Akoma me shtrim rrugësh fitohen zgjedhjet në Mat?

Nga Klementin Mile

Masakra e Matit, me protagonist kryetarin e Partisë Socialiste të zonës, Kujtim Koxha, përveçse la të vdekur disa punonjës shteti të pafajshëm, tregoi edhe njëherë se ky vend përballet ende me problemet e 70 viteve më parë, atëherë kur sapo kishte përfunduar lufta për çlirimin nga pushtuesit italo-gjermanë. Fjalia e Koxhës drejtuar punonjësve të bashkisë “largoni makineritë, pse do shtroni rrugën që të fitoni zgjedhjet?”, dëshmon jo vetëm besimin e kryetarit të PS-së së zonës se kështu fitohen zgjedhjet, me rrugë dhe ndonjë gjë tjetër të domosdoshme për banorët, por edhe se ky vend detyrohet të merret ende me probleme të vitit 1946, të tilla si: rrugët, uji, dritat, analfabetizmi etj.

Në zonën e Koxhës, ashtu sikurse edhe në shumë territore të tjera të Shqipërisë, progresioni i kohës nuk ka sjellë progres. Në ato zona bisedat i dominon ende nocioni i nderit, i cili pasohet shpesh nga fenomeni i gjakut. Por rasti i Koxhës është i ndryshëm. Ai vrau për pushtet, jo për nder. A mund të jetë Koxha lakmusi që tregon se deri ku mund të shkojë përplasja partiake për zgjedhjet lokale të ardhshme? Urojmë që jo.

Një mënyrë tjetër për ta interpretuar masakrën e Matit është të shohësh mesazhin pozitiv të saj, pavarësisht gjakut të derdhur. Kështu, protagonisti Koxha, njohës i mirë i realitetit politik të zonës, i ndjeshmërive të banorëve, shkurt një antropolog i shkëlqyer pa diplomën e antropologut, arriti në konkluzionin shpresëdhënës nga këndvështrimi i interesit publik, që zgjedhjet në Mat mund të fitohen prej shtrimit të një rruge. Ky konkluzion është shpresëdhënës pasi tregon që shtrimi i një rruge ka më tepër efekt se dhënia e një shume parash banorëve të zonës në këmbim të votës. Paradoksalisht, progresin politik të vendit në këtë rast e ndihmon prapambetja ekonomike dhe sociale në vitet e para të pasçlirimit.

Por të gjitha këto që thamë mund të jenë të gabuara. Vërtetësia e interpretimeve tona varet nga shëndeti mendor i autorit të masakrës së Matit. Këto interpretime shpresëdhënëse rrëzohen në rast se Kujtim Koxha rezulton të ketë vuajtur nga ndonjë formë paranoje, që e bënte të shihte armiq dhe rreziqe edhe atje ku nuk ekzistonin. Në këtë rast, gjaku i derdhur në Mat do të ishte thjesht dhe vetëm vepër e një të sëmuri mendor dhe nuk do të kishte domethënie përtej individuales. Pa patur indicie tjetër dhe duke menduar për zgjedhjet lokale të radhës, do të na mbetej të vërtisnin majtas e djathtas para syve të liderëve shprehjen “popullin mund ta blesh, por jo ta mashtrosh!”.

*Peripatos

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Mid’hat Frashëri: Filozofia historike e Lidhjes shqiptare të Prizrenit

Mid’hat Frashëri e ka trajtuar më se një herë Lidhjen Shqiptare të...
Read More