A votoj për lumturinë?

Kushtuar të ndjerit Gëzim Qëndros që më infektoi me pasionin e tij për artin e realizmit socialist

Nga Konstantinos Giakoumis

Data e veprës së artit luan një rol thelbësor në perceptimin tonë për shkak të përmbajtjes së saj zgjedhore. Piktura me titull “Unë Votoj për Lumturinë” nga Vladimir Poreçi (Fig. 1) duhet të jetë bërë me rastin e 45-vjetorit të themelimit të partisë komuniste shqiptare. Ajo u realizua një vit pas vdekjes së Enver Hoxhës (11 prill 1985), një vit përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 1987 në Shqipëri, që u mbajtën më 1 shkurt dhe ndoshta u frymëzua nga zgjedhjet e vitit 1982 që ndodhën në 14 nëntor.

Piktura paraqet një nuse në këmbë gjatë procesit të votimit. Gruaja e re është e veshur me një fustan nuseje. Flokët e saj kaçurrela janë të lidhura me një shirit të bardhë të fabrikuar, të zbukuruar me luledele dhe mban një vello tyli që mbulon pjesën e prapme të kokës deri poshtë shpatullave të saj. Ajo ka një palë vathë imitim perlash në formë pike loti të lidhur me kapëse me zinxhirë të hollë të artë dhe një varëse ari përqark në formën e një biskote. Ajo ka veshur një fustan elegant të bardhë dhe krahët i ka të mbuluara me copë të ngjashëm me tyl e cila përputhet me vellon e saj. Ajo qëndron ëmbël përballë kutisë së votimit dhe duket se është e zhytur në mendime nga përqendrimi për hedhjen e votës së saj. Bizhutë (stolitë) e nuses së re janë mjaft tipike për vitet 1980 siç është dhe makijazhi, buzëkuq në ngjyrë të kuq dhe manikyr në ngjyrë rozë. Sfondi i pikturës është i kursyer. Një sfond i rrafshët rozë tregon se gruaja sapo ka dalë nga qendra e votimit për të hedhur votën e saj në kutinë e kuqe të votimit, e cila gjendet majtas në pjesën e poshtme të pikturës. Pjesa më e ulët qendrore në të majtë të pikturës, prapa kutisë së votimit, është e zënë nga një bimë.

Bima, e cila hapi rrugën për përfshirjen e kësaj vepre arti në ekspozitë, është identifikuar si asparagu Sprenger. Megjithëse duket paksa e butë në distancë, në të vërtetë aspargu Sprenger është një bimë e drunjtë me gjelbërim të përhershëm, degët e së cilës, në pikturën tonë, zvarriten drejt kutisë së votimit. Bima mbart gjemba të vegjël në formë kazme përgjatë degëve të saj, ndërsa degëzime që i ngjajnë gjembave grupohen në nyje. Bima lulëzon në pranverë; lulet e saj të vogla janë të bardha ose rozë e çelur dhe shumë aromatike. Fara e saj është fillimisht e gjelbër, por pastaj kthehet në të kuqe të shndritshme gjatë verës. Ajo mbart tri fara për frutë dhe në këtë mënyrë është tërheqëse për zogjtë, të cilët ndihmojnë në shpërndarjen masive të farës së asparagut.

Artisti, Vladimir Poreçi (+ 2015), ishte me origjinë nga qyteti i Pogradecit. Ka studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë në fund të viteve 1970 dhe ka punuar si restaurator në Muzeun e Artit Mesjetar të Korçës. Paralelisht, ka punuar gjithashtu si piktor dhe ka marrë pjesë në ekspozita lokale dhe kombëtare. Pas vitit 1991 ai emigroi në Volos, Greqi, ku praktikoi ikonografinë duke vazhduar një traditë shekullore të artistëve nga rajoni më i gjerë i Korçës, si Vangjel Zengo dhe vëllezërit e tij nga Dardha, që punuan mjaft kohë në Volos dhe Almyros në vitet 1920-të. Disa nga veprat e tij janë ekspozuar në Galerinë e Arteve “Guri Madhi” si dhe në Galerinë e Arteve të qytetit.

Ndërsa subjekti (tematika) i veprës është lehtësisht i kuptueshëm, interpretimi i saj është i vështirë. Pjesa intriguese e interpretimit të veprës vërtitet rreth tri çështjeve të ndërlidhura:

  1. Pse u zgjodh një nuse si votuese?
  2. Pse ajo shfaqet aq e zhytur në mendime sa të duket gati e trishtuar?
  3. Pse ishte zgjedhur të përdorej një asparag Sprenger në pikturë?

Për shkak se nuk mund të bëhen sugjerime përfundimtare në këtë fazë të hulumtimit, duhet të mjaftohemi me reflektimet e dukshme. Ekzistenca e një nuseje votuese mund të ketë nënkuptim të mirëfilltë. Meqenëse zgjedhjet zhvilloheshin të dielave, dasma mund të ishte planifikuar po të njëjtën ditë, gjë që nuk e përjashtonte nusen nga votimi, pasi pjesëmarrja në zgjedhje qe raportuar në masën 100%. Një nuse gjithashtu mund të shihet si një simbol i një jete të re dhe një elementi shoqëror, simbol i një familjeje të re dhe në këtë mënyrë mund të lidhet me zgjedhjet përmes titullit të veprës së artit: zgjedhjet, shënonin një fillim të ri, një jetë të re lumturie.

Sipas estetikës së hershme komuniste, paraqitja e nuses mund të shihej si manifestim borgjezie të vogël; lejimi i tij mund të sinjalizojë një frymë ndryshimi dhe shkëputjeje graduale të rrymës konservative në modë, pasi shteti komunist gradualisht humbi kontrollin e fortë mbi subjektet e tij. Nëse kjo është çështja, si mundet dikush të interpretojë pamjen e mendueshme, madje dhe të hidhëruar të nuses, në një kohë kur ajo pritej të ishte e lumtur dhe të rrezatonte lumturinë e saj? Votimi i saj vetëm është ndoshta një tregues i një shkalle të emancipimit, duke qenë se emancipimi i gruas është një diskurs shumë i njohur komunist, dhe kështu përjashton mundësinë e martesës së saj me pahir, e cila mund të kishte shpjeguar fytyrën e trishtuar. Mos vallë është thjesht shumë e përqendruar në vlerën simbolike e ushtrimit të së drejtës së saj për të votuar? Ose pamja e saj synon të përfaqësojë një kontrast të zjarrtë emocional mes një bote të jashtme lumturie (në të cilën një nuse duhet të duket e bukur dhe një qytetare femër që ushtron të drejtën e votës) dhe një botë të brendshme pikëlluese në kuptimin që, në kohët e vetizolimit të ashpër, asnjëri prej këtyre llojeve të lumturisë nuk mund të garantohej më nga shteti i Shqipërisë? Sidoqoftë, duhet të theksohet se dasmat konsideroheshin si raste të gëzueshme, pavarësisht se nuset shqiptare shfaqnin emocione në dukje të kundërta: lumturi dhe ngazëllim për fillimin e një jete të re, por edhe brengën për largimin nga shtëpia e saj.

Me fjalë të tjera, nuset me pamje të ngrysur ishin mjaft të zakonshme në Shqipërinë e para viteve 1990, një zakon që i paraprin periudhës komuniste. E fundit, pse u zgjodh një bimë që në dukje është e butë, por në të vërtetë është e drunjtë, gjembaçe dhe agresivisht invazive para kutisë së votimit? Mos vallë qe zgjedhur për natyrën e tij të gjelbërimit të përhershëm, për lulet e bukura dhe aromatike që parashikohej të lulëzonin, ashtu siç pritej nusja të riprodhonte dhe shteti të përparonte pas zgjedhjeve? Ose mos vallë gjembat dhe natyra pushtuese përshtatet me gjendjen emocionale të nuses dhe madje edhe me gjendjen e shtetit, një situatë e cila disa vite më vonë do ta detyronte artistin të largohej nga vendi i tij?

Nuk kam asnjë dyshim se nomenklatura komuniste mund ta ketë interpretuar veprën e artit në mënyrën më të përshtatshme sipas linjës së Partisë: një nuse e bukur, e cila është e angazhuar fuqimisht ndaj detyrimeve të saj civile, madje edhe në ditën më të lumtur të jetës së saj, duke kontribuar kështu në lumturinë e së ardhmes dhe në mirëqenien e shoqërisë. Me fjalë të tjera, një model për të rinjtë e grupmoshës së saj (18-30 vjeç), e cila në të dy zgjedhjet e vitit 1982 dhe 1987 zgjodhi dymbëdhjetë deputete në Parlament. Megjithatë, pothuajse tri dekada pas rënies së regjimit komunist të Shqipërisë, dikush mund të ngrejë jo pa arsye pyetje të heterodoksisë artistike apo edhe të disidencës duke rishqyrtuar këtë pikturë të harruar për së gjati.

* Universiteti Europian i Tiranës. Ekstrakt nga katalogu i ekspozitës “Bimësia në Arte dhe Artefakte të Rajonit të Korçës (Shek. XII Para Kr. – Shek. XX p.Kr.)”. Ekspozita do të inaugurohet në Shtëpinë e Flamurit, Korçë, ditën e mërkurë, dt. 30.05.2018, ora 11.00.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

MAPO shpall Donald Lu njeriun e vitit, ja motivacioni

“Amerikani i hekurt ” në Tiranë, i cili nuk u zmbraps para...
Read More