Aleksandar Vuçiç pret Inva Mulën në Beograd



inva mulaDje, mediat serbe, kanë shkruar për koncertin historik që sopranoja shqiptare do të japë në Beograd nesër në mbrëmje; duke tërhequr edhe vëmendjen e politikës, Inva Mula do të pritet nga kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, një ditë para koncertit. Siç njoftojnë mediat serbe, këngëtarja do të bashkëpunojë me dirigjentin serb Dejan Saviç

Mediat serbe kanë informuar dje, se sopranoja shqiptare Inva Mula do të pritet zyrtarisht nga kryeministri serb Aleksandar Vuçiç, një ditë para koncertit. Ajo shkon në Beograd në dy raporte paradoksale të këtij vendi me shqiptarët; si histori kulture, e një marrëdhënieje më të hershme muzikore, dhe si një histori politike e një marrëdhënie që ka shoqëruar siç dihet, deri në ditët e sotme, tensione e luftëra, e tani një lloj paqeje, pothuaj të imponuar nga jashtë.

Megjithatë, për një artiste, sidomos si Inva, pak “rëndësi” marrin këto relata, kur jashtë politikës kultura është gjuha mbi të cilën krijojnë alibinë e një komunikimi kulturor, duke kaluar barrierat politike. Pothuaj 71 vite më parë, Tefta Tashko Koço ka vizituar Beogradin në një ngjarje të rrallë muzikore, një pritje e jashtëzakonshme dhe vlerësim që ka pushtuar mediat e kohës. Ndoshta për këtë histori, Mula është shprehur në mediat shqiptare se “Jam shumë e lumtur që shkoj në një teatër ku 71 vite më parë e madhja Tefta Tashko Koço ka kënduar pikërisht La boheme. Kjo përbën histori. Unë këndoj për herë të parë në këtë teatër, në periudhën postkomuniste. Mund të imagjinoni gjithë historinë e Shqipërisë në raport me ish-Jugosllavinë dhe sot në marrëdhënie me Serbinë. Janë dy gjëra që nuk i ngjasin njëra-tjetrës, por ajo që ngjet nuk e di pse, është vepra që është e njëjta”.

Ndërsa për koncertin në Beograd, Inva Mula është shprehur se nuk ka pasur ndonjë paragjykim duke u interesuar për imazhin e saj si artiste, por njëkohësisht dhe të një marrëdhënieje historike. “Unë shkoj si artiste dhe dua të vlerësohem si artiste dhe të jem pjesë e kompanisë. Artisti ka lirinë për të shprehur artin e tij kudo që të jetë. Ky është imazhi dhe mesazhi më i mirë që mund të japë një artist”.

Nesër, në Teatrin Kombëtar të Beogradit, sopranoja do të jetë personazhi i Mimit, në “La boheme”-n e Giacomo Puccinit, duke e shkelur këtë skenë pas nënshkrimit të një bashkëpunimi së fundmi në mes Teatrit Kombëtar në Beograd dhe Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. Siç njoftojnë mediat serbe, këngëtarja do të bashkëpunojë me dirigjentin serb Dejan Saviç.

Një rastësi, apo e menduar, të njëjtën vepër e ka kënduar në nëntor 1945, Tefta Tashko Koço. Është interesante nëse sheh mënyrën sesi shtypi serb e ka përshkruar vizitën e artistes shqiptare. Gazeta “Gllas” shkruante më 14 nëntor të vitit 1945, në artikullin me titullin “Vizita e artistes shqiptare Tefta Tashko Koço në Operën e Beogradit” se “Tefta Tashko Koço, antifashiste e shquar shqiptare, që ka kryer edukimin muzikor në Francë, (diplomuar në Konservatorin e Parisit), këndoi në Operën e Beogradit rolin e Mimit nga ‘Bohème’ e Puçinit, ku paraqitet parisiania e varfër, e qetë dhe e sëmurë…Audienca operistike e kryeqytetit të Jugosllavisë së lirë e demokratike, pikërisht të nesërmen e zgjedhjeve për kuvendin kushtetues, ende në gjendje solemne e shpirtërisht krenare, priti me dashamirësi e ngrohtësi artisten e një populli të dashur e të afërt, që sot është gjithashtu një vend i lirë ballkanik, artisten e Shqipërisë”, shkruan gazeta serbe. Gazetari përshkruan me tone të ngrohta raportet mes dy vendeve, si dhe interpretimin e artistes shqiptare, duke veçuar timbrin e saj. Kjo memorie nuk vjen rastësisht sot, për të perceptuar si ndërlidhen ngjarjet, e situatat politike dhe ndërhyrja “artistike” pas një biografie interesante siç është e sopranos, për të cilën theksohet se prindërit e Mulës ishin të dy këngëtarë të operës – babai i saj i Avniu, i cili ka lindur në Gjakovë, dhe nëna e saj Nina, në Izhevsk të Rusisë.

Repertori i kësaj artisteje, të lindur në Tiranë, përfshin një gamë të gjerë të roleve, duke përfshirë edhe pjesëmarrjet në opera, të tillë si Lucia di Lammermoor, Manon, Falstaff, Mireille, La Traviata, dhe Rigoletto. Mula është po ashtu laureate e garave të ndryshme ndërkombëtare (si në Barcelonë, Bukuresht apo Paris) dhe fituese e shpërblimeve të shumta në vendin e saj.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Shpërbërja sovjetike e Bashkimit Evropian

Nga Leonid Bershidsky, Bloomberg Vladimir Bukovski, ish-disident që jeton në Britaninë e Madhe,...
Read More