Agron Duka: Reforma zgjedhore, një sinjal shprese dhe ndryshimi

“…betejën për reformën e Kodit Zgjedhor duhet ta udhëheqë Opozita, jo vetëm sepse është në disavantazh ndaj mazhorancës, por sepse nëpërmjet kësaj beteje mund të japë një sinjal shprese dhe ndryshimi për shoqërinë shqiptare”

Z.Duka, Partia Agrare Ambientaliste ka qenë mjaft aktive kohët e fundit, kemi ndjekur daljet tuaja në rrethe në përgatitje për zgjedhjet lokale të vitit 2019. PAA është partia e parë që ka nisur fushatën, pse ky nxitim kur mungojnë ende 13 muaj nga këto zgjedhje?

Nisja e fushatës në një kohë të përshtatshme është pjesë e vizionit tonë për mënyrën sesi duhet zhvilluar oferta politike. Ndonëse beteja e përditshme e përqendron vëmendjen e opinionit publik më shumë te përplasjet, harrojmë se koha kalon dhe jo vetëm nuk po gjenden zgjidhje të problematikave të shumta që ndeshin përditë qytetarët, por nuk ka një mendim strategjik për takimet zgjedhore që na presin vitin e ardhshëm. Për këtë arsye ne nuk po nxitojmë, thjesht po përgatisim strukturat dhe po propozojmë alternativën dhe vizionin tonë.

Cilët janë hapat që do të ndjekë PAA në përgatitjen për zgjedhjet lokale?

Ne kemi zhvilluar takime në dy qarqe deri më tani, Shkodër dhe Kukës. Këtë javë do të shkojmë në Lushnjë, dhe pas dy javësh në Durrës. Me Reformën Territoriale bashkitë kanë marrë një dimension rural që më parë nuk kishin, për këtë arsye Partia Agrare Ambientaliste e ka të domosdoshme daljen në terren për të njohur me programin tonë dhe kandidatët tanë për këshillat bashkiak, qytetarët që në këtë moment kanë nevojë për orientim politik.

Cilat do të jenë objektivat e PAA-së në zgjedhjet e vitit të ardhshëm?

Nisur nga ajo që thashë më sipër për dimensionin e ri rural të bashkive, ne kemi ambicien të kemi përfaqësues të PAA-së në secilin nga 61 këshillat bashkiakë. Do të jetë përgjegjësia jonë që të çojmë zërin e zonave rurale në qeverisjen lokale. Po ashtu, në bashkëpunim me aleatët, do të propozojmë kandidatë të PAA-së për drejtimin e të paktën dy bashkive në të cilat sektori i bujqësisë ka nevojë për një trajtim të veçantë edhe nga qeverisja vendore.

Keni identifikuar ndonjë bashki në veçanti?

Sigurisht, sikurse thashë më sipër, ne do t’i shtirmë ambiciet aty ku do të gjejmë mirëkuptimin e aleatëve. Megjithatë, një shembull pozitiv është Bashkia e Lushnjës, ku përfaqësuesi i PAA-së, Eduart Sharka, është një ekonomist i njohur dhe një emër i mirëpritur nga lushnjarët; sidomos nga ata që jetojnë nëpërmjet bujqësisë.

Z.Duka, këto kohë ju keni folur edhe për mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, është një hamendësim apo keni informacione mbi këto zhvillime të mundshme? 

Në kujtesën time, nuk ka ndodhur asnjëherë që në muajt e parë të një mandati të ketë vatra kaq të shumta pakënaqësie ndaj një mazhorance. Duke njohur botën e biznesit, mungesën e investimeve të huaja, rënien e pritshme të indikatorëve ekonomik kur të ketë përfunduar TAP-i dhe HEC-i i Devollit, situata në vend nuk do të jetë aspak e këndshme për këdo. Këto janë pasoja të keqqeverisjes, dhe sigurisht, me këtë hap, nuk mund ta lënë në këmbë mazhorancën sepse po krijon kosto për qytetarët.

Nëse realisht do të kemi zgjedhje të parakohshme, mendoni se opozita do të jetë gati për t’u përballur në një garë elektorale?

Unë mendoj se duhet ende shumë punë, jo nga pikëpamja e ofertës programore dhe të burimeve njerëzore, por në përgatitjen e infrastrukturës dhe mbylljes në kohë të reformës zgjedhore. Nëse ne shkojmë në zgjedhje pa reformuar ligjin elektoral, ju siguroi se vendi do të gjendet përsëri në këtë situatë politike. Mazhorancës nuk i intereson në këtë moment ndryshimi i Kodit Zgjedhor, pasi nëse shkojmë në zgjedhje, ajo ka një përqendrim të pushtetit financiar, mediatik dhe kriminal që do ta lejonte të dilte fituese. Për këtë arsye betejën për reformën e Kodit Zgjedhor duhet ta udhëheqë Opozita, jo vetëm sepse është në disavantazh ndaj mazhorancës, por sepse nëpërmjet kësaj beteje mund të japë një sinjal shprese dhe ndryshimi për shoqërinë shqiptare. Opozita ka dhënë deri më tani prova të suksesshme dhe me impakt të qartë në përmirësimin e politikës, dekriminalizimi që votuam në 2015 ishte një kontribut i rëndësishëm. Në të njëjtën mënyrë duhet të veprohet edhe për reformën zgjedhore, e cila duhet të garantojë rregullat e lojës, të cilat janë themeli i mirëqeverisje dhe përgjegjshmërisë. Kjo nuk është vetëm një kërkesë e PAA-së, por është edhe rezultati i konsultimeve që kam bërë me partitë e tjera parlamentare të spektrit të djathtë, pra me z. Mediu, z. Shehi, z. Dule dhe z. Ndoka. Bashkërisht kemi vendosur hartimin e një draft-propozimi për t’ia prezantuat Partisë Demokratike. Për këtë qëllim, ditën e hënë pranë Hotel Tirana, në orën 10:30, do të zhvillojmë edhe një takim me partitë jo parlamentare, të cilat kanë vullnetin për t’u përfshirë në këtë proces. Sigurisht nuk do të mungojnë konsultimet edhe me LSI-në.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Vdes pasagjeri në tragetin Bari-Durrës, dëshmitarët: Nuk e ndihmuan, nuk kishte staf mjekësor

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në qytetin e...
Read More