Akuzon kreu i SASE: Projekti i ri për Teatrin, plagjiaturë?!

Ndizet sërish debati për projektin e ri të Teatrit Kombëtar. Dje, janë zbuluar pamje që janë krejtësisht të njëjta me projektin e zbuluar nga kryeministri, referuar studios së famshme daneze; ishte kreu i sindikatës së artistëve të skenës dhe ekranit, Kastriot Çipi që ka postuar pamjet identike mes projektit shqiptar dhe atij të operas në Korenë e Jugut

Një ditë pas prezantimit të bujshëm të projektit të ri të Teatrit Kombëtar në zyrat e kryeministrisë, – nga vetë Edi Rama si dhe arkitekti danez i konsideruar me famë botërore Bjorke Ingles, – vjen denoncimi për plagjiaturë të tij. Ka qenë kreu i SASE (Sindikata e artistëve të skenës dhe ekranit) Kastriot Çipi, i cili përveç kundërshtisë konstante, dje ka hedhur dyshime se projektit i ri i Teatrit Kombëtar është kopjuar.

Ndërsa është marrë vendimi për të shembur teatrin, dhe Rama ka deklaruar se projekti i ri do të kalojë nëpër procesin e vendimit të Kuvendit, dje janë shfaqur pamje krejtësisht të njëjta nga Koreja e Jugut me atë që u paraqit dy ditë më parë në Tiranë.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Çipi ka hedhur shqetësimin e një kopjimi të mundshëm, për nga ngjashmëria me projektin e studios ukrainase Forma, fitues i çmimit të tretë, (I skualifikuar), në konkursin për Operan e Busanit në Korenë e Jugut.

Kjo ka bërë që të reagojë edhe arkitektja Ira Miroshnikova e studios “Forma Architects”, e cila ka ironizuar në Facebook duke shkruar: “Rastësi? Nuk e besoj…”, shkruan ajo. Ndërsa postimi i plotë i kreut të sindikatës është: “Plagjiaturë e arkitektit danez apo paljaçatë e pushtetit? Projekti i Ramës për TK është në fakt projekti i studios ukrainase Forma, fitues i çmimit të tretë (pra i skualifikuar) në konkursin për Operan e Busanit në Korenë e Jugut. Shikojini fotot dhe gjykoni vetë!”.

Prej shkurtit artistët të organizuar për herë të parë në sindikatë, edhe pse janë shteruar, kanë këmbëngulur në kërkesat e tyre të vazhdueshme për mosshembjen e godinës aktuale të teatrit duke hedhur para pak ditësh edhe idenë e mbledhjes së fondeve për ta rindërtuar vetë. Por menjëherë pas kësaj deklarate të SASE, kryeministri, Edi Rama ka thërritur disa artistë në COD duke bërë realitet projektin e tij, pas 20 vitesh. Projekti u prezantua nga studio ndërkombëtare e arkitekturës “Bjarke Ingels Group” në të cilën parashikohet shembja e godinës aktuale duke ofruar një ndërtesë moderne në 3 mijë m2 sipërfaqe, që ka formën e “perdes” së lidhur në mes; pas prezantimit shpërthejnë reagimet e artistëve në rrjetet sociale në ironi për kullat dhe godinën e re, por edhe të fyer për fjalët e kryeministrit mbi reputacionin e tyre profesional. Ndërsa fjala e tij ka shkaktuar mjaft reagime mes artistëve për etiketimin kur tha se: “Do i japim Shqipërisë teatrin e ri e të shumëpritur në zemër të Tiranës. Pozicioni im i vjetër nuk ka ndryshuar. Për fat të keq u desh kaq shumë kohë që të bëhej ajo që duhej bërë shumë kohë më parë me të vetmen mundësi që mund ta bëjmë: përmes Partneritet Publik-Privat. Sot mungojnë ata që bënë debatin e fillimit se janë ndarë nga jeta. Në ndryshim nga ata kanë dalë të tjerë që s’kanë reputacionin e tyre. Godina do shembet!”.

Artistët që morën pjesë në prezantimin e projektit të ri në kryeministri janë thirrur në mënyrë selektive, pasi një pjesë tjetër që ishin kritizerë qysh në fillim kanë deklaruar se nuk janë lajmëruar. Për të gjitha projektet ndërtuese që bëhen në Tiranë, sidomos në qendër, thuhet gjithnjë se është më e rralla në Europë, e këtu nuk bën përjashtim as Teatri i ri Kombëtar, siç është shprehur kryeministri. Kreu i qeverisë ka theksuar një ditë më parë se ndërtesa ekzistuese nuk plotëson as kushtet më minimale për artistët, duke u shprehur se teatri i ri do të ketë shumëfishim të hapësirave për artistët dhe të gjitha shërbimet, salla kryesore nga 480 vende, do ketë 620 poltrona, ku krijohet dhe një sallë e re mbi teatër me mbi 100 vende, me 2 salla të reja me nga 100 vende secila. “Kemi jo thjesht një teatër të ri, por që do jetë trefishi i këtij që është sot dhe që do të ketë një sistem të tërë infrastrukturë përreth hapësirave ku zhvillohen shfaqjet që sot nuk ekziston. Do ketë edhe hapësirën e yjeve të shuar dhe të pashuar të historisë të teatrit kush ka kaluar në atë histori dhe ka lënë gjurmë të pashlyeshme por s’jetojnë më, do jetojë aty si shëmbëlltyrë në hapësirën e përgatitur enkas. Ndërsa ata që dalin e bëjnë protesta, do duhet të mendojnë si të lërë yllin e vet aty se godinës s’ka çfarë i bën, mbi gërmadhat e të shkuarës do ngrihet Teatri i ri Kombëtar”.

Nga ana tjetër, reagimi i një pjese të artistëve, kryesisht ata që janë kritikë dhe nuk janë pjesë e politikës së majtë, mban debatin kryesor me zënien e tokës së Teatrit, nga 6 mijë m2 që njihet si truall publik, në deklarimin zyrtar se teatri do ndërtohet në një tokë prej 3 mijë m2. Ka qenë Çipi në daljet e tij publike duke denoncuar këtë fakt të rrudhjes së sipërfaqes së truallit të teatrit, si dhe kundër projektit të ri. Dje, ka qenë edhe reagimi i aktorit Robert Ndrenika, që projektin e ka parë një herë në zyrat e bashkisë duke dhënë pëlqimin, ndërsa dje ka reaguar në media se projekti ishte “një xhungël urbane”. Nga ana tjetër, si duket, sindikata e artistëve ka qenë mjaft e brishtë për t’i rezistuar e kundërshtuar deri në fund, në mënyrë ligjore, juridike, gjithë këtij debati. I ndodhur në qendër të Tiranës, godina e Teatrit jo pak herë ka qenë synimi për t’u hequr prej andej për nga hapësira e madhe që zë, për të ndërtuar kulla në vend të tij, ku edhe do përfshihej teatri. Kullat shfaqen sërish dhe në projektin e ri, katër të tilla që kanë marrë nga hapësira e teatrit, dhe vijnë në mënyrë shkallareje mbi të. Ndërsa Rama ka dhënë garancinë se teatri i ri do të jetë gati brenda tre viteve, duke legjitimuar kullat dhe koncesionarët që do të ndërtojë teatrin, si bashkëpunim partneritet publik me privat.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Wind of Change

Letërkëmbimi Mapo-Danas Nga Zoran Panoviç Partizani e pati përshëndetur me entuziazëm Vokrrin....
Read More