Ai që jeta e hodhi të vdekur mbi mbeturinat tona, Ardit Gjoklaj

Alfred LelaNga Alfred Lela

Shpejtësia është miti i 17 vjeçarëve të sotëm. Muzika e shpejtë, ajo që Shënbergu, një kompozitor hebre, e quante ‘zhurmë’, e cila përfundon me kreshendon bajate ‘t’lagi me shampanjë’, apo ‘s’jena ma’. Shpejtësia skëterrë e llojit ‘fast and furious’ me makinat e modifikuara, ndenjësen që është ulur mbrapa dhe dorën mbi timon, e cila dikur don të tregojë se përfaqëson dikë që është shtrirë ngaqë rëndesa nuk ia lejon të formojë një kënd. Këndet janë për të zakonshmit. Ata, rëndësia e të cilëve peshon, rrinë në këmbë ose të shtrirë. Flirtet e shpejta; një natë, dy, tre, por jo më shumë se një verë. Dashuria nuk mund ta zgjasë më shumë se një hit vere kënduar me vargje dhe muzikë të shpejtë.

Jo për Ardit Gjoklajn, djali i një oficeri policie nga Tropoja, ‘rënë’ në Tiranë para 19 vitesh. Jeta e tij ishte e ngadaltë. Aq shumë e tillë sa ndali një ditë, edhe pse ishte shumë herët dhe ai kish jetuar shumë pak prej kohës së vet. Për Arditin mund të thuhet se kishte në jetë që ecte në krahun e kundërt të jetës. Aq e ngadaltë. Aq kundrarrymë. Aq e thjeshtë. Aq e palavdishme. Aq e përkorë. Aq e varfër.

Ardit Gjoklaj ishte një sipërmarrës në llojin e vet: ai përzgjidhte materiale të riciklueshme në landfillin e Sharrës. Është një punë e tmerrshme. Nuk ke nevojë ta bësh për ta kuptuar skëterrën e saj. Me pak imagjinatë, mund t’ia dalësh. Në Sharrë grumbullohet gjithë ç’nuk durojmë e gjithë ç’hedhim ne të tjerët. Që jetojmë shpejt ashtu si, Dr. Brojeri i Irvin Yalom-it, sepse duam ta heqim qafe jetën.

Ato që hedhim ne; ato që ne nuk i durojmë; ato që ne nuk i ndajmë (materialet e riciklueshme), sepse ne konsumojmë me atë babëzi edhe ngaqë nuk e durojmë dot jetën, i morën jetën Arditit. Sigurisht, ky është një raport që shkon thellë dhe nuk i ngjan askund raportit zyrtar që do të bëjë fjalë për një ‘vrasje nga pakujdesia’. Mendojeni se sa shpesh, ‘pakujdesia’ nuk është gjë tjetër veçse babëzia e pakontrolluar. Pakujdesia është një eufemizëm për shumë gjëra.

Mendoni pak për atë që bënte Arditi dhe mendoni më shumë për ato që mund të bënte. Të ishte kujdestari i arave me hashash, përshembull do të fitonte të paktën 10-fishin. Mund të grabiste rrugicave të lagjeve vajza apo të pambrojtur të tjerë. Mund të thyente shtëpi. Mund të vidhte makina. Mund të shiste kokainë në Bllok. Ai bënte atë që përunjësia e vet dhe e familjes i thoshte. Një punë muti, të poshtër, të keqpaguar, të pistë, të helmët, vrastare. Por, të ndershme.

Donte që me fitimet modeste të punës së vet të mund të blinte rroba dhe libra për kur të fillonte shkolla në shtator. Kjo ishte puna e tij e verës. Kush ka punuar verës për të mbledhur pak lekë për rroba e libra, e di. Ata që janë të trembur për ta kujtuar dhe që sot i snobojnë vdekjet si të Arditit nga lartësitë e prishura ku e tashmja bën sikur nuk ka të shkuar, kanë një marrëdhënie të përçudnuar edhe me të ardhmen e vet.

Në emër të gjithë atyre që kanë punuar verës për tu dukur ‘të bukur’ në shtator, një dëshirë e njeriut që nuk vdes kurrë, një lutje për Ardit Gjoklajn. Fëmija që ai ishte e ka shpëtuar, me siguri, burrin që mund, por nuk mundi të bëhej.

Por, si gjithmonë, me sa duket kjo është një lutje për shpirtin tonë.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Për Integrimin në Europë duhet një Kombëtare mentaliteti

Nga Alfred Lela* Gjatë një vizite studimore në Berlin të 10 gazetarëve...
Read More