Alarmi i AFP: Gjirokastra po rrënohet

AFP – Rezidenca Lolomani, më herët shtëpia e familjes me të njëjtin emër në periudhën osmane, ishte dikur një peizash mbresëlënës, në terrenin malor të Gjirokastrës, në Shqipërinë jugore.

Tani shtëpia gjendet në rrënoja, si duzina të tjera në “Qytetin e Gurtë”, i përkufizuar nga kështjella e tij, rrugët me kalldrëm dhe strukturat e godinave të lara në argjend me pamjen e luginës së Drinosit afër kufirit me Greqinë.

Shumë shekuj të vjetra, godinat e fortifikuara, të cilat i fituan qytetit një vend në listën prestigjoze botërore të trashëgimisë kulturore UNESCO në 2005, janë atraktive për turistët, por në rrezik zhdukjeje.

Disa janë të braktisura ose nuk janë mirëmbajtur prej vitesh, disa të tjera kanë pësuar ndryshime që u kanë shkatërruar vlerën e tyre historike, ose kanë shumë pronarë edhe është e vështirë të bien dakord për punimet që duhet të bëhen në to, ose janë shumë të varfër për t’i mirëmbajtur. As autoritetet në kombin ballkanas nuk i kanë fondet e nevojshme për t’i restauruar ato.

“Ndjej dhimbje për çdo gur, për çdo mur që po dëmtohet,” psherëtin Email Naçaj, një bojaxhi shtëpish 58-vjecar, që e mban mend shembjen e shtëpisë Lolomani në dimrin e 2016-tës. Gjysma e catisë së shtëpisë së tij ka rënë brenda.

“Kam frikë këtu, por mamaja ime nuk do që të largohet,” thotë ai.

Edhe po të kishte para, ai nuk mund të bëjë asgjë- kushëriri i tij, që jeton në kryeqytetin Tiranë dhe është bashkëpronar, refuzon që të bëhen ndërhyrje në shtëpi.

Nga 615 monumente në qendrën historike të qytetit, më shumë se gjysma kanë pësuar rikonstruktime të paligjshme ose jashtë kontekstit historik, ndërsa 169 janë në gjendje kritike ose në rrezik kolapsi, paralajmëron ‘Europa Nostra’ një federatë mbarëeuropiane joqeveritare e trashëgimisë kulturore.

Një herë e një kohë

Shumica e godinave datojnë nga shekulli i XVII dhe XVIII, edhe pse origjina e qytetit është më e hershme dhe shkon pas deri në shekullin e tretë, kur muret e tij u ndërtuan. Shkrimtari më i famshëm i Shqipërisë, Ismail Kadare, e përshkruajti qytetin e tij të lindjes si ‘qyteti i pjerrët’, i cili ka një kënd më të mprehtë mbase se çdo qytet në tokë.

“Ishte me siguri i vetmi vend në botë në të cilin, nëse rrëzoheshe në rrugë, mund të përfundoje në çatinë e një shtëpie,” shkroi ai në 1971 në novelën e tij “Kronikë në Gur.”

Emigrimi masiv ka diktuar fatin e godinave, teksa Gjirokastra nuk ka qenë immune ndaj situatave të trazuara në Shqipëri. Popullsia e qytetit ka rënë nga 34 mijë në 2011 në më pak se 25 mijë, sipas Engjëll Serjanit, shefi i turizmit në bashkinë e qytetit. Shtëpitë janë të emërtuara sipas pronarëve të tyre origjinalë siç janë, Lolomani, Karaulli, Fico, Zeko, Babameto, pushteti i të cilëve përcaktohej nga numri i oxhaqeve që kishin në shtëpi.

Sot, Sokol Karaulli, një pasardhës i një prej këtyre familjeve fisnike, thotë se rruga që mori jeta e tij, ishte larg origjinës së familjes së tij, e cila kishte një shtëpi me pesë oxhaqe. Një ish-ushtarak, por akoma pa të drejtë pensioni, ai thotë që mbijeton vetëm falë rrogës si pastiçiere që merr gruaja e tij.

“Dita në të cilën ne do të themi: ‘Njëherë e një kohë ishte Gjirokastra’ mund të ndodhë,” paralajmëron 60- vjeçari.

Karaulli shkëputi energjinë elektrike në katin e parë dhe vuri kova uji për të mbledhur ujin që pikon dhe që tashmë ia ka kalbur kornizat e drunjta shtëpisë së tij që po rrënohet.

‘Situata po përkeqësohet dita-ditës’

Përreth pazarit të qytetit, fasadat e pastra janë të restauruara nga një fond prej rreth 3 milion eurosh i financuar nga një shoqatë shqiptare-amerikane dhe Banka Botërore. Tezgat e vogla u shesin suvenire turistëve, që ishin 77,000 që e vizituan qytetin vetëm vitin e kaluar. Numri i tyre rritet nga 10 në 15 % çdo vit.

“Gjithsesi, Gjirokastra nuk është vetëm pazari dhe ato vende emblematike,” thotë arkitektja Lejla Hadzic, nga shoqata joqeveritare ‘Trashëgimia Kulturore pa Kufinj’ (CHwB).

Në zonat e tjera “situata… po përkeqësohet dita-ditës,” tha ajo për AFP.

CHwB tha se 40 godina ishin në gjendje shumë të varfër, 34 ishin në rrënoja, ndërsa 15 në buzë të shembjes.

Tani, numri i shtëpive të rrënuara është rritur në 47, thonë ata.

*Përktheu për Mapo.al, Shaqir Sulaj

Shkruar Nga
More from Redaksia

Nëpër rrathët e mbijetesës së qenies shqiptare

  Nga Behar Gjoka - Teksti Të ftuar në rrethin e dhjetë, shënon romanin...
Read More