme. Për lëvizjen më të fundit me protestën masive të studentëve analisti Mustafa Nano mendon se në dukje kërkesat janë të ngushtësuara në interes (të drejtë) të tyre, por dëshira e analistit shkon në idenë që kjo protestë të kthehej në lëvizje. “Do doja që ata ta hapnin rrethin e kërkesave, të mos mbeteshin brenda botës së tyre të ngushtë. Unë do doja që ata ta shkundnin shoqërinë shqiptare. Sepse është kjo, për të cilën ne kemi nevojë. Këtë shkundje nuk ka se kush ta bëjë tjetër. Të gjithë faktorët e rëndësishëm të shoqërisë shqiptare, politika, media, biznesi, shkollat, feja, elita kulturore, janë pjesë e një sistemi që duhet tronditur”, gjykon Nano. Për të, qëndrime të Ramës janë shenjë e frikës, dhe jo e mirëkuptimit me protestuesit. “Është bukur që ka frikë, por nuk duhet të na e shesë këtë frikë si fuqi për të mirëkuptuar protestuesit. Rama, nëse ka mend për të kuptuar se në ç’gjendje është Shqipëria sot (për faj të tij), duhet të bëjë shumë më tepër sesa kërkojnë studentët”, shprehet Nano për gazetën Mapo. Drejtori i Politiko.al Alfred Lela, në analizën e tij shtjellon idenë se kjo revoltë studentore nuk është si “aksion momenti” për një padrejtësi. “Çdo protestë nuk është asnjëherë vetëm një kryengritje për ‘kushtet adekuate’, të atypëratyshme, por edhe një shfrenim apo shfrim i sentimenteve sociale, të frustruara apo të grumbulluara në kohë”-thotë Lela. I ndalur në “shtysën” që morën studentët Lela e konsideron si protestë jo partiake, por gjithsesi nuk e konsideron si jo politike. “Kësaj here opozita fiton vetëm si spektatore, jo si lojtare. Të rrijë larg për të mirën e vet dhe të gjësë që po ngjizet. Këtë ka bërë në fakt dhe kjo është një ndër ato gjëra që ka bërë mire”-shprehet Lela.

 

“Pres që studentët shqiptarë të dalin në rrugë e të thonë: Na ktheni vendin që na keni grabitur!”

Analisti Mustafa Nano e konsideron protestën e studentëve si larg çdo manipulimi politik dhe që bën këtë protestë të bukur e të fisme.

Protestat e studentëve prej katër ditësh në masivitet dhe të vendosur në plotësimin e kërkesave të tyre, a mund të konsiderohen vetëm të karakterit “plotësim kushtesh” dhe “ulje tarifash”, apo ka diçka përtej saj? A mund të ketë elemente të forta të një revolte të brendshme, që në një lloj mënyrë personifikojnë atë demonstrim që shumë qytetarë e mendojnë, por nuk janë në gjendje të grupohen?

Kjo është për t’u zbuluar. Në këtë moment të parë ne jemi të prirur ta mistifikojmë këtë protestë, jemi të prirur t’i veshim asaj tipare e misione që ajo, në të vërtetë, mund të mos i ketë. Fakti që pjesëmarrja ka qenë e madhe dhe që organizimi ka qenë spontan, larg çdo manipulimi politik, e bën këtë protestë të bukur e të fisme. Por këto janë sinjale që nuk kanë ndonjë domethënie kushedi se çfarë. Protesta të tilla të mëdha, të pamanipuluara politikisht, kemi pasur edhe në të shkuarën, siç ka qenë, fjala vjen, ajo kundër përpjekjes për të bërë në Shqipëri demontimin e armëve kimike. Madje, ajo protestë ka qenë më e madhe, e më e fisme, pasi në të u panë njerëzit të dilnin rrugëve me familjet e tyre, pleq, gra, fëmijë.

Çfarë është në vetvete kjo protestë dhe a mund të kthehet në lëvizje? Fakti që studentët dalin masivisht në protestë, pa liderë politikë dhe pa flamuj partie a e bën edhe më të fortë reagimin? 

Unë do të uroja që të shndërrohej në një lëvizje. Do doja që ata ta hapnin rrethin e kërkesave, të mos mbeteshin brenda botës së tyre të ngushtë. Unë do doja që ata ta shkundnin shoqërinë shqiptare. Sepse është kjo, për të cilën ne kemi nevojë. Këtë shkundje nuk ka se kush ta bëjë tjetër. Të gjithë faktorët e rëndësishëm të shoqërisë shqiptare, politika, media, biznesi, shkollat, feja, elita kulturore, janë pjesë e një sistemi që duhet tronditur. Dhe si të tillë nuk mund të pritet prej asnjërit prej këtyre faktorëve të ndërmarrin nisma që synojnë tërmete. Sepse të gjithë këta janë të kënaqur me status quo-në. Çfarë mbetet është masa e madhe e njerëzve, e cila është e paorganizuar, dhe e papërgatitur të bëjë shkundje të tilla. Masa e madhe është e nënshtruar, gjë që shprehet edhe tek ideja që është përhapur si një flamë se ky vend duhet lënë, nga ky vend duhet ikur. Vetëm studentët janë jashtë sistemit korruptiv, që është ndërtuar në Shqipëri. Vetëm ata mund ta bëjnë këtë shkundje. Nëse ata nuk e bëjnë, atëherë le ta gëzojmë këtë vend kështu si është. Mua më entuziazmuan fillimisht protestuesit. Dhe ende vijojnë të më entuziazmojnë me faktin që protestën duan ta mbajnë të pandotur nga politika. Por puna është se nuk po shoh që të shprehen ide të mëdha e të rëndësishme. Madje, kam frikë se pak kush ndër ata e ka bërë të vetën besimin se ka diçka shumë të rëndësishme që nuk shkon në këtë vend, në këtë moment. Pakkush ndër ta e ka bërë të vetën idenë se dikush duhet t’i dalë zot këtij vendi, dhe se ky dikush duhet të jenë ata, studentët. Unë pres pra që studentët shqiptarë të dalin nëpër rrugë e të thonë me gojën plot e me zërin në kupë të qiellit: Na ktheni vendin që na keni grabitur. Mirëpo kam frikë se kjo është një wishful thinking e imja.

Në anën tjetër kemi qeverinë që ka një taktikë të sajën në lidhje me protestat të cilat në fillim i injoron, pastaj tenton të krijojë përçarje, në fazën tjetër kupton thelbin dhe në fund tërhiqet… Kryeministri Edi Rama ka “vlerësuar” protestën duke ofruar “mirëkuptimin e tij” dhe kërkoi të ulet dhe bisedojë me ta, por të rinjtë që janë shtresa vitale e shoqërisë nuk pranojnë asnjë negociatë, duke vendosur kushte të qarta. Ka mosbesim ndaj institucioneve shtetërore, apo është një revoltë që më shumë se për plotësimin e disa kërkesave është akumulim pakënaqësie?

Duhet të themi një gjë. Është e lehtë dhe e mundshme të protestosh nën qeverinë Rama. Dhe prandaj protestat më të bukura i kemi parë gjatë këtyre gjashtë viteve të fundit: protesta civile, paqësore, larg dhunës e provokimeve, pa viktima. Asnjë nuk shkon në protestë me frikën se mund ta gjejë ndonjë gjë. Dhe ky është një zhvillim i rëndësishëm. Por thënë kjo, reagimi i Ramës nuk bën më përshtypje. Ai e luajti një herë rolin e kryeministrit babaxhan që “u bë njësh” me protestuesit kundër tij (në rastin e protestës kundër armëve kimike). Dhe në atë rast “i magjepsi të gjithë”. Por historia nuk mund të përsëritet. Atëherë Rama ishte në fillimet e qeverisjes së vet, ndërsa sot ai ka gjashtë vjet që rri në zyrën e kryeministrit. Nga ana tjetër, është marrë vesh që këto qëndrime të Ramës janë shenjë e frikës, dhe jo e mirëkuptimit me protestuesit. Është bukur që ka frikë, por nuk duhet të na e shesë këtë frikë si fuqi për të mirëkuptuar protestuesit. Rama, nëse ka mend për të kuptuar se në ç’gjendje është Shqipëria sot (për faj të tij), duhet të bëjë shumë më tepër sesa kërkojnë studentët. Ai duhet të bëjë atë tronditjen që shqiptarët po e presin nga studentët. Ai duhet të ndahet nga gangot e palaçot, me të cilët po qeveris. Ai duhet t’ia heqë këtyre gangove nga duart partinë socialiste dhe qeverisjen. Ai vetë duhet të heqë dorë nga roli prej showmani mizerabël që po luan prej vitesh, me komunikimin në facebook, në televizionin idiotik ERTV, në studiot televizive të Tiranës, me dhurata që u bën njerëzve në nevojë si babagjysh i Vitit të Ri, apo në ndeshjet publike me gazetarët. Ai duhet ta hapë administratën publike ndaj njerëzve me energji e aftësi, dhe jo ta mbajë atë si pronë të militantëve partiakë. Dhe ta bëjë këtë tronditje jo nga frika e protestave, por nga nevoja dramatike që ka vendi për një shkundje të tillë. A ka ai këllqe të bëjë gjëra të tilla? A është ai i lirë të bëjë gjëra të tilla? Ai ka ai motivimin e duhur? A jeton me këtë nevojë të vendit e të shoqërisë? Nuk besoj. Mua më ngjan me një njeri me mision të mbaruar.

Parë në tërësi, cili do jetë fati i këtyre protestave në të ardhmen? Sepse krahas studentëve, ndonëse në grupime më të vogla, ka edhe shkëndija të revoltës nga qytetarë që preken nga prishja e banesave apo kërkojnë më shumë të drejta. Do ketë një tërheqje të qeverisë për kërkesat “secila të veçanta” apo kryeministri Edi Rama do nxisë ndryshim kursi në mënyrën e qeverisjes? Sepse duket që “piari”, propaganda deri në arrogancë nuk po funksionojnë më.

Protestat e tjera unë nuk do doja t’i ngatërroja me këtë protestë studentore. Ato nuk kanë të bëjnë me ndonjë revoltë qytetare. Ato janë revoltë e grupeve të veçanta, të cilat kanë mirëkuptimin tim në hallin që i ka zënë, por nuk kanë fare simpatinë time. E kam thënë në një rast tjetër se ata njerëz janë lejuar prej qeverive të ndërtojnë pa leje, dhe të ndërtojnë ëndrra mbi ato prona të tyre në harkun e më shumë se dhjetë a njëzet viteve, e në këtë kuptim është e lehtë të përfytyrohet dhembja e tyre. Por në të njëjtën kohë, kush ka ndërtuar pa leje, në kohë paqeje apo në kohë të trazuara, ai është për mua një qytetar i padenjë. Atyre mund t’u dhembë prona që po u prishet, por edhe mua si qytetar më dhemb xhepi im si taksa pagues, teksa më kërkohet që të paguaj për dëmshpërblimin e tyre. Ndërsa studentët janë ngritur në protestë për një çështje që në pamje të parë ka të bëjë vetëm me ta, por në thelb na përket të gjithëve. Edhe sikur kjo protestë të mbetet një protestë ngushtësisht studentore, ajo prapëseprapë nuk është vetëm e tyrja. Edukimi i gjeneratës së re na përket të gjithëve. Përveç kësaj, kjo protestë ka prodhuar edhe ca shpresa për një tronditje. Shpresa të tilla nuk i ngjallin dot as protestuesit e Unazës së Re, as protestuesit për taksën e Rrugës së kombit.

 

“Nuk është një lëvizje jopolitike, por jopartiake, opozita të rrijë spektatore”

Drejtori i Politiko.al Alfred Lela, protestën e studentëve nuk e konsideron si një reagim për “padrejtësitë e fundit”, por akumulim për gjithçka shkon keq në qeverisje.

Protestat e studentëve, prej katër ditësh në masivitet dhe të vendosur në plotësimin e kërkesave të tyre, a mund të konsiderohen vetëm të karakterit “plotësim kushtesh” dhe “ulje tarifash”, apo ka diçka përtej saj? A mund të ketë elemente të forta të një revolte të brendshme, që në një lloj mënyrë personifikojnë atë demonstrim që shumë qytetarë e mendojnë, por nuk janë në gjendje të grupohen?

Le të bëjmë një krahasim me xhaketëverdhët e Francës. Edhe ata dolën për ‘disa cent të naftës’ dhe pas tërheqjes së Macron premtojnë vazhdim të protestës. Çdo protestë nuk është asnjëherë vetëm një kryengritje për ‘kushtet adekuate’, të atypëratyshme, por edhe një shfrenim apo shfrim i sentimenteve sociale, të frustruara apo të grumbulluara në kohë. Dhe jo vetëm në grupin që ngrihet, por në të gjitha grupet që janë ngritur ndërkohë; pa mundur të krijojnë mpiksje apo prirje sociale. Kështu që te protesta e studentëve janë edhe protestat e Kalimashit, Zharrëzës, minatorëve, e me radhë. Ky, duhet thënë, është një vështrim sociologjik, ndërkohë që Mapo, ma merr mendja, kërkon një vëzhgim politik. Nëse është kështu protesta e studentëve është vazhdim i protestave sporadike të të rinjve universitarë ‘kundër reformës në arsim’. Ndryshimi është se ajo që dukej, nga largësia e para dy viteve e në vazhdim, si një gjë e ftohtë dhe e pajetë që quhej ‘reformë’, në vjeshtë/ dimrin e 2018 erdhi dhe u bë një gjë e ngrohtë që prek drejtpërdrejt xhepin e studentëve dhe të familjeve të tyre. Reforma është një gjë distante për të cilën protestohet në parim, ndërsa tarifa është një gjë e prekshme për të cilën protestohet në ‘flijim’. Pra, sociologjia bëhet politikë, në finalen e vet, kur parimi kthehet në tarifë.

A mund të konsiderohet si ndër lëvizjet e para jopolitike të 27 viteve të fundit kjo protestë? Edhe pse dëshira, sidomos e opozitës është që të përfshihet në kauzën e tyre, deri tani studentët kanë kërkuar që politika të jetë “jashtë” tyre. Çfarë është në vetvete kjo protestë dhe a mund të kthehet në lëvizje? Fakti që studentët dalin masivisht në protestë, pa liderë politik dhe pa flamuj partie a e bën edhe më të fortë reagimin? 

Nuk është një lëvizje jo politike, por jo partiake; në kuptimin se, megjithëse është shtyrë nga politika dhe vendimet, reformat apo ‘policy’ të saj, ajo nuk ka shtysa partiake. Sepse ky është kuptimi që ne në Shqipëri i japim ‘politikës’, çdo gjë që lidhet me një parti a tjetrën; jo vetëm i japim, ashtu është në fakt. Kështu që, po, është një lëvizje apartiake. Një gjë e sigurt ama, është se protesta e studentëve është lëvizja e parë kreative në Shqipëri. Kreativitetin e kam parë, jo vetëm te tubimi gjenuin, por edhe te pankartat. Ndoshta që nga lëvizja e ‘68-ës në Francë nuk janë parë parulla të tilla kaq të bukura dhe kaq krijuese. Ato ngërthenin në vetvete triumfin e brezit të ri mbi një brez të mplakur politik, pedagogjik apo krijues. Thënë më saktë një fyerje, me anë të shfryrjes, të elitave të vendit. Bëni një krahasim me mitingjet e partive kryesore politike. Çfarë hendeku i stërmadh! Asnjë prej sloganeve që kanë qarkulluar, përjashto vitet e para ‘90-91-92 nuk e kanë mishëruar shpirtin e kohës dhe as të popullit si këto të protestës së Dhjetorit ’18. Politika është sofistikuar duke u shteruar. Pankartat, apo sloganet, i kalojnë tangent asaj që quhet ‘gjendje sociale’. Nuk e fotografojnë, por e snobojnë atë; duke kopjuar si majmunë nga fushata të huaja dhe agjentë të huaj të piarit. Opozita e para, duhet të nxjerrë një leksion nga protesta e studentëve dhe të mësojë prej saj komunikimin publik. Ta grisë njëherë e mirë broshurën e komunikimit ala ‘Vizon 2000’ të cilin e përçojnë për publikun gazetarë mediokër dhe të palexuar, që mbajnë si majë të suksesit punët nën logostilet ‘ç’e dum Parisin e Londrën tuj pasë Shijak e Kavajë”. Stil, kreativitet, gjenuinitet, lirshmëri, ja çfarë kishte në protestën studentore. Gjithë çfarë mungon në atelienë komunikative të politikës, dukshëm të njërit krah. Në fakt, kreativiteti lidhet edhe me mospërzierjen e politikës. Mendojini si do mediokrizoheshin pankartat studentore nëse në hartimin e tyre do futeshin turinj politikë. Mosnjohja do ia zinte vendin ndjesisë. Vetëkënaqësia lirshmërisë. Mendoni pak personazhet politikë, si p.sh. S., D., N., V., që do të futeshin mes asaj turme të bukur: do të ngjanin si osmanët e parë që hodhën hapin e tmerrit në brendësi të kishës së Shën Sofisë kur turqit pushtuan Kostandinopojën. Kësaj here opozita fiton vetëm si spektatore, jo si lojtare. Të rrijë larg për të mirën e vet dhe të gjësë që po ngjizet. Këtë ka bërë në fakt dhe kjo është një ndër ato gjëra që ka bërë mirë.

Në anën tjetër kemi qeverinë që ka një taktikë të sajën në lidhje me protestat të cilat në fillim i injoron, pastaj tenton të krijojë përçarje, në fazën tjetër kupton thelbin dhe në fund tërhiqet… Kryeministri Edi Rama ka “vlerësuar” protestën duke ofruar “mirëkuptimin e tij” dhe kërkoi të ulet dhe bisedojë me ta, port ë rinjtë që janë shtresa vitale e shoqërisë nuk pranojnë asnjë negociatë, duke vendosur kushte të qarta. Ka mosbesim ndaj institucioneve shtetërore, apo është një revoltë që më shumë se për plotësimin e disa kërkesave është akumulim pakënaqësie?

Keni të drejtë kur e cilësoni taktikë. Meqë po i jap këto mendime për Mapon, duke kërkuar ndjesë për vetëreferimin, po citoj një editorial të kahershëm, viti 2013 besoj, botuar në gazetën tuaj, thelbi i të cilit ishte ‘Rama në fillim bën aksionin, pastaj planin’. Eshtë një lloj blitzkrieg-u me përmasë artistike, me rrënjë ndoshta te Neroni, që Kryeministri ynë (pastë ymrin!), ia lejon vetes. Ma merr mendja, edhe me një këndellje që i del nga shpirti. Si çdokujt që e di veten Artist të Popullit. Kështu edhe këtë herë: Rama e ka filluar aksionin pa e patur planin, me mendimin se koniunkturat dhe rrethanat do ta hartojnë vetë atë. Rama nuk e vuan këtë sepse ai shijon, me sa duket, po aq shumë edhe procesin e tërheqjes së litarit ku futet, në këtë rast me studentët. Mbani mend se në një reklamë të famshme fushate ai këtë bënte: tërhiqte litar me diellin në anën e kundërt. Duhet ta kuptoni fantazmagorinë e këtij spektakli që vetëm psikika e tij mund ta çlirojë. Kështu që pas lëshimeve që do u bëjë studentëve, ai do të dalë me pamjen e liberatorit që e kupton shtrëngesën e popullit të vet dhe lëshon pe në favor të tij.

E parë në tërësi, cili do jetë fati i këtyre protestave në të ardhmen? Sepse krahas studentëve, ndonëse në grupime më të vogla, ka edhe shkëndija të revoltës nga qytetarë që preken nga prishja e banesave apo kërkojnë më shumë të drejta. Do ketë një tërheqje të qeverisë për kërkesat “secila të veçanta” apo kryeministri Edi Rama do nxisë ndryshim kursi në mënyrën e qeverisjes? Sepse duket që “piari”, propaganda deri në arrogancë nuk po funksionojnë më.

Keqkuptimi i Ramës dhe i të tijve është se kujtojnë se piari permanent, që funksionoi për Tony Blair dhe Laburistët e tij në Britani, një vend me tradita të common law dhe Magna carta-s, mund të bëjë punë në një vend që ka pasur fjalinë e parë në shqip të shkruar nja 200 vjet më vonë. Në mes të ‘atëherë’ dhe ‘tani’ Shqipërisë i rrinë mbi shpinë edhe pushtimi osman dhe kolera e komunizmit. Dua të them se, me piar blerian nuk mbahen ‘malet me blerim (artificial) mbuluar’ të një Shqipërie që para Ramës nuk ka patur Thatcher-in ne krye, dhe para Berishës jo John Major-in, por Ramiz Alinë e Enver Hoxhës. Protestat e së ardhmes do të jenë reagimi i popullatës ndaj një mazhorance që nuk qeveris por menaxhon krizat dhe, nëpër mjegullën e krizave, si një ujk, i ngul dhëmbët në qafë presë së gjësë publike. Protestat e së ardhmes do të jenë mbushja e kupës me arrogancën që aktron Kryeministri kur i quan studentët ‘ngelsa’ dhe pastaj ‘dialogues’. Protestat e së ardhmes do të jenë përpjekje për dalje nga Monologjet e Penisit, që Kryeministri aktron përditë në ERTV dhe në telenovelat me valë të gjata që ia hapin përditë bosët e Shqipërisë së padronëve që nuk e njohin fare Shqipërinë e atyre studentëve që protestojnë.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Tatuazhi në dorën e Pavllo Mihalit

Nga Julian Kasapi Në vitin 2016 gjykata londineze dënoi me burgim të...
Read More