A rrezikon Edi Rama të mbetet reformator përgjysmë?

Nga Ervis Iljazaj

Në intervistën që Kryeministri dha për gazetaren Eni Vasili, në emisionin Studio e hapur, kishte pritshmëri të madhe nga ana e opinionit publik, për shkak të shumë çështjeve që presin përgjigje nga qeveria.

Në fund të emisionit, me gjithë përpjekjen e gazetares për të marrë nga Kryeministri përgjigjet e nevojshme, asgjë thelbësore nuk ngeli nga ajo intervistë. U fol për shumëçka, por shumë pak për çështjet thelbësore.

Me mjeshtërinë që e karakterizon, Edi Rama e futi bisedën në terrenin e tij të strategjisë komunikative, dhe në këtë mënyrë u shmangën shumë përgjigje, duke filluar që nga çështja Tahiri e deri te çështjet ekonomike.

Për shembull, Kryeministri nuk foli për asnjë nga reformat të cilat me të drejtë janë nisur nga qeveria e tij, por deri më tani duket sikur janë stopuar, dhe nuk kuptohet se përse.

Në mandatin e tij të parë, Edi Rama ndërmori një sërë reformash të domosdoshme për vendin. Reforma, që për shumë arsye mund të kishin dhe kosto elektorale, por ishte momenti i duhur për t’i ndërmarrë. Mjafton këtu të përmendin formalizimin e ekonomisë, tregun e sektorit të energjisë apo ndalimin e ndërtimeve pa leje, të cilat ishin për shumë arsye jo të mbështetura nga një pjesë e madhe e shoqërisë për shkak të mungesës të humanizmit, por që ishin të domosdoshme dhe efektin e tyre pozitiv e kanë dhënë që tani.

Në këtë kuptim, u tregua një kurajë politike, që është e vetmja mënyrë për të ndërmarrë reforma të tilla.

Kurajë e cila, në mandatin e dytë duket sikur po mungon. Duket sikur në filozofinë politike të këtij mandati nuk janë më reformat, por bashkëqeverisja me popullin. Një instrument më se populist dhe jo i duhur për të çuar përpara sfidat e Shqipërisë. Duket sikur ka një kthesë në mënyrën e qeverisjes në mandatin e dytë të Edi Ramës. Një kthesë e cila po vë në rrezik të gjitha reformat që u ndërmorën në mandatin e parë dhe që duhet të vazhdonin edhe më me shumë insistim në këtë mandat.

Qeveria Rama dy, e filloi këtë mandat duke patur si qëllim reformën administrative. Një ogur i mirë në këtë drejtim ishte reduktimi i numrit të ministrave dhe agjencive administrative. Megjithatë reduktimi i tyre nuk kthen medoemos administratën efikase për nevojat e biznesit dhe qytetarëve shqiptarë. Edhe kjo reformë është e lënë pezull. Nëse nuk ka vullnet për ta çuar deri në fund atë dhe shpejt, do të ishte më mirë që mos të fillonte fare. Sepse kostoja e një administrate e cila vonon në reformimin e saj është më e madhe se një administratë që është e pareformuar. Kostoja po ndihet që tani, duke qenë se shërbimet janë të paqarta në drejtim të ekonomisë për shkak se administrata është duke u transformuar me një ritëm të ngadaltë dhe të rrezikshëm.

Por reforma administrative nuk është e vetmja që është në tavolinën e qeverisë Rama Dy. Gjithashtu, reforma në arsim ende nuk po merr drejtimin e duhur. Megjithatë, kryereforma e këtij vendi, mbetet ajo në drejtësi. Edhe ajo duket sikur ka një pezullim për shkak të mungesës së vullnetit të politikës.

Për të gjitha këto arsye, Edi Rama rrezikon që të gjitha reformat që inicioi me të drejtë, të ngelen përgjysmë. Nëse një gjë e tillë vërtetohet, atëherë dhe suksesi i tij politik në historinë shqiptare është në pikëpyetje, pasi e vetmja meritë e Kryeministrit Rama do të ishte të mbahej mend si reformator i plotë dhe jo përgjysmë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Akademia e Shkencave: Njeriu që po i jep fund modelit sovjetik

Nga viti 1972 kur u krijua Akademia e Shkencave, momentet më goditëse...
Read More