Akreditimet e IAL-ve: Privatët marrin afate maksimale, më i dobëti Universiteti i Tiranës

Nga 35 institucione të arsimit të lartë në vend, publik e privat, që i janë nënshtruar sitës së cilësisë nga Agjencia Britanike e Akreditimit për Arsimin e Lartë, QAA, ata që kanë arritur të sigurojnë afatet maksimale të akreditimit kanë qenë universitetet private, ndërsa publiket kanë patur rezultate të ulëta, ku më keq është renditur Universiteti i Tiranës, që ka mundur të sigurojë vetëm 1 vit akreditim. Pas kësaj faze nis akreditimi i programeve mësimore

Kanë qenë 35 institucione të arsimit të lartë në vend, publik e privat, që i janë nënshtruar sitës së cilësisë nga Agjencia Britanike e Akreditimit për Arsimin e Lartë, QAA, ndërsa pak ditë më parë është bërë publike edhe raporti përfundimtar i akreditimit institucional të universiteteve. Kanë qenë 22 universitete privatë dhe 13 publike që kanë marrë notat për etapën e parë të lidhur me organizimin e punës dhe nga rezultatet e publikuara akreditimin maksimal prej 6 vitesh e kanë marrë katër universitete privatë, por asnjë publik, ku Universiteti i Tiranës duket më i dobëti, duke mundur të sigurojë akreditim për një periudhë kohore vetëm 1 vit.

Vlefshmëria e akreditimeve shkon nga 1 vit minimalisht deri 6 vjet, vlerësimi maksimal. Mesatarja e kohëzgjatjes së akreditimeve është përllogaritur të jetë 3.9 vite në total, kurse ajo për IAL-të publike ka rezultuar më e ulët, 3.3 vite.

Katër universitetet që kanë siguruar 6 vite akreditim janë Kolegji Universitar Luarasi, Universiteti Marin Barleti, Universiteti Katolik Zoja e Këshillit të Mirë dhe Universiteti Polis. Edhe Universiteti Europian i Tiranës ka qenë ndër të vlerësuarit më mirë duke siguruar 5 vite akreditim institucional.

Gjatë bërjes publike të këtij raporti, Ministra e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Lindita Nikolla ka thënë se ky rezultatet e këtij raporti shërbejnë për bërjen e një analize më të thellë se si ndahen 147 përvojat më të mira në institucionet tona të arsimit të lartë dhe janë 137 pikat e dobëta. “Është një balancë që ne na angazhon për më shumë fokus drejt përmirësimit dhe patjetër 143 rekomandimet e shëndetshme të dhëna për të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces, pa dyshim për të dhënë një zë më të fortë afirmimeve të ardhura nga institucionet tona të arsimit të lartë” – ka thënë Nikolla, e cila duke e quajtur raportin krejtësisht transparent dhe pa ndërhyrjen e politikës ka shtuar se kjo do i shërbejë së vërtetës për të kuptuar si është raporti midis institucioneve të arsimit të lartë publik dhe jo publik, ndërsa ka ofruar mbështetje për institucionet e arsimit të lartë.

“Unë garantoj gjithë institucionet e arsimit të lartë jo vetëm për mbështetjen, respektim të autonomisë, sigurisht respekt të lirisë akademike, gjithë mbështetjen që qeveria shqiptare duhet të asistojë. Ligji i ri i arsimit të lartë pa mundëson ministren e arsimit apo këdo tjetër që do të vijë më pas, që të gjykojë mbi vendimmarrjen e bordit të akreditimit. Bordi i akreditimit ka vendimmarrjen dhe formën e prerë, institucionet e arsimit të lartë nuk kanë më ndërmjetësin e politikës për të rikthyer apo hedhur poshtë vendimmarrjen e bordit akreditimit”, ka thënë ministrja Nikolla.

Ndër universitetet më të mirë publikë janë renditur ai i Korçës “Fan S. Noli” , i cili ka arritur të sigurojë 5 vite akreditim, ndjekur nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, Ai i Durrësit “Aleksandër Moisiu” dhe “Universiteti i Arteve” me 4 vite.

Kjo ka qenë vetëm faza e parë e akreditimit, ndërsa faza tjetër do të merret me akreditimin e programeve mësimore.

“Mendoj se jemi në momentin e duhur pas këtij verifikimi serioz për të vijuar më pas me atë që korrigjon çfarë thamë me akreditimin e programeve, por ne do të vijojmë me detyrën tonë, duke proceduar me premtimin e radhës për verifikimin e kritereve ligjore apo siç e themi në VKL 2”, ka shtuar Nikolla, duke thënë se ky proces do të sigurojë shëndoshjen e institucioneve, do të garantojë cilësi në diploma, të lidhura me tregun e punës.

 

 

Bordi i Akreditimit

Ashtu siç ka sqaruar edhe ministrja Lindita Nikolla në raportin përfundimtar me rezultatet e akreditimit institucional që as ministria e as politika nuk janë përfshirë në të, duke ia lënë në dorë punën Bordit të akreditimit, në të cilin siç ka theksuar Nikolla nuk ka asnjë përfaqësues të Ministrisë së Arsimit.

Ky bord, veprimtaria e të cilit u përcaktua në ligjin e arsimit të lartë nr. 80/2015

është një organ kolegjial vendimmarrës dhe i pavarur në veprimtarinë e tij, i cili funksionon pranë ASCAL. I kryesuar nga prof. dr. Arjan Gjonça, ky bord nga 11 anëtarë, personalitete të botës akademike me eksperiencë të gjatë në mësimdhënie dhe kërkim shkencor brenda dhe jashtë vendit, mes tyre edhe të huaj, si prof. dr. Aleksandër Xhuvani, prof. dr.

Anila Paparisto, prof. as. Fatmir Guri, dr. Ilir Panda, prof. dr. Myftar Barbullushi, prof. dr.

Sulo Hadëri, prof. dr. Luljeta Minxhozi, prof. dr. Arben Merkoci, dr.

Alexander Kolher dhe MSc. Fabrice Henard.

 

 

Agjencia Britanike e Akreditimit

Procesi i akreditimit për të gjitha institucionet e arsimi të lartë në vend, privat dhe publik kryhet për herë të parë në Shqipëri dhe për këtë është kërkuar ekspertiza e huaj. Agjencia Britanike e Akreditimit të Arsimit të Lartë “Quality Assurance Agency”, anëtare e ENQAS, Rrjetit Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë prej disa vitesh tashmë, po kryen monitorimin e institucioneve të arsimit të lartë privat e publik. Në vitin 2016 është nënshkruar edhe një marrëveshje mes Ministrisë së Arsimit dhe Agjencisë Britanike të Akreditimit, me qëllimin e mundësimit të akreditimit, por edhe të rankimit cilësor të të gjitha Institucioneve të Arsimit të Lartë (IAL), publike e private. Verifikimi i kritereve të cilësisë sipas standardeve europiane shënon edhe një pikë kulmore në arsimin e lartë.

 

 

Lista e plotë e akreditimeve

 

Emërtimi i IAL në renditje alfabetike Afati i Akreditimit në vite
Akademia e Filmit dhe Multimedias Marubi 2
Akademia e Forcave të Armatosura 3
Akademia Profesionale e Biznesit 4
Kolegji Profesional i Tiranës 5
Kolegji Universitar Beder 4
Kolegji Universitar Instituti Kanadez i Teknologjisë 5
Kolegji Universitar LOGOS 3
Kolegji Universitar Luarasi 6
Kolegji Universitar Pavarësia Vlorë 3
Kolegji Universitar REALD 5
Kolegji Universitar Wisdom 3
Kolegji Universitar TBU 3
Shkolla e Lartë Nehemia Gateway 5
SHLUJ Universiteti Marin Barleti 6
SHPAL Universiteti Metropolitan Tirana 5
Universiteti Aldent 5
Universiteti Aleksandër Moisiu, Durrës 4
Universiteti Aleksandër Xhuvani, Elbasan 3
Universiteti Bujqësor i Tiranës 4
Universiteti Epoka 4
Universiteti Eqrem Çabej, Gjirokastër 3
Universiteti Europian i Tiranës 5
Universiteti Fan S. Noli, Korçë 5
Universiteti i Arteve 4
Universiteti i Mjekësisë Tiranë 5
Universiteti i New York-ut në Tiranë 3
Universiteti i Shkodrës 2
Universiteti i Sporteve të Tiranës 3
Universiteti i Tiranës 1
Universiteti i Vlorës 3
Universiteti Katolik Zoja e Këshillit të Mirë 6
Universiteti Mesdhetar 3
Universiteti Polis 6
Universiteti Politeknik i Tiranës 3
Universiteti Privat Albanian University 2

 

 

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Apeli: Gripi te diabetikët, këshilla për ta kaluar pa probleme

Gripi dhe infeksionet e tjera virale mund të çojnë në nivele më...
Read More