Ambasada e Shqipërisë në Francë: Po presim hetimet për vdekjen e Florencit

 

Shqiptari 23-vjeçar, Florenc Beqiraj, që ndodhej prej një jave në gjendje kome në Francë, ka ndërruar jetë mbëmjen e 22 dhjetorit.

I riu mbahej në jetë me makineri të asistencës vitale, dhe pasdite mjekët francezë vendosën t’i hiqnin tubat e oksigjenit.

Këta të fundit nuk kishin shpresë se djali do të dilte nga koma.

Mjekët thanë se 23-vjeçari kishte mos-funksionim të trurit. Beqiraj u kap një muaj më parë pa dokumente në Marsejë, dhe u dërgua në një qendër azilkërkuesisht të refuzuar.

Sipas hetimeve paraprake thuhet se bëhet fjalë për vetëvrasje, edhe pse familjarët e tij e mohojnë këtë gjë.

Hetimet vazhdojnë dhe versioni zyrtar nuk ka dalë ende.


Pas reagimeve të ashpra të qytetarëve shqiptarë për rastin e Florenc Beqirajt ka reaguar ambasada jonë në Francë. Ajo thotë se do të presë hetimet e policisë vendase për të mësuar mbi vdekjen e tij.

Siç bëhet e ditur nga miq dhe të afërt të 23 vjeçarit, ai ka qenë i arrestuar për mungesë dokumentacioni në Marsejë dhe pasi është mbajtur 28 ditë në paraburgim është dërguar me urgjencë në spital në gjendje të rëndë për jetën.

Përmes një video-mesazhi, shqiptarët që e kanë vizituar në spital, sa ishte ende në jetë, thonë se Florenci kishte shenja në qafë. Dhe për ta vertetuar se bëhet fjalë për vrasje publikojnë edhe mesazhin e shokut të tij, ku Florenci i shkruante nga biruca: “po më vrasin”.

Paraprakisht autoritet kanë thënë se bëhet fjalë për vetëvrasje, por pritet që ekspertiza dhe hetimi të nxjerrin te verteten.

Sakaq të shumtë janë bashkëatdhetarët që i kërkojnë qeverisë shqiptare dhe posaçërisht Ministrisë së Jashtme të interesohet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje tejet të rëndë.

Më poshtë deklarata e ambasadës dhe video-mesazhi i shqiptarëve në Marsejë:

Duke u nisur edhe nga interesimi i veçantë mbi rastin e shtetasit Florenc Beqiraj, i cili ndodhej prej disa ditësh në gjendje kritike në spitalin Nord të Marsejës (Francë), Ambasada e Shqipërisë në Francë njofton me hidhërim të thellë se dje pasdreke, ai është deklaruar i vdekur nga autoritetet spitalore franceze. Për këtë gjë, janë njoftuar familjarët e të ndjerit, përfaqësuesit ligjorë të familjes, dhe ambasada.

Ambasada e Shqipërisë, e cila që prej njoftimit të ditës së parë e ka ndjekur nga afër rastin e të ndjerit Beqiraj, në kontakt me autoritetet policore dhe gjyqësore-hetimore dhe me ato mjekësore-spitalore të qytetit të Marsejës, si edhe me të afërmit e tij, i shpreh familjes dhe të afërmve të të ndjerit për këtë humbje të të dashurit të tyre, ngushëllimet e saj të sinqerta, si edhe ato të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Duke vazhduar ta ndjekë nga afër çështjen si me autoritetet policore dhe gjyqësore franceze, në pritje të përfundimit të hetimit zyrtar lidhur me rrethanat e vdekjes së të ndjerit Florenc Beqiraj, ashtu edhe me përfaqësuesit ligjorë të familjes, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ambasada e Shqipërisë janë të angazhuara maksimalisht për të qenë pranë të afërmve dhe për kryerjen e lehtësimin e të gjitha procedurave të parashikuara në këto raste sipas ligjit.

Ajo risjell gjithashtu në vëmendje se mbrojtja e interesave të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj jashtë Shqipërisë është prioritet kryesor i veprimtarisë së qeverisë, e më posaçërisht i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe i përfaqësive të saj në botë.

*Video-mesazhi i publikuar nga shqiptarët pak ditë më parë, kur Florenci mbahej i intubuar në spital

 
Shkruar Nga
More from Redaksia

Arlinda Çausholli: Repost – PËR MËSUESIT.  PËR NE.

-Fatjon, më trego një histori të bukur.  - Çfarë historie zysh?  -...
Read More