ALUMNI International: Pasqyra e suksesit te UET


Më shumë se 750 studentë të UET ndër vite kanë ndjekur semestra ose cikle studimi në universitetet më të mira perëndimore. Alumni-UET zgjodhi dje dhe presidenten e re Adela Danaj, që vjen pas studimeve pranë CEU në Hungari

Oksford, Harvard, LSE, CEU nuk janë më molla e ndaluar për studentët shqiptarë. Përkundrazi, çdo vit dhjetra studentë udhëtojnë drejt universiteteve më prestigjoze në botë për një semestër studimi me bursat Erasmus apo për një cikël të plotë studimi.

Universiteti Europian i Tiranës ka tashmë rekordin e tij të studentëve që nga auditoret e tij kanë arritur të përballen me sukses në univesitetet më të mira perëndimore.

Janë më shumë se 750 studentë të UET ndër vite kanë ndjekur semestra ose cikle studimi jashtë vendit duke u kthyer një “pasaportë ndërkombëtare” për vetë universitetin.

Numri i tyre shtohet çdo vit dhe çdo vit në verë ata mblidhen në shtëpinë e tyre të parë, në hollin e UET-it, për të ndarë eksperiencat dhe për të pirë një gotë verë.

UET-Alumni International i mbodhi javën që shkoi shumicën e studentëve të UET që kanë përfunduar studimet, janë duke studiuar ose presin të nisin ato në një prej universitetet prestigjoze jashtë vendit.

Alumni International është një organizëm brenda shoqatës UET-ALUMNI që shënon brenda vetes mijëra studentë që kanë studiuar në UET më shumë se një dekadë të jetës së tij si universitet.

Ata janë ish-studentë të UET të cilët me anë të programeve të shkëmbimit studentor, bursave Ersamus apo nëpërmjet aplikimeve direkte në universitetet europiane dhe  jo vetëm, kanë arritur të prekin një eksperiencë të re akademike.

Tradita e rikthimit në “shtëpinë e parë” akademike i mblodhi dhe këtë vit në UET, ku takimi shënoi dhe një moment të veçantë, zgjedhjen e Presidendit të ri të shoqatës Alumni, e cila këtë herë vjen nga radhët e Alumni International.

Adela Danaj, ish-studente ekselente e UET në Shkencat Politike, sapo është kthyer nga studimet master në një prej universiteteve më të njohur në Europë, Central European University (CEU) në Budapest, Hungari.

E angazhuar në CEU me projekte kërkimore për Ballkanin Perëndimor dhe e vlerësuar me bursë ekselence dhe si imazh i këtij universitetit Adela nuk është një shembujt me të cilët krenohet UET, edhe për faktin që vendosi të kthehej për t’u angazhuar pranë këtij universiteti.

Presidenti i UET, Prof.dr.Adrian Civici, duke vlerësuar komunitetin e studentëve ndërkombëtarë i cilësoi ata si “pasqyra e suksesit të universitetit”.

“Sot krahas UET-it janë dhe logot e disa nga universiteteve më prestigjoze të botës, dhe kjo na bën dyfish krenar që studentët tanë, tashmë bashkëpunëtorët tanë, kanë qenë pjesë e këtyre universiteteve. Ne e kemi bërë traditë, është viti i 9 që organizojmë takimin me  Aluminin, viti tjetër është viti i 10 dhe duke qenë  ky një vit jubilar do të shoqërohet me një botim luksoz dhe prestigjoz me rastet më të suksesshme të Alumnit të UET.

Studentët që vijnë nga këto universitete prestigjoze, dhe punësime po kaq prestigjoze, qoftë në Shqipëri qoftë jashtë, në një farë mënyre janë edhe pasqyra e vërtetë me të cilën ne duhet të përballemi dhe duhet të vlerësojmë veten çdo ditë, se çfarë produkti kemi, sa cilësor është. Po më shumë se kaq ne po bindemi për sensin e dyfishtë të këtij bashkëpunimi. Më shume sesa ne të shohim veten se çfarë kemi prodhuar duhet të bashkëpunojmë me ju për të marrë gjithë elementët pozitivë, gjithë formimin metodidik, akademik, shkencor apo edhe menaxherial  dhe ekzekutiv që ka marrë secili prej jush në kualifikimet apo shkollimet që ka bërë”,- theksoi Civici në fjalën e përshëndetjes.

Studentët sollën historitë e tyre të përballjes me studimet në universitetet perëndimore, eksperienca akademike dhe jetësore.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Lindita Nikolla kërkon takim me Lulzim Bashën: Do të të dëgjoj me respekt

Lindita Nikolla, e cila pritet të rimarrë postin e ministres së Arsimit...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.