Agron Duka: Pse vendosa të drejtoj PAA-në, marrëdhëniet e mia me Bashën dhe Berishën



agron-duka1

TIRANË Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, deputeti Agron Duka shpjegon në një intervistë për gazetën MAPO se përse vendosi të marrë drejtimin e kësaj force politike, pse u shkëput nga Partia Republikane dhe çfarë synimesh zgjedhore ka ai për PAA-në. “…Ajo që mund ta deklarojmë që sot është se PAA ka nisur një proces riorganizimi në të gjithë vendin me ambicie të mëdha për zgjedhjet e ardhshme”, -shprehet ai. Duka sqaron edhe pozicionin politik të PAA-së në raport me partitë e tjera në opozitë, por edhe mazhorancën. “Ne jemi aleatë me PD-në dhe parti opozitare sot dhe të paktën deri në këto çaste nuk ka asnjë motiv a dilemë se përse të mos vazhdojmë kështu, për të ardhur së bashku në pushtet. Partneriteti i deritanishëm ka qenë i frytshëm, ndaj dhe me thënë të drejtën nuk e kemi çuar ndërmend punën e kushteve që mund të na bëjnë të ndryshojmë mendje. Bujqësia, blegtoria e zhvillimit rural në përgjithësi, me gjithë premtimet e bëra në fushatë zgjedhore, vazhdojnë të jenë në kushte të prapambetura e fshati vazhdon të braktiset, e si pasojë ne nuk mund të mendojmë për aleancë me mazhorancën qeverisëse…”, -shprehet ai. Duka sqaron gjithashtu se programi aktual i qeverisë nuk ka strategji të qartë për bujqësinë. “…Shoh konfuzion dhe mungesë të vullnetit politik për të mbështetur seriozisht këtë sektor. Buxheti vjetor për këtë sektor është shumë inferior në krahasim me përqindjen që mbulon ky sektor në Produktin e Brendshëm Bruto”, shprehet ai. Por si janë raportet e tij me Bashën dhe Berishën? Duka jep përgjigjet e tij në një intervistë për gazetën MAPO.

Z. Duka, ju tashmë jeni zgjedhur kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste, një parti e cila për hir të së vërtetës prej kohësh ka qenë pa ndonjë ndikim të madh në politikën shqiptare. Përveç formimit tuaj profesional, çfarë ju lidh tjetër me këtë parti?
Unë jam politikan relativisht me përvojë tashmë. Kam qenë prefekt, deputet e ministër që në vitin 2001. Kjo do të thotë se orientimi dhe zgjedhjet e mia mbështeten te profesioni i politikanit dhe jo ai i agronomit megjithatë formimi im profesional ndihmon në realizimin e objektivave të PAA-së. Partia Agrare Ambientaliste na u paraqit ne, një grupi politikanësh dhe ekspertësh si mundësi shumë e mirë për realizimin e projekteve tona politike, përfaqësim dhe mbështetje shumë më të madhe ndaj zgjedhësve tanë tradicionalë, si edhe të një përqindjeje të madhe të votuesve

Në mungesë të Mediut, ju keni drejtuar për rreth katër muaj Partinë Republikane… Nëse Mediu do të dorëhiqej (për arsye familjare), ju do ta merrnit përsipër drejtimin e saj, apo i keni pasur idetë e qarta për të kryesuar një tjetër forcë politike me të cilën ju lidh aktiviteti juaj profesional?
Fakti që unë jam sot këtu, besoj mjafton për të kuptuar se unë nuk e kam ndërtuar as jetën e as karrierën me “nëse”. Ashtu siç ndodhi edhe në partinë Agrare Ambientaliste, ku vendosën forumet për kryetarin e ri, pas dorëheqjes së zotit Xhuveli, jam i sigurt se do të veprojë edhe PR në një rast si ai që hamendësoni ju. Për sa më përket mua, besoj se kam një jetë që jap prova se aktiviteti im politik, në çdo pozicion, forcë politike a detyrë, ka qenë në shërbim të vendit dhe zgjedhësve, pa dallim përkatësie me shumë përkushtim e seriozitet.

Ju drejtoni një forcë politike e cila është fokusuar tek agrobiznesi, fermerët, pak a shumë problematike, të cilën ju e njihni shumë mirë. Në cilat fusha do të fokusoheni për të ringritur këtë forcë politike dhe a keni ju projeksion zgjedhor se deri ku duhet të mbërrijë Partia Agrare Ambientaliste në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, p.sh., sa deputetë?
Ne jemi të fokusuar tek agrobiznesi, fermerët e peshkimi po aq sa edhe te mjedisi, te siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit si një nga kriteret themelore të integrimit në BE-së, po ashtu tek agroturizmi, si alternativa më e mirë për zhvillimin e vendit. Natyrisht kemi mendimin dhe qëndrimin tonë edhe për çështje që shkojnë përtej emrit të partisë, që nga reformat te politikat e zhvillimit, drejtësia etj. Në kohën e duhur, shqiptarët do ta kenë në dorë programin tonë si edhe përgjigjen se sa deputetë presim të fitojmë. Ajo që mund ta deklarojmë që sot është se PAA ka nisur një proces riorganizimi në të gjithë vendin me ambicie të mëdha për zgjedhjet e ardhshme.

Keni deklaruar se Partia Agrare Ambientaliste do të vazhdojë të jetë pjesë e opozitës, që do të thotë se edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ju do të dilni bashkë… A do të ndryshojë ky raport pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe nëse po, në çfarë kushtesh ju do të ndryshonit qëndrim?
Po, kjo është një deklaratë që unë e kam bërë shumë herët dhe që nuk ndryshon. Ne jemi aleatë me PD-në dhe parti opozitare sot dhe të paktën deri në këto çaste nuk ka asnjë motiv a dilemë se përse të mos vazhdojmë kështu, për të ardhur së bashku në pushtet. Partneriteti i deritanishëm ka qenë i frytshëm, ndaj dhe me thënë të drejtën nuk e kemi çuar ndërmend punën e kushteve që mund të na bëjnë të ndryshojmë mendje. Bujqësia, blegtoria e zhvillimit rural në përgjithësi, me gjithë premtimet e bëra në fushatë zgjedhore, vazhdojnë të jenë në kushte të prapambetura e fshati vazhdon të braktiset, e si pasojë ne nuk mund të mendojmë për aleancë me mazhorancën qeverisëse.

Si janë raportet e tua me Bashën? A janë luhatur ato që prej debatit për garën për bashkinë e Durrësit? Po me Berishën?
Jo vetëm me zotin Basha e zotin Berisha, por përgjithësisht me kolegët politikanë, profesionistë, marrëdhëniet janë korrekte. Natyrisht, duke qenë parti e koalicionit opozitar, bashkëpunimin e kemi më të afërt me kryetarin e PD-së Basha dhe kolegët e opozitës. Shumë të mira i konsideroj marrëdhëniet edhe me zotin Berisha.

Së fundmi, si e shihni projektin e qeverisë për bujqësinë, a mund të funksionojë dhe në cilat drejtime ka nevojë për përmirësim?
Them me keqardhje se nuk ka një strategji të qartë për bujqësinë. Shoh konfuzion dhe mungesë të vullnetit politik për të mbështetur seriozisht këtë sektor. Buxheti vjetor për këtë sektor është shumë inferior në krahasim me përqindjen që mbulon ky sektor në Produktin e Brendshëm Bruto. Krenohen për rritje të volumit të eksporteve dhe harrojnë të thonë që produkti i përgjithshëm bujqësor bie nga viti në vit. Ferma bujqësore nuk është rentable, ajo nuk mbështetet, nuk subvencionohen karburantet, imputet bujqësore, shërbimet e ekstensionit janë inekzistente. Vazhdon zënia e tokës bujqësore nga ndërtimet industriale dhe ato të banimit. Nuk ekziston një strategji e qartë kombëtare për shërbimet në sistemet e vaditjes e kullimit, kur ato tashmë do të jenë në administrimin e pushtetit vendor. Procesi i adaptimit dhe përafrimit të kuadrit ligjor ka mbetur në vend. Asnjë hap nuk është bërë në akreditimin e institucioneve që janë në shërbim të këtij sektori. Në përfundim mund të them që, vlera e ditës së punës në bujqësi është shumë më inferiore se ajo në industri, shërbime dhe aktivitete të tjera. Sipërfaqja e tokës së papunuar është rreth 115 mijë ha nga 565 mijë ha tokë të shfrytëzueshme. Ky është një tregues që ky sektor nuk është rentabël. Të gjitha këto që përmenda sa më sipër duhen përmirësuar.

 

loading...
Shkruar Nga
More from Revista User

Problemet financiare, shkaktari kryesor i divorceve

Paraja siç duket është shkaktari kryesor i ndarjes së çifteve të martuara....
Read More