Abuzimet me fondin e emergjencave, nën akuzë ish-kryebashkiaku i Krujës

Shkelzen HoxhaProkuroria thotë se ish-kryetari i Bashkisë në bashkëpunim me administratorin e një subjekti privat kanë vjedhur paratë e fondit të emergjencave të akorduar për rehabilitimin e një përroi që kishte shkaktuar përmbytje në qytet. Por punimet në terren rezultuan me vlera tepër të vogla në krahasim me fondin e akorduar

Ish-kryetari i Bashkisë Krujë, administratori i një kompanie private dhe katër ish-zyrtarë të kësaj bashkie janë dërguar si të pandehur në Gjykatë për akuzat e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën dhe falsifikim dokumentesh.

Sipas prokurorisë nën akuzë është vënë ish-kryebashkiaku i Krujës deri në vitin 2015, Shkëlzen Hoxha, i akuzuar për veprën penale të “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”.

Me të njëjtën akuzë, Prokuroria ngarkon edhe administratorin e kompanisë “Regli” shpk, Njazi Prençi.

Së bashku me ta, Prokuroria akuzon për veprat penale të “falsifikimit të dokumenteve” dhe “shpërdorimit të detyrës” edhe ish-zyrtarët e Bashkisë Krujë, Xhuma Roshi, Indrit Fida dhe Spartak Shehu.

Ndërkohë që është vendosur sekuestro preventive mbi të gjithë asetet e kompanisë “Regli”.

“Të gjithë këta persona akuzohen se kanë abuzuar me fondin e emergjencës, i cili u është akorduar për “Sistemimin e përroit, lagjia nr.1, Ura e Madhe-Krujë, me vlerë 20.5 milionë lekë me TVSH,” tha Prokuroria e Përgjithshme në një njoftim për shtyp të premten.

Prokuroria ka nisur hetimin në bazë të një kallëzimi të Bashkisë Krujë, të dorëzuar në fund të vitit 2015.

Nga hetimi i Prokurorisë së Krujës ka rezultuar se, vlera në terren e investimit në këtë projekt është shumë më e vogël, duke arritur në konkluzionin se paratë e akorduara për këtë punë publike janë vjedhur nga zyrtarët e vënë nën akuzë.

“Nga hetimi i Prokurorisë së Krujës ka rezultuar se, vlera në terren e investimit në këtë projekt është shumë më e vogël, duke arritur në konkluzionin se ish-kryetari i Bashkisë dhe administratori i kompanisë që fitoi procedurën e prokurimit, kanë vjedhur mbi 8 milionë lekë të reja,” shtoi organi i akuzës.

Sipas Prokurorisë bashkia Krujë e ka konstatuar problematikën në terren, pas ankesave të qytetarëve të ndryshëm.

Në pranverën e vitit 2015, pak para zgjedhjeve lokale, bashkisë Krujë iu akordua fond emergjence nga ana e Ministrisë së Brendshme për sistemimin e përroit, me qëllim shmangien e përmbytjeve, pasi në dimrin e vitit 2014 zona Ura e Madhe-Krujë u përmbyt nga shirat e shumtë.

Por, edhe pas sistemimit, situata e përmbytjeve nuk ishte shmangur dhe kjo u evidentua në dimrin e vitit 2015, kur zona u përmbyt sërish.

Pas padisë së bashkisë Krujë në Prokurori, në bazë të veprimeve proceduriale rezultoi se, ish-kryetari i Bashkisë, Shkëlzen Hoxha, në mars 2015 ka njoftuar 5 firma për të marrë pjesë në procedurën e prokurimit për sistemimin e përroit.

Nga shqyrtimi i procedurave, rezultoi se 2 prej 5 kompanive të ftuara, nuk i ishte bërë i ditur afati i dorëzimit të dokumentacionit. Këto dy kompani nuk morën pjesë në tender, për shkak të mungesës së dijenisë për datën.

Ndërkohë, nga 3 kompanitë e tjera, u shpall fituese “Regli” shpk”.

“Sistemimi i përroit ishte parashikuar të përfundonte brenda dy muajve, pikërisht në Maj 2015. Por, rezulton se ai është përfunduar dhe marrë në dorëzim në 24 qershor 2015, një ditë pas zgjedhjeve lokale, në të cilat Shkëlzen Hoxha rezultoi humbës,” thotë Prokuroria.

“Projekti, i cili sipas dokumentacionit të nënshkruar nga ish-kryebashkiaku, ishte përfunduar brenda parametrave, rezultoi më pas nga hetimi i Prokurorisë se kishte mangësi të theksuara, shmangie nga projekti fillestar dhe ulje të ndjeshme të kostove të parashikuara,” përfundoi Prokuroria.

Të pandehur:

Shkëlzen Hoxha, ish-kryetar i Bashkisë Krujë, për “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”;

Njazi Prenci, administrator i “Regli” shpk”, për “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”;

Subjekti “Regli shpk”, për “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”

Spartak Shehu, kolaudator, i akuzuar për “Falsifikim dokumentesh”;

Indrit Fida, ish-zyrtar i Bashkisë Krujë, i akuzuar për “Shpërdorim detyre”;

Xhuma Shoshi, ish-zyrtar i Bashkisë Krujë, akuzuar për “Shpërdorim detyre”.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Çfarë bisedoi Esat Pasha me presidentin amerikan Wilson

Një libër biografik prej 570 faqesh për Esat pashë Toptanin, botim i...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.