Administrata – shteti vs. pushteti

Nga Dr. Mirela Oktrova

Nisma aktuale qeverisëse me fokus administratën publike ka ribërë të pranishme mëdyshjet për standardet, funksionin dhe efektivitetin e saj. Fakt është, se aksesi agresiv i partive politike dhe shpërfillja brutale e standardeve të punësimit në administratë i ka lënë analizat kritike shpesh shterpë dhe ka degraduar shumë strategji në demagogji. Përvoja e shmangieve kronike dhe trysnia vijuese e interesave kërkon për këtë arsye, që shpërfillja kronike e standardeve të punësimit të korrigjohet jo me arbitraritet, por me procedura të bazuara në ligj dhe kompetencë profesionale, me qëllim rritjen e performancës dhe forcimin e pavarësisë së administratës.

Administrata publike paraqet në vetvete një aparat organizativo-profesional, që i shërben me paanësi interesit publik, duke zbatuar legjislacionin, kryer shërbimet publike dhe hartuar/zbatuar politikat shtetërore. Ajo organizohet sipas parimeve: të hierarkisë ose detyrimit për raportim; të llogaridhënies ose mbikëqyrjes nga eprori; të dekoncentrimit ose afërsisë me qytetarët; të qartësisë ose transparencës; të ekonomizimit të burimeve; të efektivitetit në arritjen e objektivave si edhe të bashkëpunimit brenda dhe jashtë saj. Si ndërmjetëse midis qeverisë, shoqërisë civile, sektorit privat dhe qytetarëve, administrata publike i shërben kohezionit social dhe besimit të qytetarëve te shteti. Besueshmëria e saj buron nga roli që luan si “mbrojtje kushtetuese dhe ligjore e interesit publik edhe kur ai nuk përputhet me interesin koniunktural të pushtetit”.

Garancitë kushtetuese i jep rendi demokratik dhe standardi i tij i pushtetit të përkohshëm. Këtej lind nevoja e garantimit të funksionimit të shtetit, bazuar në ligj, ekspertizë, performancë dhe zhvillim të qëndrueshëm, si një faktor me veprim ekuilibrues afatgjatë përtej ngjyrimeve politike të pushtetit. Në kushtet e rotacionit, administrata garanton stabilitet social, zhvillim të qëndrueshëm dhe kalim rezultatesh nga një qeverisje te tjetra. Për administratën publike interesi publik prevalon ndaj çdo koniunkture, përfshirë dhe atë politike. Në këtë kuptim, mirëfunksionimi i saj është i lidhur me zbatimin e disa detyrimeve, si:

Së pari, detyrimi për besnikëri kushtetuese, i cili nis por nuk përfundon me respektimin e ligjit. Ky detyrim imponon certifikimin paraprak të garancive, që çdo nëpunës civil ofron për angazhim në përputhje me standardet demokratike dhe parimet kushtetuese, përfshirë verifikimin e figurës dhe të së shkuarës. Po respektimi i ligjit dhe kushtetutës nuk do të thotë bindje e verbër. Nëpunësi civil duhet të ketë domosdoshmërisht të drejtë të ushtrojë kritikë – sa kohë nuk cenohen parimet themelore të demokracisë – pasi kjo i vlen pavarësisë politike të administratës.

Së dyti, detyrimi kushtetues për paanësi. Mbajtësi i një detyre në administratë ka për detyrë të ruajë një distancë të shëndetshme ndaj konflikteve sociale, politike dhe fetare. Baza kushtetuese e kësaj paanësie është detyrimi i shtetit për të qenë në shërbim të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve pavarësisht nga interesat e ndryshme politike, fetare dhe sociale. Në rrethanat aktuale ndërkombëtare ky detyrim merr karakter gjithnjë e më të fortë ideologjik dhe fetar, duke u paraqitur si paanësi ideologjike dhe fetare. Kjo ka të bëjë me ndalimin e çdo lloj qëndrimi, komenti, propagande personale dhe familjare dhe çdo lloj shprehjeje të parapëlqimit publik lidhur me ideologjinë apo pjesëtarët e një komuniteti të caktuar.

Së treti, detyrimi për respektimin e të drejtave të njeriut sipas konventave të OKB-së dhe standardeve të demokracisë europiane në kuadrin e integrimit europian. Në demokracitë e zhvilluara, ky detyrim nuk lidhet patjetër me verifikim të nëpunësve të administratës lokale dhe qendrore për shkallën e njohjes së konventave të OKB-së dhe qëndrimin e tyre ndaj shtresave të margjinalizuara të shoqërisë. Po në shoqërinë tonë kjo është e këshillueshme të aplikohet, për shkak të formimit problematik, statistikave të larta të dhunës në familje dhe numrit të punonjësve të administratës qendrore dhe lokale, të implikuar në të.

Së katërti, detyrimi për pavarësi politike. Si “pushtet i ndërmjetëm” administrata ka nevojë për garanci ligjore dhe administrative ose për kode dhe procedura të mirëpërcaktuara që garantojnë pavarësinë politike të vendimmarrjes. Në shkencat politike, legjislacionin dhe praktikën politike evropiane është ndërkohë e sanksionuar, se “vetëm kur është i pavarur nga pushteti dhe konfliktimi eventual me pushtetin nuk përbën kërcënim për jetën e nëpunësit dhe familjes së tij, ai është realisht në gjendje të këmbëngulë në zbatimin ligjor të detyrës së tij edhe në rast se partia apo grupimi i tij politik do të pretendonte dhe kërkonte prej tij diçka tjetër.

Po pavarësisht të gjitha detyrimeve të mësipërme, kryerja e detyrës me profesionalizëm dhe standarde të larta demokratike kërkon, që të punësuarit në administratën publike të jenë personalitete të pavarura, të afta për vlerësim kritik, nisur nga interesi publik. Por që kjo të funksionojë si detyrim, kontingjenti i punësuar në administratë duhet të ketë kulturë dhe performancë profesionale, që të mund t’ia dalë të jetë edhe besnik ndaj kushtetutës, edhe i pavarur ndaj trendeve ideologjike apo praktikave politike. Është e vërtetë, se pavarësisht përkatësisë apo simpatisë ndaj një subjekti, një numër jo i vogël nëpunësish nuk e konsideron veten zgjatim të krahut të partisë. Po fati i këtij modeli gjithsesi sporadik nuk mund të mbetet në mëshirën e vendimit personal apo ndërgjegjes individuale.

Shndërrimi i modelit në standard kërkon t’i jepet fund ndërhyrjes së drejtpërdrejtë, të rregullt dhe të vazhdueshme të politikës në shpërndarje postesh, emërime, ngritje në detyrë apo transferime preferenciale si edhe praktikës së manipulimit dhe poshtërimit të administratës publike.

Reformat apo nismat për modernizimin e administratës publike duhet të garantojnë asetin e pavarësisë dhe paanësisë!

Vetëm atëherë pushteti mbase do të pushojë së shkatërruari shtetin!

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Busti i Skënderbeut në Hungari do të ndryshohet

“Është vetëm maket, do të pësojë ndryshime e do të marrë tiparet...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.