Albert Nikolla: Krishtlindja dhe vetmia!

 
 

Koha e ardhjes së Krishtlindjes mendoj se është “kohë zgjidhjeje” për krizat shpirtërore. Fjala “krizë” vjen nga greqishtja “κρίσις”, që në shqip mund të përkthehet “me gjyku” ose “me vendos”, pavarësisht se në të folmen e përditshme kjo fjalë shpreh mungesë, tronditje apo shqetësim!

Ndoshta kjo është ndërlidhja midis etimologjisë reale nga greqishtja dhe kuptimit që ka marrë më kalimin e kohës: çdo mungesë, tronditje apo shqetësim ka nevojë për gjykim e vendim!

Në këtë kuptim e përdor edhe termin “krizë” si gjykim mbi jetën apo faza të caktuara domethënëse të saj, gjykim të cilit nuk i rrëshqet dot, sado i përciptë të jetë.

Madje edhe kur vendos të mos reflektosh, në një farë mënyre e ke marrë një vendim! Kemi bërë secili prej nesh, besimtarë ose jo, të krishterë ose jo, një ecje gjatë gjithë vitit dhe në fund të vitit, të krishterët përballen me misterin e madh të Krishtlindjes.

Qasja ndaj Krishtlindjes dhe të menduarit rreth saj prek pjesët më të fshehta dhe më intime të shpirtit njerëzor e pikërisht për këtë arsye ajo festë ka një përmasë thellësisht personale.

Jeta e krishterë ka përmasën e saj të pamohueshme komunitare, që është Kisha ose bashkësia e besimtarëve, por kjo nuk e pengon besimtarin, përkundrazi, e nxit që në momente reflektimi thelbësore të zgjedhë edhe vetminë. A nuk u drejtohet Krishti ndjekësve të tij:

“Ndërsa ti, kur të lutesh, hyr në dhomën tënde, mbylle pas vetes derën e lutju Atit tënd që është në fshehtësi; e Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë”. (Mateu. 6,6). Takimi me vetveten është i domosdoshëm dhe është bukur kur e kërkon me ndërgjegje, pasi kur ndodh me pahir sjell tronditje të madhe!

Në këtë perspektivë, filozofi Kierkegaard e ka shprehur mjaft bukur rëndësinë e vetmisë kur dikush gjykon e merr vendime të rëndësishme: “Të ecim vetëm! Po, asnjë person, bash asnjë nuk mund të vendosë për ty.

Madje askush nuk mund të të japë këshillën vendimtare që ka të bëjë me shëlbimin! Duhet ta bësh vetë! Sepse mbasi të kesh marrë vendimin, do të gjesh me siguri shokë në udhëtimin tënd, por kurdoherë që do të hasësh rrezik në jetë do të jesh vetëm e do të duhet ta përballosh vetëm” (Ungjilli i vuajtjeve).

Kjo vetmi është thelbësore dhe nuk përjashton ndihmën dhe mbështetjen e të afërmit, por ajo është vetmia e vendimmarrjes ku duhet të jetë vetë personi që vendos. Vetëm, rrëfehemi përballë meshtarit, vetëm kemi lindur, vetëm do të vdesim! Vetë vendosim t’i themi po Misterit të Mishërimit të Krishtlindjes.

Misteri më i bukur e njëherazi aq i përvuajtur sa nuk ka ku të shkojë ndodh në një stallë! Më kujtohet, diku para një viti, një deputete (hipotetikisht e krishterë!) e Kuvendit të Shqipërisë, duke dashur të përulë një deputet tjetër, i tha: ti ke lindur në një stallë, ndërkohë që të parët e mi kanë lindur në pallate veneciane! Nuk e di nëse kjo ish-deputete, tashmë, e di apo jo që Krishti ka lindur në një stallë!

Një ndër vetitë e veçanta të Krishtit Zot është shkaktimi i krizave shpirtërore te besimtarët, kriza, që siç e thashë më lart, nxisin për gjykim.

Kur besimtarja ish-deputete mendon se të qenët e krishterë e lartëson, Krishti i thotë: kam lindur në një stallë, jo në pallate mbretërore. Kur dikush kërkon pushtet me çdo kusht, qoftë politik apo edhe fetar, dhe që përdor gjithë farë lloj marifetesh për të arritur pushtetin, Krishti i thotë:

Kush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i sprasmi i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve! Kur dikush, për më tepër kur është i krishterë, kryen akte dhune në Kuvend, Krishti i thotë: duaj edhe armiqtë!

Ndodh shpesh që një pjesë e të krishterëve shqiptarë, sidomos ata që e ndiejnë vetën si një lloj “elite filoperëndimore”, e përjetojnë të qenët të krishterë në mënyrë disi sipërfaqësore!

Harrojnë se Krishti ka lindur në Lindje dhe ata që e kuptuan të parët natyrën hyjnore të Krishtit ishin dijetarët e ardhur nga Lindja! Madje ka edhe intelektualë të krishterë ose filo-të krishterë që këtë fakt e përdorin si status të të qenit superiorë ndaj të tjerëve e hera-herës edhe si përbuzje ndaj jo të krishterëve.

Kjo ndodhi ka bërë që shumë persona të pagëzohen pa e kuptuar thelbin e të qenit i krishterë, ose më keq akoma, e dinë se çfarë do të thotë të jesh i krishterë, por e duan pagëzimin thjesht për status! Më kujtohet rasti i një diplomateje që dëshironte një post i cili moralisht ishte i përshtatshëm për një të krishterë.

Kur u ndodh përballë kësaj situate, ajo u përgjigj me qesëndi: po unë kam dëshminë e pagëzimit! E pata bërë kur isha jashtë, thashë se ishte mirë ta kisha!

Ja, këto hipokrizi të zakonshme e të përditshme të nxisin t’i kthehesh asaj vetmie që pranon edhe Krishti në Ungjill. Sepse raste të tilla dëshmojnë jo vetëm për hipokrizi nga ana e pseudobesimtarëve, por dhe për mendjelehtësi nga ana e disa meshtarëve që e hedhin ujin e bekuar sikur po spërkasin lulet!

Dëshmia e krishterë e Kishës nuk varet nga numri i të krishterëve në meshë, por nga vërtetësia e mesazhit që përcjell.

Për këtë arsye, del krejt e tronditëse dhe aktuale pyetja e Krishtit në Ungjill: “Por, kur të vijë Biri i njeriut, a thua do të gjejë fe mbi tokë?” (Luka, 18,8). Nuk kemi siguri të plotë me dëshminë e pagëzimit në xhep!

Marrëdhënia me Krishtin duhet të jetohet si një marrëdhënie e vërtetë dashurie me rreziqet e veta, me liri, por me përkushtim të plotë e pa kërkim statusi, pasi statusi është pasojë e të qenit i krishterë, jo premisë për të!

Duke u rikthyer në premisën e artikullit, këto që përmenda nuk e zbehin aspak aventurën e të qenit i krishterë, përkundrazi, i sjellin krizë në kuptim pozitiv. Krizë që kërkon vendim, gjykim e kapërcim. Kërkon hop cilësor në përjetimin e fesë me lutje dhe shpresë.

E thoshte bukur “ipeshkvi i të varfërve”, H. Camarra: “Të lumë janë ata që ëndërrojnë: përcjellin shpresë te shumë zemra dhe përballen me rrezikun e bukur që të shohin ëndrrën e tyre të bërë realitet!”.

Bash ashtu si dijetarët e ardhur prej Lindjes dhe të udhëhequr prej yllit ndriçues që i çon drejt stallës ku lindi Krishti, duhet të jemi edhe ne besimtarët përballë Krishtlindjes.

Të tërhequr prej kësaj ngjarjeje që është shtysë drejt mishërimit të së mirës. Siç u mëshirua Zoti në Krishtin fëmijë, të kërkojmë të mishërojmë një vepër të mirë, një miqësi të mirë, një mendim të mirë.

Jo me mendësinë e pasanikut që i ka këto të mira dhe mund t’i dhurojë kur të dojë, por me shpirtin e lypsarit që shtrin dorën dhe pret pa pasur siguri për lëmoshën. Qenia njerëzore është një “lypsar i qiellit” – thoshte Jacques Maritain – që po kërkon kuptimin e jetës, të dinjitetit dhe të bukurisë që e rrethon.

Të qenit i krishterë tradicional të përcjell edhe tundimin se nuk ke më nevojë të jesh lypsar dhe e ke gjetur kuptimin e jetës. Në fakt nuk është kështu!

Ecja drejt atij ylli që tregon foshnjën Krisht duhet të jetë e vazhdueshme, sepse rruga drejt tij nuk e ka pikëmbërritjen në tokë!

Shkruar Nga
More from Redaksia

Thaçi uron Ramën për fitoren e zgjedhjeve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar kryeministrinRama për fitoren e zgjedhjeve...
Read More
CLOSE
CLOSE