Aktorët para Bashkisë: Teatrin do e zgjidhim në gjykatë, s’ka asnjë transparencë

Artistë dhe shoqëria civile, njerëz të thjeshtë janë mbledhur dje në mesditë përpara Bashkisë së Tiranës për të mbrojtur Teatrin nga “shpronësimi”. Mbi çdo vendim që i hap rrugën shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar aktorët kanë vendosur që të shohin zgjidhjen përmes gjykatës

Artistë dhe shoqëria civile, njerëz të thjeshtë janë mbledhur dje në mesditë përpara Bashkisë së Tiranës për të mbrojtur Teatrin nga “shpronësimi”.

Mbi çdo vendim që i hap rrugën shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar aktorët kanë vendosur që të shohin zgjidhjen përmes gjykatës. Me këtë deklaratë ka dalë dje nga mbledhja e këshillit bashkiak grupi i aktorëve që morën pjesë dhe ndoqën dje mbledhjen e këshillit bashkiak ku në rend të ditës për miratim ishte dhe një nga pikat ku ndahej fati i godinës së Teatrit. “Ne do të presim dhe do të shohim se çfarë ndodh, efektet juridike që do pasojnë, dhe do të konsultohemi me avokat dhe do e ndjekim në rrugë ligjore çështjen”, tha Kastriot Çipi, kryetari i sindikatës së artistëve të skenës dhe ekranit (SASE).

Në mbështetje të artistëve ishin edhe këshilltarët e djathtë, të cilët thanë se në mënyrë mafioze do të nisë rruga për prishjen e Teatrit Kombëtar. Ndërkohë, nënkryetari i bashkisë, Abaz Hado është shprehur për mediat se: “Asnjë nga ligjet nuk prek Teatrin Kombëtar. Është një keqkuptim i madh”. Por aktorët nuk janë bindur, siç thanë, edhe pse kreu i bashkisë, Erion Veliaj është shprehur se nuk do cenohet Teatri, duke nënkuptuar prej tij “lojën” me pronën publike. Si duket, ajo që ndajnë në mënyrë reciproke në këtë moment, mes pushtetit dhe artistëve është klima e mosbesimit për shkak të mungesës së transparencës qoftë nga Ministria e Kulturës, po ashtu pasuar edhe nga Bashkia. Për këtë Çipi ka tha dje se: “Kryetari i Bashkisë u mundua të na bindë se Teatri nuk cenohet. Por Teatri nuk është nën administrimin e bashkisë, por Ministrisë së Kulturës, këtë ne e dimë. Por zoti Veliaj, i ka dhënë të drejtën vetes të gjejë një arkitekt e ta shpallte, po ashtu bashkia ka marrë një propozim siç u tha për një projekt fantastik, ndërkohë që edhe në atë kohë, teatri nuk ishte nën administrimin e bashkisë. Ata përsëritën disa herë klimën e mosbesimit, por këtë mund ta përsëris edhe unë klima e mosbesimit me këta pushtetarë vazhdon. Ne nuk kemi besim në transparencën e bashkisë së Tiranës. Ne, si sindikatë i kemi bërë kërkesë Bashkisë së Tiranës për të bërë transparente gjithë procedurën që ajo ka ndërmarrë për teatrin dhe deri tani ky dokumentacion neve nuk na është dhënë. Pra, nëse ka një klimë mosbesimi kjo vjen nga qëndrimi i bashkisë, dhe me sa duket kjo do të vazhdojë dhe me sa duket kjo nuk zgjidhet me kaq”. Ndërsa regjisori Robert Budina, i pranishëm në mbledhjen e djeshme të këshillit bashkiak, është shprehur se dje kanë mbetur të zhgënjyer nga formulimet dhe mënyra e sjelljes së drejtuesve të bashkisë ndaj “pikës” nevralgjike që pretendohej se do çonte në shembjen e teatrit. Budina u shpreh pas mbledhjes se: “Na thanë se kjo pikë nuk prekte teatrin, shtohej një formulim, kjo më duket e pakuptueshme nga këta politikëbërës, kanë mungesë serioziteti. Ata na drejtoheshin neve, kur nuk na jepnin të drejtën e fjalës. Ata po na detyrojnë të bëhemi juristë …mënyra se si e drejtuan ishte totalisht e pasinqertë”. Aktorët vazhdojnë të mblidhen çdo të hënë përpara Teatrit Kombëtar, duke shënuar këtë javë takimin e shtatë, të cilëve u janë bashkuar edhe shoqëria civile duke zgjeruar kërkesat e tyre, duke akuzuar qeverinë se po shet të gjitha pronat publike privatëve, duke mos kursyer as kopshte, çerdhe, shkolla për të cilat shqiptarët paguajnë taksën, ashtu si edhe për Teatrin Kombëtar.

 

Reagimi, Kim Mehmeti: Shembja e Teatrit Kombëtar është rrënim i kujtesës

“Siç duket Kryeministri i Shqipërisë ka vendosur të mos tërhiqet dhe ta shembë godinën e tanishme të Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe, siç thotë ai, mbi gërmadhat e së shkuarës, të ngrihet teatri i ri!”. Ku ta dish, mbase është e pamundur që, një piktor të parealizuar siç është ai, ta bindësh se godina e Teatrit Kombëtar nuk janë muret që ai ka, e as vetëm skena ku aktorët i kanë jetuar ëndrrat e tyre artistike, por ajo godinë është kalendar ku janë shënuar ditët e lavdishme të kulturës sonë, si dhe pasqyrë, ku shihen fytyrat e atyre që lartësuan kullën shqiptare të artit skenik. Po pra, siç duket ne presim të pamundurën nga Kryeministri i sotëm i Shqipërisë: ai ta kuptojë se nëse më e bukura e bashkëkohorja çdoherë do e zëvendësonin të shkuarën e më të vjetrën, atëherë gjinia njerëzore nuk do e çmonte mbamendjen, por harresën! Kështu shembja e godinës së Teatrit Kombëtarë është një lloj rrënimi i mbamendjes dhe i kujtesës sonë, siç është edhe shlyerje e begatisë së formës artistike që është realizuar në skenën e tij!”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Deputet i pavarur: Saimir Tahiri regjistrohet për të folur në Kuvend

Ashtu si do të enjte, në orën 10.00 nisi seanca parlamentare. Opozita...
Read More