Alessandro Ferrara: Italia dhe Shqipëria, të ngjashme në informalitet

Filozofi italian, Alessandro Ferrara, profesor i Filozofisë Politike në Universitetin “Tor Vergata” të Romës dhe ish-president i Shoqatës Italiane për Filozofinë Politike flet rreth gjendjes së demokracisë në botë dhe rritjes së populizmit, duke e parë si rrezik për demokracinë. I pyetur sa ndryshon konteksti italian nga ai shqiptar sa u përket rregullimit apo ofrimit të shërbimeve publike, Ferrara thotë se sheh shumë ngjashmëri në informalitet. Ferrara ishte i ftuar i konferencës ndërkombëtare “Ditët e Studimeve Shqiptare” organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës

Profesor, doja të dija ku konsiston punimi që paraqitët në konferencën “Ditët e Studimeve Shqiptare”?

Punimi im është pjesë e një studimi më të gjerë mbi gjendjen e demokracisë; në ç’gjendje është tani në botë. Është një seksion i veçantë mbi populizmin si një sfidë e kohëve të fundit dhe e rrezikshme për demokracinë kushtetuese liberale. Siç e thashë në fillim, ka sfida të tjera demokracia në botë, si për shembull mbi përmasën e elektoratit, kompleksitetin institucional, pluralizmi kulturor si edhe diferencimet e qytetarisë, që tani nuk konsistojnë vetëm te popullsia –kjo e fundit është një shtojcë e saj – dhe një sërë kushtet të tjera. Pra, jam i fokusuar te populizmi.

Ju jeni filozof. Do të doja të dija, si lidhen studimet filozofike me temën e kësaj konference; rolin e shtetit si rregullator apo ofrues i të mirave dhe shërbimeve publike?

Patjetër që lidhet, sepse një nga të mirat publike është një sistem demokratik funksionues. Si e tillë, pjesë e këtij sistemi është një ndarje efektive e pushteteve, një sferë publike që funksion ku këmbehen arsyetimet dhe opinionet, dhe një sërë kushtesh të tjera shteti rregullon në një farë mënyre atë që është në kulturën dhe në shoqërinë e gjerë dhe veçanërisht është përgjegjësia e shtetit për t’i siguruar këto kushte.

Prej sa kohësh është në fokusin tuaj të studimeve Ballkani dhe zhvillimet e tij?

Në fakt, është hera e parë për mua në Shqipëri, por kam qenë në vendet të tjera të rajonit, madje edhe përpara shpërbërjes së ish-Jugosllavisë kam qenë në Dubrovnik më 1991-shin dhe më pas në Serbi para tri vitesh, në Slloveni në vitet 2000. Jam familjar me këto vende të ndryshme, në periudha të ndryshme.

Sa ndryshon konteksti italian nga ai shqiptar sa i përket rolit që luan shteti?

Shoh shumë ngjashmëri mes Shqipërisë dhe Italisë. Gjatë konferencës kishte një prezantim mbi Informalitetin; sesi njerëzit negociojnë mënyrat e veta me rezultate efektive, pavarësisht ndërlikimeve formale ligjore dhe m’u duk shumë e ngjashme me atë që shohim në Itali, veçanërisht në jug të Italisë, ku kemi një lloj shoqërie të ngjashme. Ajo çka ndodh me informalitetin në Itali, trashëgimia e Berlusconit në 20 vitet e tij në pushtet, i cili la një vend të ndarë.

Sipas mendimit tuaj profesor, shteti duhet të jetë rregullator i tregut apo aktor në të?

Mendoj se në mënyrë ideale duhet të ishte rregullator, nëse ka shërbime që vijnë nga shoqëria, jo vetëm nga shoqëria civile, që prodhon atë lloj përfshirjeje aktive në shërbime dhe siguron nivelin e duhur të shërbimeve shteti duhet të sprapset dhe vetëm të mbështesë. Idealisht rregullator, pro nëse nuk eshët e mundur kjo, atëherë sipas planit ‘B’ duhet të jetë ofrues.

Ndërsa Shqipëria pret votimin për çeljen e negociatave drejt BE-së, çfarë rruge mendoni se duhet të ndjekë shteti për t’i njëjtësuar politikat vendase me ato të BE-së?

Mendoj se është një proces në vijim dhe mendoj se i përket Komuniteti Europian që heton situatën në Shqipëri për të thënë fjalën e tij se cilët hapa duhet të marrë. Nuk e njoh aq mirë situatën për të thënë se ç’duhet bërë, por zakonisht ajo që duhet është forcimi në ndarjen e pushteteve, forcimi në sundimin e ligjit, forcimi i sferës publike, pluralitetin e medias… Këto do të ndihmonin drejt rrugës së një integrimi të plotë në Bashkimin Europian.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Në “ruletën” Presidencë-Qeveri

Fitimet marramendëse të kompanive të lojërave të fatit që kapin shumën e...
Read More