Akademia e Shkencave dhe kritiku i saj Artan Fuga, propozojnë të njëjtin model sovjetik

Nga Ervis Iljazaj

Ka ngjallur debate të mëdha në opinion publik zgjedhjet për Akademinë e Shkencave që u zhvilluan dje. Sigurisht kjo është një ngjarje e rëndësishme për shoqërinë shqiptare pasi shkenca dhe dija janë një nga armët më të forta të zhvillimit të saj dhe, në këtë kuptim duhet të marrë vëmendjen  që meriton.  Debati mbi shkencën dhe menaxhimin e saj është një gjë pozitive, për sa i përket instrumentalizimit të saj në funksion të zhvillimit ekonomik, kulturor dhe shoqëror.

Zhurma e madhe mediatike që mbuloi zgjedhjet e Akademisë së Shkencave, u stimulua gjithashtu dhe nga një postim i kryeministrit Edi  Rama që  me një qëndrim të fort kundër saj , nxiti reagimet edhe me tepër.

Padyshim, që një meritë të veçantë për debatin e Akademisë së Shkencave , ka dhe akademiku Artan Fuga, me debatet e tij të përditshme. Kjo është një meritë që i duhet dhënë, por modeli që profesor Fuga propozon për shkencën duke lexuar propozimet e tij për të,  është po i njëjti . Është një model i zhvillimit shkencor tipik Sovjetik. Një model i bazuar te monopoli shtetëror për shkencën, ku shkencëtarët kanë  varësi të përhershme  te rroga e shtetit dhe, në këtë mënyrë bëhen gjithmonë të kontrollueshëm prej tij.  Postimi i Kryeministrit përforcon këtë ide, duke i kërcënuar me prerje totale fondesh. Dihet që politika, aq më tepër kjo e jona e përdor edhe shkencën në funksion të populizmit të përherësh që i duhet.

Profesor Fuga ka të drejtë kur thotë se Akademia e Shkencave është kthyer në një institucion që vegjeton dhe harxhon para nga taksa paguesit shqiptarë pas asnjë vlerë,  pasi produkti shkencor që ajo duhet të prodhojë mungon. Mirëpo, zgjidhja nuk është të largohet disa njerëz dhe të vijnë disa të tjerë.

Akademia e Shkencës pasi u reformua në vitin 2008 dhe iu hoqën të gjitha institutet që ishin në varësi të saj, tani ka ngelur një grup akademikësh pa asnjë strukturë mbështetëse.

Si mund të zhvillojë kërkime shkencore Akademia kur pjesëtaret të saj janë një jurist, një biolog, një arkeolog apo një filozof?

Është tërësisht e pamundur. Sot kërkimi shkencorë zhvillohet me ekipe dhe grup shkencëtarësh. Andaj titulli akademik në shumicën e vendeve europiane dhe përtej saj,  ekziston si një titull honorifik pa asnjë të drejtë rrogë nga taksapaguesit . Shkencëtarët fitojnë të ardhura në bazë të kërkimeve dhe rëndësisë së tyre që sigurohet nga projektet konkurruese mbi shkencën. Fondet sigurohen nga shteti ose nga kompani të ndryshme që janë të interesuara për këto kërkime. Është e vërtet që shteti duhet të investojë mbi shkencën, por këto para duhet të jenë të hapura ndaj çdo shkencëtari dhe jo  të jenë ekskluzivitet i një grupi profesorësh që mbajnë poste shtetërore shkencore.

Shqipëria ka nevojë për liberalizimin e shkencës, dhe investimet për të, qoftë edhe nga buxheti i shtetit  dhe, nuk duhen parë si një rrogë që e përfiton vetëm për faktin se je akademik, titull i vendosur nga një kastë shkencëtarësh që kanë monopolin  të fondeve mbi shkencën.

Andaj, Profesor Fuga ka shumë të drejtë për  kritikat ndaj Akademisë së Shkencave, por modeli që propozon është tërësisht i njëjti me ekzistuesin. Një model i cili i jep monopolin e shkencës dhe fondet për të, një grupi njerëzish dhe lë jashtë tyre çdo kërkues shkencor që nuk është pjesë e tij. Ajo që profesor Fuga propozon është thjesht disa akademikë më të mirë, por me të njëjtin sistem i cili padyshim , në këtë mënyrë si është e konceptuar do të krijojë kasta ‘’shkencëtarësh’’ me emra të tjerë, por problemet do vazhdojnë po të njëjtat.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Fati i monarkive

Lufta e Parë Botërore fshiu nga faqja e Evropës katër nga dinastitë...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.