Agron Duka: 2018, viti i ndryshimeve të mëdha

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliaste shprehet se  problemi më i madh i këtij viti, për politikën, ishin zgjedhjet, cilësia e tyre. Për “Polin e Tretë” thekson se së pari, është një lëvizje për reformën zgjedhore të re, ndërsa hedh poshtë zërat se e shohin jashtë opozitës

Z.Duka, ka një traditë të sjelljes politike në fundvit: pala që është në pushtet mendon se vendi po kalon ditët më të lumtura dhe se ajo po bën histori, pala që është në opozitë mendon se vendi po kalon ditët më të vështira dhe ajo ka një mision historik ndryshimi. Si është sipas jush viti që po lëmë pas?

Sigurisht ishte një vit i vështirë për politikën shqiptare. Gjithsesi, sipas një këndvështrimi racional, e vërteta qëndron në mes. Nuk jemi as vendi më i begatë dhe as më i zymti për zhvillimet që karakterizuan këtë vit; por kjo nuk ishte pasojë e qeverisë, por meritë e qytetarëve që përkundër gjithçkaje vazhdojnë jetën e tyre, punojnë, prodhojnë, arsimojnë fëmijët dhe çojnë përpara këtë vend. Ajo që mund të kuptohet qartë është fakti që edhe pse politika e madhe, pra mazhoranca në këtë rast, nuk prodhon dot mirëqenie, siguri dhe zhvillim, janë njerëzit ata që çojnë vendin përpara. Qytetarë të cilët, si dje ashtu edhe sot, shohin bilance modeste dhe progres mikroskopik në udhën e gjatë të tranzicionit drejt një shteti e shoqërie më të begatë. Për sa i përket bujqësisë, sektorit më të ndjeshëm për PAA-në, them me keqardhje se buxheti vjetor për këtë sektor është ende shumë inferior në krahasim me përqindjen që mbulon ky sektor në Produktin e Brendshëm Bruto.

Cili ishte eventi më shqetësues i këtij viti?

Mendoj se problem më i madh i këtij viti, për politikën, ishin zgjedhjet. Cilësia e tyre, pavarësisht qetësisë që ato përcillnin në sipërfaqe, ishte shumë e dobët. Studimi “Jeta informale e partive politike në shoqëritë e Ballkanit Perëndimor” i financuar nga Bashkimi Europian dhe i zbatuar nga Instituti për Demokraci në Shkup gjeti se Shqipëria kishte numrin më të lartë të votuesve që u është ofruar blerja e votës, 20,6%. Partia Agrare Ambientaliste e kishte denoncuar këtë fenomen, madje kam bërë personalisht thirrje për ashpërsimin e ndëshkimit për shitblerjen e votës, duke qenë dëshmitar i fenomenit në zgjedhjet në Kolonjë. Por, sot, në mbyllje të 2017-s, asgjë nuk ka ndryshuar. Nëse shkojmë në zgjedhje të parakohshme, dhe nëse nuk aplikojmë teknologjinë në këtë proces, jam i sigurt që fenomeni do të përsëritet, dhe vota do të tjetërsohet. 

Për sa i përket reformës zgjedhore, ju keni mbajtur disa qëndrime në mbyllje të këtij viti, madje është folur edhe për një “Pol të tretë”, cilat janë qëllimet e këtyre lëvizjeve?

Reforma zgjedhore është “thembra e Akilit” e sistemit tonë politik; madje edhe arsyeja pse ne sot kemi këtë lloj mazhorance dhe këtë lloj qeverisje. Thënë kjo, duke pasur parasysh qëndrimet spekulare të partive alternative me të cilat PAA bashkëpunon, jemi të vendosur të mos lejojmë që edhe ky katërvjeçar të  mbyllet pa kryer një Reformë Zgjedhore cilësore. Përpara se të flasim për një Pol të tretë, apo për një aleancë  midis PAA-së, LZHK, LIBRA, PDK, PBDNJ dhe FRD, duhet të kemi parasysh që kjo është një nismë për një reformë zgjedhore realisht demokratike, në të cilën votimi dhe numërimi elektronik janë kushtet thelbësore për të mbrojtur votën e qytetarëve. Është momenti që të kemi një sistem zgjedhor, dhe zgjedhje, që të pasqyrojnë statusin tonë si vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për integrimin Europian. Gjej rastin të falënderoj Blushin, Topin, Ndokën, Dulen dhe Shehin për vullnetin e mirë që kanë treguar dhe iu bëj thirrje të gjithë përfaqësuesve të partive alternative dhe shoqërisë civile të mos qëndrojnë pasiv në këtë nismë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Z.Duka, komentet mbi këtë nismë që këto parti kanë ndërmarrë, kanë bërë që të flitet për një përçarje të opozitës. Cili është qëndrimi juaj?

Këto janë spekulime të mediave, ne si PAA, por edhe forcat e tjera, vijojmë të jemi në opozitë me këtë mazhorancë. Ne nuk pranojmë as arrogancën, as keqqeverisjen dhe sidomos tjetërsimin e zgjedhjeve që ajo ka kryer në zgjedhjet lokale dhe parlamentare. Personalisht jam i bindur se kjo mazhorancë kupton vetëm forcën e numrave, dhe për këtë arsye ne kemi vetëm një detyrë, të bashkohemi si një front i vetëm. Ky bashkim ose organizim nuk kërkon vetëm parti politike, por mbi të gjitha kërkon përfshirjen e gjithë faktorëve shoqëror që dëshirojnë të krijojnë një alternativë ndaj kësaj qeverie.

Keni ndonjë parashikim për 2018?

Mendoj se 2018 do të jetë viti ndryshimeve të mëdha, të cilat do të hapin horizonte të reja. Kryefjala do të jetë përsëri Reforma në Drejtësi. Nëse do të kemi efekte konkrete në fillim të këtij viti, do të thotë se shumë shpejt rendi politik mund të ndryshojë. Kjo është një nga sfidat më të mëdha për shoqërinë tonë, dhe ajo që realisht qytetarët presin pas 27 vitesh pluralizëm. Sigurisht fakti që kjo reformë është produkti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk lë hapësirë për dyshime mbi rezultatin final.

Çfarë e pret Partinë Agrare Ambientaliste në vitin 2018?

Sigurisht kemi mbi supe një përvojë më të madhe pas zgjedhjeve në Kolonjë dhe ato të 25 qershorit; por mbi të gjitha kemi forcën për të treguar në vitin 2018, dhe sidomos në zgjedhjet e ardhshme vendore, vullnetin tonë për të qenë një alternativë për ato çështje që përfaqësojmë. Ambienti, bujqësia dhe siguria ushqimore vijojnë të jenë sektorë të papërfaqësuar, dhe sidomos sektorë që kanë nevojë për një ekspertizë specifike. Ekspertët e mjedisit, agronomisë, sigurisë ushqimore janë baza mbi të cilën ngrihet PAA. Kjo do të jetë forca jonë!

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

At Gjeçovi, si e ruajti unazën e arit të gjetur në 1900

Duke kujtuar në 142-vjetorin e lindjes At Shtjefën Gjeçovin, kontributin e tij...
Read More