Agron Duka: Do ta pranoja platformën e McAllister. Basha të ketë kujdes me Kavajën

agron-dukaKreu i PAA-së i ftuar në Forumet UET foli për marrëdhëniet me kreun e PD-së, për opozitën dhe ngërçin politik

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, aleati i Lulzim Bashës, mendon se ai duhej të pranonte platformën ndërkombëtare të zgjidhjes të ofruar për kompromis nga të dërguarit e Brukselit, McAllister dhe Hanh. Sipas Dukës opozita duhet të marrë disa garanci për zgjedhjet me një qeveri teknike dhe të pranojë të hyjë në zgjedhje edhe me Edi Ramën kryeministër. Më tej ai la të hapur mundësinë e pjesëmarrjes së partisë së tij në zgjedhje pasi pranoi se ka dy rryma brenda partisë së tij mbi këtë çështje. Ai i bëri komentet dje në darkë i ftuar ne Forumet UET me temë “Reformizmi vs Populizmi”, ku u shpreh optimist për një kompromis të orëve të fundit.

Kavaja është sheshi i radhës i betejës së opozitës, e cila ka premtuar se nuk do të lejojë që të zhvillohen zgjedhjet vendore të dielën. Por Agron Duka mendon se duhet maturi në këtë protestë dhe se ai vetë i ka lënë dorë të lirë anëtarëve për pjesëmarrje.

Agron Duka ka një rrugëtim interesant në politikë. Një njeri jashtë politikës, por me ndikim në komunitetin e tij në qarkun e Durrësit vendosi të pranojë ftesën e Fatos Nanos për t’u futur në politikë në vitin 2001, por kandidoi si i pavarur pavarësisht se e mbështeste PS-ja. Ai e konsideron veten të djathtë në bindje politike, por bëri karrierë tek e majta, deputet, ministër dhe më vonë edhe anëtar i forumeve drejtuese të PS-së për t’u larguar drejt së djathtës tek Partia Republikane, nën siglën e së cilës u zgjodh deputet në këtë mandat. Prej kohësh e ka gjetur veten tek Partia Agrare Ambientaliste si kryetar pasardhës i Lufter Xhuvelit, një parti që i përshtatet dhe me vokacionin e tij si sipërmarrës në fushën e agrobiznesit.

Shoh një paradoks që partia juaj synon të përfaqësojë rreth 47% të popullsisë, e cila jeton në zonat rurale dhe merr përsipër të përfaqësojë një nga sektorët që kontribuon në ekonomi që është ai i bujqësisë, ndërkohë gjatë 25 viteve ky subjekt politik ka një përfaqësim shumë modest në jetën parlamentare shqiptare?

Sipas meje nuk është se ka përfaqësuar PAA-ja pikërisht interesat e banorëve të zonave rurale. Me gjithë respektin që kam për profesor Xhuvelin pasi ka qenë dhe pedagogu i im dhe rektor i universitetit bujqësor, gjykoj që e ka drejtuar këtë parti më tepër në një sens politik se sa në një sens pragmatist zgjidhjesh të çështjeve të zonave rurale. Ndoshta këta banorë nuk e kanë ndjerë që çështjet e tyre mund të zgjidhen nga këto parti dhe kështu që janë votuar aq sa thoni ju. Kanë arritur deri në grupet parlamentare, por në raport me përfaqësimin e popullatës janë dhe paradoks sepse sot ka rreth 50 % të popullatës që jeton në fshat, dikur  kur PAA-ja përfaqësohej në parlament me 4 ose 5 deputetë ka patur 70% të popullatës që jetonin në zonat rurale dhe paradoksi ka qenë akoma më  i madh. Sipas meje shpjegim tjetër nuk ka veçse nuk janë marrë shumë seriozisht dhe nuk janë zgjidhur ashtu siç duhet problemet në zonat rurale dhe kështu hap pas hapi, zgjedhje pas zgjedhjesh, ka ardhur duke rënë. Aq sa në zgjedhjet e fundit parlamentare nuk ka asnjë përfaqësues të PAA-së në parlament, pasi dhe unë kam hyrë si deputet i Partisë Republikane.

Partia juaj ka fenomenin e “xhuvelizmit”, i cili krijoi fenomenin e tillë që merrte vota majtas dhe aderonte në një qeverisje të djathtë me gjykimin që ekzistenca në qeverisje është më e rëndësishme se përfaqësimi politik. Kjo traditë vlen të merret si modë dhe nga ju? Dhe a është sot momenti që ju të sakrifikoni aderimin tek e djathta, për hir të një koalicioni të mundshëm që mund të keni tek e majta për të mbajtur në kuotat e nevojshme përfaqësimin politik?

Nëse do më bëhej kjo pyetje përpara se të isha në këtë lloj pozicioni do të përgjigjesha prerazi jo, sepse natyra ime nuk e pranon që të marrësh vota majtas dhe të bësh koalicione djathtas ose anasjelltas. Por në krye të një partie dhe të mbijetesës së saj ndoshta Xhuveli e ka parë të arsyeshme që të bëjë marrëveshje të tilla. Megjithatë, jo për të  mbrojtur Xhuvelin, por gjykoj se nuk pse të quhet Xhuvelizmi pasi mund të quhet dhe Berishizmi sepse Xhuveli se ka bërë vetëm këtë punë, por me Berishën. Kjo tashmë nuk përbën asnjë risi sepse mbas profesor Xhuvelit, i cili në fund të fundit ishte avangardë në sjelljen në të tilla eksperiencash, pasuan të tjerët me radhë. Kështu që nuk duket më ndonjë çudi e madhe.

Ju keni filluar nga partia socialiste ku keni  mbajtur poste të rëndësishme, më pas shkoni tek e djathta, pozicionoheni në një kah tjetër siç është Partia Republikane dhe më pas shkoni në qendër, siç është Partia Agrare Ambientaliste. Si e keni justifikuar këtë lloj gërshetimi tuajin gjithë këto vite, qoftë në pikëpamje ideologjike qoftë dhe në pikëpamje të formimit apo të interesave tuaja?

Do të kthehem pas në vitin 2000 kur unë iu futa politikës. Unë nuk merresha fare me politikë dhe kam qenë indiferent ndaj saj, por dihet që sistemi i asaj kohe ka qenë mazhoritar. Ky sistem i detyronte kryetarët e partive të gjurmonin njerëz që kishin një farë reputacioni në zonat e tyre. Zona që kandidova unë ka qenë zonë e djathtë tradicionale kështu që unë u ftova nga Nano dhe pas shumë këmbënguljesh nga ana e tij pranova të kandidoja, por si i pavarur dhe i mbështetur nga e majta. Duke qenë se jam njeri i sinqertë në atë kohë edhe pa eksperiencë, mendova se do e ruaj imazhin tim përballë votuesve si një person i pavarur. Nano si profesor i asaj e dinte që nëse kandidon si i pavarur avash-avash fillon e merr ngjyrën sepse dhe po nuk deshe ti në atë kohë s’të linte Berisha. Unë u anatemova shumë nga Berisha si kundërshtar i të djathtës dhe u bëra si komunist në sytë e opinionit. Faktikisht si natyrë kam qenë po ai, marrëdhëniet e mia me elektoratin kanë qenë shumë konstante pavarësisht nëse ishin të majtë apo të djathtë. Më pas pata një ofertë nga Rama për ta ndihmuar aq sa unë di për hartimin e programit të Partisë Socialiste pa qenë anëtar i saj. Rama më bëri anëtar dhe isha në Asamblenë Kombëtare të PS-së. Punova për dy vjet me shumë devotshmëri për programin dhe në fund fare, siç janë këto koniunkturat, më tha që më ka ndryshuar koniunktura dhe ti s’mund të jesh pjesë e listave, por mund të shkosh në Berat. Unë nuk i pranova dhe mbas ofertës që më bëri Fatmiri, pranova të kandidoj djathtas. Nuk kisha besim 100% që  njerëzit do të më besonin dhe unë do të votohesha djathtas. Po ndoshta nga e kaluara ime, pavarësisht se kam  qenë në postin e ministrit të Bujqësisë, prefekt i Durrësit edhe në jetën normale jashtë politike kam patur marrëdhënie të mira me të gjithë njerëzit e kaheve të ndryshme politike, dhe besoj se kjo më bëri që të fitoja rreth 10500 vota, nga 5000-6000 që më duheshin. Mendimi im që mund të fitoj doli i drejtë. E realizova dhe fitova. Kam debatuar shumë me Ramën për mënyrën e qëndrimit që mbajti ndaj meje pavarësisht se kisha kontribuar, por siç e kanë këta politikanët e mëdhenj nuk kanë kohë të merren shumë me sensibilitete, njohje etj., por duhet të shohin përpara edhe kështu që i thashë  unë do të marr një ose dy deputetë dhe nëse do të duhet vota ime nuk do të ta jap. Mirëpo ndodhi që ai u bë kryeministër dhe në seancën e parë parlamentare më takoi dhe më tha urime. Edhe unë i thashë urime, pasi fituam që të dy.

Ju keni zgjedhur të mos regjistroheni në nivel koalicioni duke marrë një risk për hir të një parimi dhe elementi i dytë është që sakrifikojmë edhe përfaqësimin për hir të parametrave zgjedhorë? Mos fshihet ndonjë llogari tjetër? 

Nuk ka asnjë llogari përveç se gjendja reale për votimet në Shqipëri nuk është normale. Ne e kemi prononcuar shpesh, jo sepse e bëj në mbështetje të opozitës, por unë e kam bindje që kjo mazhorancë në këto kushte aktuale nuk lejon zgjedhje të lira e të ndershme.

Ju pranuat atë që ndodhi në zgjedhjet e Kolonjës dhe nëse situata do të ishte kaq alarmante siç e pretendoni sot edhe rezultati në Kolonjë do të ishte i pavlerë, por ju e pranuat?

Unë gjykoj se fjala e dhënë dhe me këtë nuk do të them, që nuk ka kompromise politike, por në fund të fundit duhet të ketë disa rregulla loje. Jo njerëz të cilët gjatë gjithë backgroundit të tyre politik vetëm kanë gënjyer se pse kjo i prish të gjitha rregullat e lojës. Krijon dhe një mjedis të tillë që edhe në momentet kur kërkon të negociosh me dikë, nuk ke ngjallur besim tek tjetri. Unë gjykoj që këta dy të mëdhenjtë këtë po paguajnë. Nëse do të ishin të tillë gjatë gjithë jetës së tyre politike që kur e japin fjalën e mbajnë mund të kishin arritur të negocionin qoftë me partitë e vogla, mes njëri-tjetrit dhe besoj se rezultati do të ishte më i lehtë për t’u arritur.

Përtej qëndrimeve politike sipas logjikës dhe arsyes tuaj, ju do ta pranonit ofertën e ndërkombëtarëve për marrëveshjen që iu ofrua zotit Basha?

Unë do t’a pranoja, me pak ndryshime. Mund të pranoja që të shkonim në zgjedhje me të njëjtin kryeministër dhe që qeveri teknike reale,  teknike jo me njerëz të përcaktuar nga Rama, siç është bërë oferta, edhe natyrisht të kishte një datë tjetër zgjedhjesh sepse në këtë datë janë të pamundura. Plus të paktën numërimin elektronik. Votimi elektronik mund të jetë i vështirë për shkak të kohës por numërimi elektronik në mënyrë taksative. Janë mbi 50 parti, ku dhe më e vogla lodhet, ka njerëzit e saj, simpatizantët e saj dhe nuk i numërohen votat. Dihet eksperienca në zgjedhjet e kaluara që këto partitë e vogla nuk e fitojnë as votën e vet sepse e ndajnë nëse janë majtas e marrin të majtët, nëse janë djathtas e marrin të djathtët.

Çfarë qëndrimi keni ju për Kavajën?

Për protestën në Kavajë unë vazhdimisht them që duhet të jemi shumë të matur sepse importimi i njerëzve militantë nga rrethet në drejtim të Kavajës mund të sjelli ndonjë incident. Për këtë përgjegjësia do të jetë e gjitha e politikës përfshirë këtu dhe mazhorancën. Gjithsesi populli di t’i vlerësojë udhëheqësit politik në këto momente. Unë i kam bërë thirrje simpatizantëve të PAA-së të cilët janë të lirë gjithsecili sipas mendimit të tyre nëse mund të marrin pjesë ose jo, por gjithmonë iu kam bërë thirrje për maturi sepse nuk besoj se ka përfitim asnjë pjesë e politikës nëse nga protesta të tilla mund të ketë incidente, konfrontime fizike etj., sepse mund të sjelli destabilizim dhe pasojat e destabilizimit i pësojmë të gjithë përfshirë edhe mua sepse edhe unë përveç politikës kam investime të qëndrueshme në Shqipëri, pothuajse në të gjithë vendin. Kështu që askush nuk ka leverdi nga destabilizimi.

Cilat janë pritshmëritë mbas 18 qershorit, e përkthyer në numër mandatesh, dhe e dyta nëse do të kishit një ofertë serioze për bashkëpunim nga partia socialiste a do të bënit një kalim nga kampi opozitar në atë qeveritar?

Për sa iu përket mandateve tona nëse ne hyjmë në zgjedhje me 18 apo kur të bëhen, ne përveç 4 qarqeve nuk kemi pretendime, në 8 të tjera kemi pretendime. Sidomos në qarqet e mëdha të cilat kanë një numër të madh deputetësh. Natyrisht prioritar janë Durrësi, Tirana, Fieri, Shkodra, Vlora, Korça, Elbasani. Nuk do të thotë se në këto 8 qarqe ne do të nxjerrim pikërisht 8 deputetë, mund të nxjerrim dhe më pak. Gjithsesi jemi ende në një situatë paradoksale për atë që u tha sepse rreth 50% e popullatës jetojnë akoma në fshat dhe nëse do t’i shkojmë asaj do të kemi 70 deputetë. Duke gjykuar që kjo parti ka patur lëvizjet e saj dha ka qenë pothuajse në minimum, është një parti pothuajse 1-vjeçare, pasi  ka ristartuar, mendoj se objektivat tona nuk janë modeste. Nëse ne pretendojmë të kemi  7 deputetë është një objektiv i guximshëm. Për sa iu përket aleancave, unë gjykoj se kjo mbetet për t’u parë. Jo sepse dua t’i shmangem pyetjes sepse nuk kam frikë ta them, por gjithsesi duke qenë se kjo është një parti çështjesh, çështjet prevalojnë ideologjinë. Kështu që nuk ka asgjë të keqe nëse për të zgjidhur problemet shumë të mëdha që kanë zonat rurale duke filluar nga kostot e produkteve bujqësore, nga tatimet, taksat, TVSH-të, ujitja etj. Kërkesa e parë që mund të kemi ndaj një  aleati të ardhshëm do të ishte kjo; Jeni dakord me lirimin e akcizës së naftës në bujqësi? Ne shkojmë me atë që e heq akcizën e naftës në bujqësi. Mund të rrimë dhe në opozitë, por të paktën të dihet që kjo realizohet nga PAA.

Partia juaj figuron e regjistruar në KQZ, por meqë thatë se jeni njeri i fjalës edhe në politikë, për shkak të fjalës që i keni dhënë Bashës do të mbani partinë jashtë zgjedhjeve. A i keni pyetur strukturat e partisë dhe çfarë qëndrimi kanë kandidatët për deputetë të PAA-së për bojkotin e zgjedhjeve?

Reagimet e këtyre kandidatëve për deputetë dhe e strukturave të PAA-së, aq sa ne kemi, janë pothuajse gjysmë për gjysmë. Ka njerëz që mendojnë se kjo mund të na rëndojë politikisht në të ardhmen, ka njerëz që mendojnë nëse ne hyjmë, legjitimojmë mazhorancën, i biem ndesh atyre që kemi thënë tashmë që nuk ka situatë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por kjo mazhorancë që mund të krijohet mund të ketë një jetëgjatësi të shkurtër, e cila mund të ketë një kosto negative për të ardhmen politike. Ne jemi pikërisht në këtë lloj diskutimi nuk po e gjejmë dot cila është më e mira. Na kanë mbetur dhe 3-4 orë për të biseduar dhe për të vendosur.

 

Shkruar Nga
More from revista mapo

Hakmarrja për vrasjen në Holandë shkaktoi tre viktima në Tiranë, ja si ndodhi ngjarja

Vrasjet në bulevard Prokuroria e Krimeve të Rënda zbardh vrasjen e Mentor...
Read More