Alarm për mungesë gjaku në Lushnje, rrezikojnë jetën rreth 200 të sëmurë

lushnje_2

Banka e gjakut në spitalin e Lushnjës ka mbetur pothuajse bosh, duke rrezikuar seriozisht jetën e rreth 200 të sëmurëve me talasemi, të cilët nuk plotësojnë nevojën për transfuzion. Situata kritike është agravuar nga dita në ditë që pas ndërprerjes së pagesave për dhurim gjaku. Veç faktit të mungesës së gjakut, pacientët janë të detyruar të sorollaten nga një spital në tjetrin për të marrë shërbimin.

Gazetarët e Fiks Fare shkuan në spitalin e Lushnjës, ku mësohet se banka e gjakut në këtë institucion shëndetësor u shërben mbi 200 pacientëve me talasemi, të cilët nuk janë vetëm nga Lushnja dhe rrethinat e saj, por dhe nga Berati, Mallakastra, Elbasani, Kavaja dhe Fieri. Sipas nevojave, pacientët marrin gjak 1 ose 2 herë në muaj. Mjekët theksojnë me keqardhje se në muajt e fundit ka rënë ndjeshëm numri i dhuruesve vullnetarë të gjakut, edhe për faktin se tashmë nuk lejohet më “dhurimi me pagesë”.

Mungesa e flakoneve të gjakut shkakton probleme serioze te të sëmurët, ndaj mjekët dhe të sëmurët japin alarmin. “Vajza ime e ka jetë të dytë. Kjo pasi është e theksuar mungesa e gjakut në spitalin e Lushnjës. Shumë herë kam ardhur me të dhe nuk ka mundur të marrë transfuzionin. Ajo vuan nga talasemia, por edhe nga komplikacione të tjera”, thotë një prind nga Berati. Më tej, ai shprehet se ilaçet u janë caktuar t’i marrin në Tiranë. “Nuk kemi mundësi ekonomike të shkojmë në Tiranë, të paktën të gjendet zgjidhje e t’i marrim në Lushnjë”, shton ai.

Edhe mjekët e pranojnë vështirësinë për plotësimin e nevojave me gjak. Dr. Mehmet Xhindoli thekson se situata është kritike. “Çdo vit kemi marrë rreth 2500 njësi gjaku, por nevojat janë për 3500 të tilla”, thotë mjeku Xhindoli. Edhe mjekja laborante, Arjana Zaka, pranon se gjendja është mjaft shqetësuese. “Nuk ka gjak mjaftueshëm për plotësimin e nevojave të të sëmurëve me talasemi. Ka raste kur ata vijnë në spital dhe largohen pa kryer transfuzionin. Në këtë moment i gjithë mllefi i pacientëve bie mbi ne, por duke e ditur gjendjen, jemi të detyruar t’i mirëkuptojmë”, thotë Zaka.

Ndërsa në Qendrën Kombëtare të Gjakut në Tiranë marrin transfuzionin rreth 300 pacientë talasemikë. Mjekët theksojnë se bashkëpunojnë edhe me bankat e tjera të gjakut, por fillimisht plotësojnë nevojat për Tiranën. “Kur bankat e gjakut të rretheve bëjnë kërkesë për të marrë flakonë gjaku, ne ato që teprojnë ua japim. Duhet theksuar se rreth 1% e popullsisë dhuron gjak, por për të plotësuar nevojat duhej të ishte dhurues gjaku 2% e popullsisë”, shpjegon QKGJ-ja.

Kurse kreu i shoqatës së të sëmurëve me talasemi Musa Zeneli shprehet se pasojat mund të jenë fatale për të sëmurët me talasemi nëse ata nuk furnizohen me gjak sipas nevojave shëndetësore që kanë. “Këta të sëmurë kanë nevojë për transfuzion gjaku të paktën një herë në 20 ditë. Për fat të mirë apo të keq unë jam anëtar i komisionit ‘për gjetjen e strategjisë për grumbullimin e gjakut’ dhe po ju them se Ministria e Shëndetësisë, që nga 2012 është mbledhur 2 herë.

Ata nuk kanë më frikë as nga Zoti dhe as nga ligji. Ministria duhet të bëjë më tepër fushata sensibilizuese. Këto partitë politike, në vend që të organizojnë takime, duhet të bëjnë thirrje për dhurim vullnetar”, shprehet Zeneli.

Për plotësimin e këtyre nevojave, grupi i mjekëve të Lushnjes punon duke lëvizur edhe në rrethe të tjera për të siguruar dhurime gjaku. Kriza e vazhdueshme që përfshin të sëmurët me talasemi në Lushnjë mund të kapërcehej nëse çdo person i rritur, i shëndetshëm, do të dhuronte gjak qoftë një herë në vit, por siç duket ne ende nuk jemi ndërgjegjësuar mjaftueshëm se përmes dhurimit të gjakut mund të shpëtojmë një jetë, pavarësisht se për ne nuk do të kishte asnjë efekt anësor dhe asnjë problem shëndetësor.

Shkruar Nga
More from Revista User

Scaparrotti: NATO-ja mund ta humbë dominimin ndaj Rusisë

Komandanti suprem i NATO-s në Evropë, gjenerali amerikan, Curtis Scaparrotti, ka tërhequr...
Read More