Alexis de Tocqueville dhe demokracia si formë qeverisëse

Në librin “Lexim bashkëkohor të klasikëve të sociologjisë” Kosta Barjaba, Tonin Gjuraj dhe Joniada Barjaba, botimet UET PRESS, sjellin pikëpamjet kryesore të disa prej themeluesve, lëvruesve dhe protagonistëve bashkëkohorë të sociologjisë

Nga Kosta Barjaba

Ka një konsensus të gjerë në historinë e sociologjisë, e cila njeh si themeluesin e kësaj shkence mendimtarin francez Auguste Comte. Por nuk ka asnjë dyshim që fillesa të mendimit sociologjik, madje edhe të sistemuara, janë zhvilluar edhe para Comte. Madje, mendimtarë të njohur para tij kanë dhënë kontribute të spikatura në çështje të caktuara të sociologjisë, sa mund të klasifikohen jo vetëm pararendës, por edhe bashkëthemelues të saj. Ndër më të njohurit ndër ta dëshiroj t’i prezantoj lexuesit Alexis de Tocqueville, me veprat e tij të shquara “Demokracia në Amerikë” dhe “Regjimi i vjetër dhe revolucioni”.

Tocqueville si sociolog, shkencëtar politik, historian dhe diplomat Tocqueville njihet në historinë e mendimit bashkëkohor si shkencëtar politik, historian dhe diplomat. Tocqueville e bëjnë më së shumti sociolog dy vëllimet e “Demokracia në Amerikë”, botuar respektivisht më 1835-n dhe 1840-n, në të cilën analizon demokracinë si një ekuacion që balancon lirinë e barazinë për individin dhe komunitetin.

Tocqueville ka kontribuuar si historian me veprën “Regjimi i vjetër dhe revolucioni”, në të cilën analizon shoqërinë franceze të para dhe pas revolucionit, si edhe forcat shoqërore që kryen këtë revolucion. Tocqueville u konfirmua si shkencëtar politik me të dy veprat e mësipërme. “Demokracia në Amerikë” analizoi ndikimin në shoqërinë amerikane të revolucionit të tregut (ekonomisë së tregut të lirë), ekspansionit të Perëndimit dhe demokracisë. Ndërkohë, “Regjimi i vjetër dhe revolucioni” zhvilloi teorinë e Tokëvilit mbi revolucionin francez (1789 – 1799). Ai e kurorëzoi veprimtarinë e tij si diplomat, me shërbimin pesëmujor si ministër i Jashtëm i Republikës Franceze, qershor–tetor 1849. Fatkeqësisht, Tocqueville diplomat iu kundërvu ashpër Tocqueville  shkencëtar e sociolog. Ndërsa shkencëtari ishte afirmuar si mbrojtës i lirive, ministri i propozoi parlamentit francez ligje që i kufizonin liritë që ai kishte mbrojtur. Nuk ishte hera e parë dhe as e vetme kur, në të njëjtin personalitet, poltroni i qeverisësit ka mbytur frymën e lirisë.

Demokracia si gjendje sociale dhe formë qeverisjeje Tocqueville zhvilloi një konceptim komplementar të demokracisë: si një gjendje sociale dhe regjim politik, si shoqëri civile dhe formë qeverisjeje politike. Sipas tij, në demokraci autoriteti buron nga brenda shoqërisë dhe nuk i imponohet asaj nga jashtë, as në formën e besimit fetar dhe as në formën e shtetit. Rregullat e shoqërisë politike, sipas Tocqueville, burojnë nga rregullat e shoqërisë civile. Dinamikat sociale dhe rregullat politikë janë të ndërthurur dhe në sinergji me njëra-tjetrën. Demokracia është një gjendje, mënyrë e ekzistencës së shoqërisë, sintezë e vlerave dhe normave të saj. Shoqëria demokratike nuk është gjë tjetër veçse produkt i vlerave dhe normave të shoqërisë, i besimeve dhe kulturës së saj. Demokracia është, pra, një riprodhim i vlerave shoqërore. Demokracia e udhëheq shoqërinë drejt shtigjeve dhe realizimit të qëllimeve të saj, pra e ndihmon atë të gjejë dhe të rikrijojë vetveten. Tocqueville prezantoi termat “logjika e sociales” dhe argumentoi nevojën e një shkence të posaçme që duhet të studiojë këtë logjikë. Vite më vonë, kjo shkencë nga Kont, Durkheim (Dyrheim) dhe shkollat e tyre do të emërtohej Sociologji. Tocqueville nënvizoi se kjo shkencë e posaçme, ndryshe nga shkencat e tjera mbi shoqërinë, siç ishte për shembull psikologjia, duhet të studiojë logjikën kolektive të shoqërisë, e cila është e ndryshme nga logjikat individuale, qoftë edhe nga logjikat e individëve më të ditur të shoqërisë. Psikologjia, sipas Tocqueville, është shkenca e mendjes individuale. Shkenca e re, sociologjia, do të jetë shkenca e logjikës kolektive. Tocqueville zbuloi lidhjen midis individit dhe shoqërisë. Ai nënvizon se logjika sociale ose urtësia sociale është e nevojshme. Kjo nevojë buron nga fakti se vetë shoqëria është e unifikuar dhe tipari social i urtësisë dhe logjikës i shërben asaj. Megjithatë, çdo dukuri e shoqërisë është e lidhur me formimin e individëve moralë, të cilët e përbëjnë atë. Në këtë mënyrë, fryma e një kombi është e lidhur me larminë e dukurive shoqërore, e cila buron nga larmia e individëve të saj. Shoqëria amerikane është një shoqëri e individit të vetëbërë. Megjithatë, prapa panoramës, në sipërfaqe individualiste, të shoqërisë amerikane, Tocqueville zbuloi thelbin e saj social, atë që ai e quajti “karakter social i individualizmit”. Madje Tocqueville pajtoi individualizmin e jashtëm me thelbin social të shoqërisë. Jo vetëm që një demokraci individësh të barabartë përbën një “shtet social”, por është vetë shoqëria që ushqen individualitetin e çdo individi. Këtu Tocqueville shtjellon edhe kuptimin e tij mbi “arsyen individuale”. Ndryshe nga mendimi shoqëror tradicional, Tocqueville arsyeton se “arsyeja individuale” nuk është një armike e shoqërisë, por një nga burimet e saj. Natyrshëm ai vjen në idenë e “logjikës së kolektivit”. Demokracia amerikane dëshmon se si autoriteti kolektiv mund të ndërtohet nëpërmjet ndërveprimit spontan të individëve. Individët si pjesëtarë të shoqërisë nuk ndërveprojnë nëpërmjet marrëveshjeve, por spontanisht, nëpërmjet pavarësisë së tyre. Ata i imponohen shoqërisë spontanisht dhe në mënyrë autonome. Kjo ide i paraprin idesë së Marxit mbi të ashtuquajturin “fetishizim të mallit”, sipas të cilit “krijesa komandon krijuesin” ose e shprehur në një terminologji më ekonomike, oferta komandon kërkesën. Nëpërmjet evidentimit të bashkëveprimit të individëve, si një formë e ekzistencës së shoqërisë, Tocqueville vjen logjikshëm edhe në mekanizmin e funksionimit të demokracisë nëpërmjet rolit të shumicës. Fuqia e shumicës përbën, sipas tij, zemrën e demokracisë dhe të marrëdhënieve shoqërore. Prandaj arsyeja individuale duhet të ndjekë shumicën.

Fragmentarizmi social dhe natyra unitare e shoqërisë

Mendimi shoqëror tradicional nisej nga ideja se individualizmi dhe shoqëria janë të papajtueshëm. Pra, shoqëria mbyt individualizmin, ndërsa individualizmi shkatërron indet e shoqërisë. Thënë ndryshe, fragmentarizmi social që krijon individi nuk pajtohet me natyrën unitare të shoqërisë. Tocqueville e pranoi me rezervë rolin e individualizmit si shkatërrues i lidhjeve shoqërore. Dhe argumentet për këtë kundërshtim i gjeti në shoqërinë amerikane. Ai pa nga afër se si individët bashkoheshin në forma të larmishme organizimi të jetës komunitare e shoqërore, në të cilat jetërsonin interesat e tyre. Kjo e bënte shoqërinë amerikane një sintezë të qytetarëve sovranë. Tocqueville konkludoi se rasti amerikan provon se shoqëria mund të konstituohet dhe ekzistojë në forma të reja, të dallueshme nga ato tradicionale: sinergjisë midis sektorit publik dhe privat, decentralizimit të marrëdhënieve e përgjegjësive shoqërore, jetës dhe veprimtarive fetare etj. Në këtë kontekst, Tocqueville shqyrtoi në mënyrë kritike konceptin e “parimit përgjithësues të formacioneve politike”, të mbrojtur nga De Maistre.1 Parimi i përgjithshëm i republikës, nënvizon Tocqueville, është po ai parim prej të cilit udhëhiqen edhe veprimet e qytetarëve. Duke pranuar natyrën hyjnore të këtij parimi, Tocqueville, ngrihet, megjithatë, kundër pohimit se njeriu është thjesht një instrument i Zotit. Zoti, kundërshton Tocqueville, nuk është ai që e përdor individin siç përdor mjeshtri mistrinë, por krijuesi, i cili e ka pajisur individin me autonominë morale dhe intelektuale, e cila është burimi i vetëqeverisjes politike. “Zoti i pajis individët, kushdo qofshin ata, me arsyen e nevojshme për të udhëhequr sjelljen për interesat e tyre. Ky është parimi në të cilin mbështetet shoqëria civile dhe shoqëria politike në Amerikë: prindërit e aplikojnë atë te fëmijët, mjeshtrit te ndihmësit, qytetet te qytetarët, provincat te qytetet, shtetet te provincat dhe Unioni te shtetet. E shtrirë për të gjithë kombin amerikan, kjo është bërë pika e referimit e sovranitetit popullor. Pra, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës parimi i përgjithshëm i republikës është po ai parim që udhëheq edhe veprimet e qytetarëve. Republika penetron, nëse mund ta quajmë kështu, në idetë, opinionet dhe zakonet e përgjithshme të qytetarëve nëpërmjet formulimit të ligjeve”. 2. Pra, është ideja republikane, e konkretizuar në sovranitetin e qytetarëve, dhe jo fryma hyjnore që shërben si parim i përgjithshëm i republikës. Demokracia është gjithashtu një formë e re besimi, sepse arsyeja individuale krijon autoritetin në kontekstet kur besimet tradicionale ishin në rënie. Qytetari në demokraci ka një kredo, e cila krijon sinergjinë midis individuales dhe kolektives. Pra, sovraniteti popullor realizohet nëpërmjet individësh të aftë të udhëheqin vetveten, të realizojnë interesat e tyre dhe të pajisur me arsyen pse i bëjnë këto. Prandaj ideja republikane dhe vetë republika ndeshen gjithandej në Amerikë. Republika është shndërruar në një mjedis shpirtëror. Çka është individuale, është edhe sociale dhe anasjelltas. Bashkëveprimi social për të cilin flet Tocqueville realizohet në tri nivele: mikro, meso dhe makro. Lidhja midis individuales (mikro) dhe sociales (makro) kalon nga kolektivja (meso). Prandaj interesat individualë duhet të vlerësohen në raport me kolektiven dhe të tjerët. Tocqueville vjen këtu në idenë e barazisë. Barazia është parimi i demokracisë, i cili konvergon pasionet e qytetarëve me idetë politike dhe politikën. Ajo që Tocqueville e quan filozofia e amerikanëve është barazia e intelektit në nivelet individuale dhe kolektive. Çdo individ është i pajisur nga natyra me inteligjencën për të orientuar sjelljen dhe fatin e vet. Por në të njëjtën kohë, amerikanët dallohen edhe për edukatën e lartë politike, madje më të avancuar se të gjithë popujt e tjerë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Të mbrojmë liberalizmin nga puritani sapo Edi Rama

Nga Ervis Iljazaj Po të dëgjosh gjuhën politike të përdorur në ditët...
Read More