Agolli: Heqja e imunitetit të Hajdarit është heqja e një cope nderi të Kuvendit

Fjalimi i ndjerë i patriarkut të socialistëve në seancën për heqjen e imuniteti të liderit të Lëvizjes Studentore 

Një breshëri plumbash që u zbraz më 12 shtator 1998, në oborrin e Partisë Demokratike, ndali aty jetën e Azem Hajdarit. Është fundi tragjik i liderit të Lëvizjes Studentore dhe historisë së tij politike. Prej vitit 1990, kur udhëhoqi me guxim protestat studentore antikomuniste e deri në vjeshtën e vitit 1998, janë tetë vite të rrëmbyera që duken sa 27 vite të shumicës së deputetëve të Shqipërisë postkomuniste, të marra së bashku. Jeta politike e Azem Handarit është shumë intensive. Prej minutës së parë në Qytetin Studenti më 8 dhjetor 1990 e deri ditën e fundit, Azem Handari ishte aktiv në çdo betejë në parlament por edhe brenda Partisë Demokratike. Ka lënë gjurmët e tij në ngjarjet politike më të rëndësishme që kanë ndodhur në tetë vitet e para postkomuniste në Shqipëri. Ishte njeriu më i rreptë ndaj të majtëve por u bë shpesh edhe kundërshtar i madh i udhëheqjes së partisë së tij. Ka shumë momente kur Hajdari ndahej me qëndrimet e PD-së dhe për këtë arsye shpesh u kthye në “armik” për shumë prej tyre.

Pra për ato vite të aktivizimit politik, Hajdari pati shumë miq e bashkëpunëtore por edhe shumë kundërshtarë, brenda dhe jashtë partisë së tij. Edhe pse ishte njeriu më agresiv kundër socialistëve, sepse ishte një ndër drejtuesit e PD-së që nuk pushoi asnjëherë në retorikën e tij kundër komunistëve, Handari pati edhe miq brenda socialistëve. Ka pasur momente me rëndësi kur deputetë të PS-së e kanë mbrojtur atë publikisht. Është ironi e madhe sepse ata e mbronin ndaj sulmeve që Hajdarit i vinin nga kampi i tij politik. I tillë është edhe fjalimi shumë interesant i të ndjerit Dritëri Agolli. 25 vite më parë pikërisht në shtator, grupi parlamentar i PD-së vendosi ti heqë imunitetin Hajdarit. Ishte marrë ky vendim për shkak të një sherri banal që kishte pasur me një drejtues të administratës së PD-së.  

Në debatin për heqjen e  imunitetit të Hajdarit pati shumë diskutime dhe një ndër fjalimet më të ndjera është ai i Agollit, që mund ta lexoni më poshtë.

 

Fjalimi

Është një demokraci e plotë kjo. Pra, ngritja e temperaturës së atmosferës politike në këto raste të pengon të gjykosh me gjakftohtësi, të pengon të mbrosh dikë dhe t’i japësh të drejtë atij apo këtij, pasi çdo gjë mbushet me emocione politike, që zëvendësojnë logjikën dhe arsyetimin. Prandaj unë kam frikë se duke folur për çështjen e heqjes së imunitetit të një deputeti të një partie që nuk i përkas, ithtarët e saj do të më vërsulen plot zhurmë dhe do të më thonë: “Ç’ke zotrote që flet?”, siç ka ndodhur jo rrallë, siç u dëgjua sonte këtu edhe zëri i nja dy balashëve. Këta balashë mendojnë thjesht “kjo parti është imja, ç’të ha meraku ty?” Zotëri, kjo parti nuk është jotja, ajo është pasuri kombëtare. Por unë do të flas si qytetar, pasi çatia dhe trualli i këtij parlamenti, bashkë me ajrin dhe dritën është për të gjithë ne i përbashkët.

Heqja e imunitetit të një deputeti është heqja e një cope nderi të vetë Parlamentit, është cenimi i moralit dhe autoritetit të tij. Hedhja e hapit për heqje imuniteti nuk është hedhje e hapit në një valle. Vihet re se këta hapa për ndëshkime, për shkarkime, për heqje imuniteti dhe për kërcënime psikologjike ne i bëjmë me një zell të madh e me një padurim, me mungesën e theksuar të dëshirës për të arsyetuar një gabim a një faj dhe për ta qartësuar atmosferën e këtij gabimi apo faji deri në fund. Kështu, po të mos kishim një zell të madh për ndëshkim, heqjen e imunitetit të zotit Azem Hajdari ne duhej ta arsyetonim me gjakftohtësi dhe ndershmëri. Të kishim bërë takime me prokurorin në Komisionin e Mandateve, siç e thanë dhe disa zotërinj këtu, të kishim biseduar me të paditurin dhe paditësin, të kishim bërë një përpjekje për një pajtim etj. Ai që paditet, deputeti, shikohet si një i huaj, jo si një pjesëtar i familjes, si njeri, si vëlla, si personalitet, hidhet si një leckë dhe nuk denjohet të flitet me të. Ftohtësia është e akullt, është gati siberiane. Me një fjalë, në Kuvendin Popullor duhej të ndihej thellë shqetësimi dhe vuajtja morale para se të shtrohej për diskutim çështja e heqjes së imunitetit të deputetit, pasi kjo nuk është një ngjarje e thjeshtë, nuk është një vërejtje e rëndomtë që vjen nga Kryesia e Parlamentit. Me këto ndëshkime, me këto heqje imuniteti, me këto thirrje për shkarkime, me këto britma të zërave të veçantë “të nxirret jashtë ligjit akëcila apo akëcila parti”, në Parlament fryn era e cenimit të demokracisë, fryn era e terrorit psikologjik, e frikës dhe e pasigurisë. Brenda një muaji që nga fillimi i sezonit të punës pas verës Parlamenti po u heq dy deputetëve imunitetin me synim heqjen edhe të mandateve: Azem Hajdarit dhe Ilir Metës. Edhe ky është një zell i paparë. Brenda një muaji përveç heqjes së imunitetit të deputetëve Parlamenti shkarkoi edhe prokurorin e përgjithshëm. Siç shihet, plani i ndëshkimeve është tepër i tejkaluar dhe, po u hap gryka e ndëshkimeve, është e vështirë të mbyllet. Atëherë, Parlamenti, në vend që të shkojë vetë në Evropë, do të dërgojë në portat e saj ortekun e tij zhurmues të ndëshkimeve, ortekun e ankthit dhe terrorit psikologjik. Heqja e imunitetit të një deputeti është një e shtënë kundër demokracisë, veçanërisht heqja e sotme.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Përse mungojnë korporatat e mëdha ndërkombëtare në tregun shqiptar?

Nga Ervis Iljazaj Sipas një raporti të publikuar dje nga Agjencia Qendrore...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.