“Alle Da”: Që fëmijët të përfshihen si qytetarë europianë

Botimeve Poeteka për fëmijë dhe të rinj iu shtohet edhe një libër i ri. Titulli i këtij libri është Alle Da! – Të gjithë së bashku! – dhe është vlerësuar nga lexuesit dhe nga kritika si një nga prurjet më të suksesshme të letërsisë gjermane të këtij zhanri botuar gjatë viteve të fundit. Ky botim vjen në një format të veçantë të letërsisë për fëmijë dhe të rinj, pasi të dyja tekstet, origjinali dhe përkthimi ofrohen përballë, në gjermanisht dhe në shqip

Botimeve Poeteka për fëmijë dhe të rinj iu shtohet edhe një libër i ri. Titulli i këtij libri është Alle Da! – Të gjithë së bashku! – dhe është vlerësuar nga lexuesit dhe nga kritika si një nga prurjet më të suksesshme të letërsisë gjermane të këtij zhanri botuar gjatë viteve të fundit. Ky botim vjen në një format të veçantë të letërsisë për fëmijë dhe të rinj, pasi të dyja tekstet, origjinali dhe përkthimi ofrohen përballë, në gjermanisht dhe në shqip, gjë që ia rrit vlerën librit, zgjeron mundësitë e përdorimit jo vetëm për kënaqësi lexime, por ai u drejtohet gjithashtu edhe atyre që dëshirojnë të mësojnë apo të zgjerojnë njohjen ndaj gjermanishtes.

Përveç këtyre, vlerë tjetër e librit është edhe një sfidë përkthimore, pasi gjithkush mund të sprovohet ta përkthejë tekstin edhe vetë tekstin, duke e vështruar si një version i hapur dhe ushtrimi ndaj një lloji specifik të përkthimeve. Kjo për faktin se librat e kësaj kategorie për fëmijë dhe të rinj përdorin një gjuhë të veçantë komunikimi dhe mjetesh shprehëse. Libri me ilustrime Alle Da! – Të gjithë së bashku! është një vepër e rëndësishëm e komunikimit dhe edukimit të sotëm me fëmijët dhe të rinjtë, ku kjo kategori moshore nuk mbahet larg ndodhive dhe çështjeve ku përfshihet “shoqëria e të rriturve”. Përmes librave ngulmohet që edhe fëmijët të marrin pjesë si qytetarë europianë. Tema është frymëzuese. Ajo mbështetet në ngjarjet aktuale të valës së emigrimit masiv që ka përfshirë Europën sot, duke bërë, si rrallë më parë, edhe fëmijët në përjetimin, vlerat dhe pasojat e kësaj ngjarjeje.

Libri është tërheqës dhe gjithëpërfshirës në lexim. Ai vërtet u drejtohet fëmijëve dhe adoleshentëve të moshave shkollore dhe është konceptuar për t’u lexuar edhe në klasa, me grupe, por ai është një ftesë për t’u lexuar bashkë me prindërit, në shtëpi, pasi jep kënaqësi në lexim dhe këshilla të shkëlqyera rreth temës së mirëkuptimit, bashkëjetesës dhe tolerancës. Përveç kësaj, libri jep informacion mbi gjeografinë e vendeve, mbi historinë e shteteve, të cilat vijnë jo si leksion, por përmes rrëfimit të personazheve.

Përmes ndodhive të disa fëmijëve të ardhur nga skaje të ndryshme të botës ky libër na ndihmon të kuptojmë çfarë kanë të përbashkët mes tyre njerëzit dhe çfarë i bën ata të ndryshëm, si lindin dhe çfarë i mban gjallë paragjykimet, çfarë na e bën të vështirë integrimin në jetët e njëri-tjetrit, sidomos kur vijmë nga kultura të ndryshme!

Libri të mban të mbërthyer deri në fund të historisë dhe shkruar me gjuhë të thjeshtë e me humor. Komunikimi ndihmohet nga ilustrimet plot fantazi. Por të gjitha së bashku, gjuha e tekstit dhe ilustrimet, të ushqejnë me mendime dhe informacion të këndshëm falë tekstit të Anja Tuckermann dhe ilustrimeve të Tine Schulz.

Libri u përkthye në shqip nga Eljana Mankollari. Redaktimi dhe kujdesi në botim u krye nga Silvana Leka, si pjesë e “Botimeve Poeteka”, 2017.

Për librin

Ne të gjithë vijnë nga diku tjetër. Në qoftë se kthehemi pas në kohë dhe në histori mësojmë se kemi ardhur nga larg. Samira erdhi me një anije që u nis nga Afrika dhe një kamion. Amadit i mungojnë shokët e futbollit që kishte në Irak, por për shkak të luftës, ai duhej të largohej nga vendi i tij. Tani ai shënon gola me miqtë e rinj në Düsseldorf. Dilara ka lindur në Berlin, por flet rrjedhshëm turqisht dhe pëlqen të festojë “festivalin e sheqerit”. Familja e saj erdhi vite më parë nga Anadolli, sepse në Gjermani kishte më shumë mundësi për t’u gjetur punë. Tani ne jetojmë të gjithë së bashku, në të njëjtin vend. Kjo mund të jetë emocionuese, por nganjëherë kjo është edhe e vështirë. Sidoqoftë, jeta bëhet më e gjallë kur njerëzit nga të katër anët e botës dhe të gjitha sferat e jetës bashkohen.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Promovimi në UET: Dine Dine, një zë nga thellësitë e terrorit komunist

Mbi varkën e Karontit, me autor Dine Dinen, botim i Mapo Editions, promovohet...
Read More