Akti politik i Altin Bashës: Pushteti ende nihilizues, totalitar në Shqipëri

Një projekt provokues për politikën dhe pushtetin sot në Teatrin Kombëtar Eksperimental; regjisori Altin Basha me veprën “Rojat e taxhit”, bashkë me dy aktorët Gazmend Gjoka dhe Lulzim Zeqja, vendos shqetësimin e tij si estetikë në teatër, por edhe ngjarje sociale pse shqiptarët vazhdojnë të flenë gjumë, të jenë letargjikë përballë arbitraritetit të pushtetit të sotëm

Pse një regjisor shtyhet të vendosë në teatër një punë kërkimore, Altin Basha e ndan me momentin që po jeton. Teatrin që nuk po zhbëhet nga sistemi i trashëguar, aq edhe teatri politik që shqetëson regjisorin e angazhuar. Për të konsumuar të dyja momentet, së bashku, Basha ka zgjedhur veprën e “Rojat e taxhit” sipas veprës dramaturgjike të Rajiv Joseph, nga historia e famshme e “Taj Mahalit”, me garancinë e vlerësimit nga kritika botërore.

Por në vendin tonë si duket teatri ende qëndron nën rrogozin e politikës. Qoftë si shtypje, përdorje përmes institucioneve publike, pasi për treg teatror s’bëhet fjalë, qoftë edhe për kreacionin estetik. Basha është nga regjisorët rezistentë dhe interesat e tij gjithnjë janë lidhur me ambicien për ta shtyrë teatrin drejt skenës së pavarur. Por sa ka funksionuar kjo? Nëse do kishim një status quo ideale teatri nuk do ishte në gjendje kaotike ku është sot, bashkë me shpurën e aktorëve të përdorur, që vihen e hiqen nga puna sipas politikës, ashtu dalin e hyjnë në skenë sipas miqësive dhe inateve. Basha mund të mos jetë një prej tyre, por përballë këtij sistemi të ngritur zëri i tij mbetet i vakët. Mbi këtë realitet ai vazhdon të krijojë me të njëjtin shqetësim, së paku kur e sheh teatrin edhe si ngjarje sociale.

Si duket kjo shtysë angazhimi, e brendshme, e ka nxitur të bëjë, pothuaj, një zgjedhje ekstreme, provokuese për politikën: kundër ngritjes së kultit, arbitraritetin e autoritetit.

Me veprën “Roja e taxhit”, e parë si një lëndë politike, me mizanskenën e një ushtrie perandorake, Basha ka bindjen se rezonon me shoqërinë shqiptare, nisur nga ideja e pushtetit, se si shoqëria jonë vazhdon të jetë në gjumë, në letargji, në bindje të verbër ndaj tij. Nga ana tjetër, e konsideron këtë moment të veprës, edhe si një memorie ndaj dashurisë së humbur. “Monumenti fsheh një legjendë dramatike për raportin e pushtetit me njeriun, me të bukurën, e mbi të gjitha me miqësinë me të cilën përballet në këtë realitet”, thotë regjisori. Ky projekt sipas Bashës është një rrugë eksplorimi për një standard teatror, që nuk është komerc, as tregti, por një komedi e zezë, një teatër social që jep mesazhe të forta.

Regjisori tregon se do të jetë një shfaqje fizike, e fortë, dhe për këtë është një sfidë përtej skemave, teatrit statik, tradicional, me bindjen se do të provokojë edhe debat mbi tekstin. Edhe pse shfaqja ka elemente ekzotike, regjisori thotë se këto ndeshen sot në shoqërinë e ashtuquajtur moderne tonën.

Në fazën krijuese ku është, regjisori thotë se tanimë i përket skenës së pavarur, duke konsideruar teatrin një kërkim, dhe se mbi koshiencën e tij qëndron teatri i madh, teatri i pamundur të realizohet në Shqipëri.

“Në Shqipëri nuk ekziston një sistem për të konkurruar. Është shqetësuese se kemi elemente të totalitarizmit në shoqërinë tonë. Pushteti i do njerëzit të flenë, i pëlqen kjo lloj paqeje për të ushtruar më lehtë autoritetin e tij. Ndaj teatri në këtë rast është politik, dhe ngjarje sociale, për të shkaktuar e nxitur te publiku shqetësimin. Njerëzit duhet të flasin për to”.

“Roja e taxhit” ka të premten premierën, me rikthimin e aktorit Gazmend Gjoka, dhe takimin pas 17 vitesh të aktorit Lulzim Zeqa me regjinë e Altin Bashës, një punë ka veshjen e Ilirjana Bashës, me koreografi të Gjergj Prevazit, me materiale filmike të realizuar nga Florian Çangës.

Gazmend Gjoka dhe Lulzim Zeqja, Humaxhani dhe Baburi janë dy rojet e “Taj Mahalit”, monumentit shumë të studiuar për simbolikën e tij, nga mishërimi i bukurisë deri te i lavdisë së përjetshme që perandori Shah Jahan ndërtoi për bashkëshorten e tij të ndjerë Mumtaz Mahal. Dy miq të ngushtë që u ngarkohet një detyrë e vështirë, e cila në skenë shndërrohet në një sfidë fizike dhe psikologjike për dy aktorët që do të na rrëfejnë atë që studiuesit e referojnë si më afër të vërtetës së “Taj Mahalit”. Gazmend Gjoka ndalet në dy personazhet që “fillojnë si roje dhe i nënshtrohen një kalvari njerëzor për fizikun e tij, për veprimet e tij, për mendjen e tij”, ndërsa për aktorin Zeqja kjo është një punë “sfiduese për energjinë” që përcjell./V.Murati

Sinopsi

Humaxhuni dhe Baburi janë shokë të ngushtë dhe roje në ushtrinë perandorake të mbretit të Hindustanit Shah Xhahanit. Ndërsa bëjnë roje ata qeshin e fantazojnë me historitë e tyre të fëmijërisë dhe arratisjet në xhungël. Ata kanë privilegjin e çuditshëm të jenë roje të Taxh Mahalit, dedikimi epik që mbreti Shah Xhahani i bëri gruas se tij të vdekur Mumtaz Mahal. Kjo ndodh një natë para se ky monument t’i shfaqet botës si personifikimi më i fuqishëm dhe mbresëlënës i bukurisë. Humaxhuni, ushtar i gjeneratës së dytë thellësisht besnik, është i kënaqur që zbaton urdhrat edhe atëherë kur Perandori, i vendosur që asgjë më e bukur se Taj Mahali nuk ndërtohet ndonjëherë, i jep rojeve të tij një mision të tmerrshëm. Baburi i ndjeshëm dhe romantik e përballon këtë mision duke ju kundërvënë shkatërrimit të të bukurës si mburojë njerëzore. “Rojet e Taxhit” eksploron bukurinë, pushtetin, autokracinë, rezistencën dhe besnikërinë e verbër. Kjo pjesë është historia komike dhe e trishtuar e një miqësie të thellë që testohet e thyhet nga rrethana ekstreme dhe brutale.

Kiço Londo: Basha, kumbari i sallës “Molier”

Drejtori i Teatrit Kombëtar Eksperimental, Kiço Londo, vazhdon t’i rezistojë politikës, edhe pse ai nuk e konsideron “karshillëk” ndërtimin e dy sallave të reja, për faktin se përballë ka një institucion tjetër kombëtar, godina e të cilit, sipas një vendimi politik, pritet të shembet. Në Teatrin Eksperimental vazhdojnë ende punimet, dhe skelat janë hequr, duke marrë dje lajmin për gjendjen aktive të tri sallave që i ka pagëzuar, “Gëte” dhe “Molier”. Për këtë të fundit, kumbari thotë se është kompania “Basha Art” me premierën “Roja e taxhit”. “Sallat po i ngre për komunikim”, thotë Londo.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Klasikët francezë në Tiranë: Bashkë me Valery, Proust…edhe Kadare në frëngjisht

Rreth 200 tituj me emrat më të rëndësishëm të filozofisë, letërsisë, antropologjisë,...
Read More