Adela Danaj: UET ALUMNI drejt ndërkombëtarizimit

 

Drejtuesja e UET Alumni pranë Universitetit Europian të Tiranës, Adela Danaj, tregon se cilat janë programet dhe çfarë përmban portofoli i UET Alumni. Ndër shumë nismat dhe aktivitetet ku kjo njësi është e përfshirë më e rëndësishmja duket ndërkombëtarizimi i këtij rrjeti të ish-studentëve, ku përveç mundësisë së shkëmbimeve studentore në kuadër të bashkëpunimeve me universitetet më të mirë në Europë, do të ketë mundësi konkrete edhe për praktika pune

UET Alumni është një ndër sfidat e reja të Universitetit Europian të Tiranës. Drejtuesja e UET Alumni pranë Universitetit Europian të Tiranës, Adela Danaj, tregon se cilat janë programet dhe çfarë përmban portofoli i UET Alumni. Ajo shprehet se kjo është një sfidë e re jo vetëm për të, por dhe për institucionin ku ajo punon. Kjo, sepse Alumni nuk është një kulturë e njohur në Shqipëri. Danaj zbulon më shumë rreth strategjisë së re të UET Alumni.

“Në dhjetë vite UET jemi krenarë të pohojmë se bashkësia e të diplomuarve aktualisht numëron rreth 16.000 UET Alumni. Unë kam fatin e madh të kem kontakt të përditshëm në auditor dhe me studentët aktualë të UET, tek të cilët përpiqem të përcjell frymën e bashkëpunimit” – ka rrëfyer Danaj, ndërsa zbulon se Zyra të cilën ajo drejton është duke punuar për realizimin e disa programeve.

“Një ndër iniciativat e UET Alumni është identifikimi i 100 studentëve më të mirë ndër vite në UET. Momentalisht, ka përfunduar procesi i identifikimit të #100mëtëmirët dhe në bashkëpunim me Zyrën e Marrëdhënieve me Publikun po hartojmë një profil profesional për secilin prej tyre”.

Ndërsa një tjetër program është ai i Javës Filantropike. Ky aktivitet do të mbledhë rreth saj, UET Alumni, studentë aktualë në UET, profesorë, përfaqësues të elitës drejtuese të Universitetit si dhe politikëbërës. “Qëllimi është sa i thjeshtë, aq edhe fisnik. Ne, do të përpiqemi të japim kontributin tonë për të gjithë ata studentë, të cilët kanë nevojë për mbështetje financiare gjatë studimeve të tyre” –zbulon më tej Danaj.

Në politikat dhe filozofinë e UET është e njohur praktika e ofrimit të bursave të studimit për studentët me nevoja të veçanta, siç është Bursa Pashko apo bursat Sociale.

“Ne do përpiqemi dhe po punojmë ta çojmë më tej këtë frymë duke nxitur bashkëpunimin midis komunitetit të UET Alumni. Në fakt, në Javën Filantropike rol thelbësor kanë studentët aktualë të UET, të cilëve u jam shumë mirënjohëse për gatishmërinë që kanë treguar. Megjithatë, detajet kam dëshirë t’i zbuloj një moment të dytë. Objektivi ynë kryesor është kultivimi i frymës së bashkëpunimit me qëllim forcimin e rrjetit dhe zhvillimin e ndjesisë së përkatësisë në Rrjetin UET Alumni. Kjo është shumë e rëndësishme për suksesin e UET Alumni”.

Një nga veprimtaritë e afërme është ai që do të zhvillohet këtë muaj, i titulluar “ UET Alumni Talk”, i cili konsiston në shkëmbimin e eksperiencave midis ish –studentëve dhe atyre që aktualisht studiojnë në Universitetin Europian të Tiranës.

“Ne synojmë të sjellim disa histori suksesi të ish-studentëve tanë, të cilët momentalisht janë duke dhënë kontributin e tyre në shoqëri dhe në pozicionet ku ata punojnë. Të përzgjedhurit do të zhvillojnë disa orë leksioni të hapura me studentët e UET, ku do të tregojnë jo vetëm eksperiencat e tyre por dhe se si ata u gjendën në tregun e punës pas përfundimit të studimeve në UET”.

Rrjeti i ish-studentëve të Universitetit Europian, siç zbulon më tej Adela Danaj, duket se synon t’i kalojë kufijtë.

“Universiteti Europian i Tiranës prej disa kohësh është bërë pjesë e programeve të ndryshme duke krijuar bashkëpunim me universitetet lider në Evropë. Ajo, që UET Alumni synon të ndërtojë, është nxitja e bashkëpunimit midis njësive Alumni të këtyre universiteteve dhe UET Alumni. Ky bashkëpunim ndihmon jo vetëm në zgjerimin e rrjetit, por gjithashtu, do të thotë më shumë mundësi për të gjithë të diplomuarit në UET.”

Nëpërmjet shkëmbimeve, studentët apo Alumni-t, do të kenë mundësi, jo vetëm të studiojnë në këta universitete – siç është edhe duke ndodhur në kuadër të partneriteteve që UET ka krijuar, por do të njihen me mundësi të reja punësimi apo praktika pune.

“Ndaj, ndërkombëtarizimi i UET Alumni është një ndër objektivat kryesore të portofolin tonë. Puna ka nisur dhe bashkëpunimet e para kanë filluar. Qëllimi ynë, është që ky projekt të formalizohet dhe konkretizohet brenda 3 viteve të ardhshme. Sigurisht është një rrugë e gjatë dhe thuajse e panjohur për ne,” përfundon Danaj, ndërsa falënderon të gjithë ata ish-studentë që vijojnë t’i mbajnë lidhjet e forta me Universitetin Europian të Tiranës, pa ngurruar të ofrojnë sa herë u kërkohet, kontributin e tyre.

 
Shkruar Nga
More from Redaksia

Tahiri akuzon ashpër Xhafajn, reagimet …

  “Nuk ia heq asnjë presje atyre që kam thënë deri tani”, –...
Read More