Ambasadorët në UET: “Vijoni reformat për të qenë më pranë BE-së”

Diplomatët e huaj në vendin tonë Luigi Scoreca, Cristine Vasac dhe të tjerë nga vendet e BE-së, gjatë takimit në Universitetin Europian të Tiranës treguan sfidat që e presin Ballkanin Perëndimor për integrimin drejt BE-së. Reformat që Shqipëria duhet të vijojë dhe shansi i madh në qershorin e vitit të ardhshëm.

Përfaqësuesit e vendeve të Bashkimit Europian mund të ndahen në pikëpamje për kohën dhe kriteret që duhet të plotësojnë vendet e Ballkanit Perëndimor për t’u integruar në BE, por janë të unifikuar në qëndrimin se: “Vetë vendet e Ballkanit duhet të bashkëpunojnë mes vetes e më pas integrimi bëhet edhe më i lehtë për t’u arritur, në një familje edhe më të madhe”. Kjo ishte fryma që sollën dje ambasadori i BE-së në vendin tonë Luigi Soreca, ajo e Francës Christina Vasac dhe diplomatët e tjerë. Në kuadër të diskutimeve mbi integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, UET në bashkëpunim edhe me organizata të tjera, zyrat e BE-së në Tiranë qendrën franko-austriake për Bashkim në Europë organizuan dje një konference ku u diskutuan e ardhmja e vendeve të rajonit dhe mundësia e integrimit. Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës Adrian Civici në fjalën e tij theksoi se e rëndësishme për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit mbetet që të bashkëpunojnë mes tyre në disa fusha, në mënyrë që ftesën për anëtarësinë në BE ta meritojmë dhe jot ë na e dhurojnë. “Sa më shumë të bashkëpunojnë, aq më shumë do prodhojnë sjellje politike, ekonomike dhe ligjore për t’u integruar me njëri-tjetrin dhe për të patur sa më shumë rrugë të hapura në kuadrin e bashkëpunimit Europian. Jemi të lumtur që organizojmë këtë aktivitet në Universitetit Europian të Tiranës, duhet të angazhohemi të gjithë që procesi të ketë sukses. Ne kërkojmë një integrim të shpejtë në Bashkimin Europian. Një integrim të merituar dhe jo një integrim të dhuruar”, u shpreh Civici. Diskutantët e tjerë diplomatë, të ftuar nga organizata të rëndësishme europiane dhe lektorë të universiteteve të njohura këmbëngulën se vendet e Ballkanit edhe pse janë në rrugën e duhur, do të duhet të punojnë më shumë për të realizuar reformat e nisura, që janë edhe kusht për integrimin e mëtejshëm të BE-së.

Ballkani në paqe…

Rëndësi në diskutime iu dha idesë që duhet të jenë të parët vetë vendet e rajonit që të nisin bashkëpunimin politik, ekonomik, por edhe kulturor, duke lënë pas konfliktet e vjetra, me synimin e përbashkët integrimin drejt BE-së. Në samitin e fundit të mbajtur për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Franca dhe Holanda ishin dy vendet skeptike që dolën kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë, por për ambasadoren franceze në Tiranë, presidenti Macron është shprehur qartë pro integrimit të vendeve të Ballkanit që duhet të realizojnë disa reforma tashmë të nisura. “Gjatë samitit për vendet e Ballkanit Perëndimor, që u zhvillua në Sofje më 17 maj 2018, presidenti Macron ka qenë shumë i qartë në këtë pikë dhe dua ta citoj. ‘Interesi ynë si dhe përgjegjësia jonë dhe ajo që do të na ndihmojë të ndërtojmë një sovranitet të vërtetë Europian në planin gjeopolitik, është të lidhim pas nesh Ballkanin Perëndimor pranë BE-së, ta bëjmë këtë gjë me forcë, me qartësi strategjike’. Nuk ka asnjë ambiguitet për sa i përket angazhimit të Francës”-deklaroi ambasadorja e Vasac. Për ambasadoren, takimet mbi të ardhmen e Shqipërisë dhe Maqedonisë drejt BE-së Komisioni konfirmoi perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, por gjithashtu saktësoi dhe kujtoi reformat që i presim akoma në fushën e shtetit të së drejtës, luftës kundër korrupsionit, por dhe në fushën ekonomike dhe të pajtimit që është në qendër të procesit të Ballkanit Perëndimor. Për ambasadoren, konkluzionet e Këshillit të Europës janë në të njëjtën linjë që nënvizojnë pa asnjë lloj ekuivok progreset që janë bërë në Shqipëri dhe Maqedoni, por duhen edhe progrese të tjera të detyrueshme në lidhje me hapjen e negociatave të aderimit në qershor të vitit 2019. “Të vazhdohet procesi i rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve, vettingu, në veçanti me dosjet prioritare. Gjithashtu, të krijohen dhe të fillojnë punën strukturat gjyqësore të pavarur që janë të parashikuara nga Kushtetuta. Duhet përfunduar vënia në funksion të organeve të specializuara siç është struktura speciale lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe gjykatat special. Të rritet sa më shumë numri i hetimeve, padive dhe vendimeve gjyqësore të larta përfundimtare, në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”-tha Vasac.

Scoreca: Inkurajuese lufta ndaj krimit

Edhe diplomatët e tjerë të Austrisë dhe Rumanisë shprehën rëndësinë e vijimit të reformave në vendin tonë, duke e konsideruar çështjen e integrimit të BE-së si momentin më të rëndësishëm historik. U renditën disa nga arritjet, ku me shumë interes diskutantët iu vunë theksin reformave ligjore dhe ekonomike që duhet të vijojnë më me shpejtësi. Vetë procesi nuk mund të shihet i veçuar dhe përqendruar vetëm në detajet teknike të reformave, por duhet të shoqërohet me një klimë të qetë politike. Diplomatët e huaj e shohin me shqetësim konfliktualitetin politik jo vetëm mes vendeve të rajonit, por në secilin shtet që mëton të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Për Shqipërinë kriteret duken të qarta, ku rëndësia e Reformës në Drejtësi dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit po shihen me “lupë” nga Brukseli. “Është një çështje shumë thelbësore dhe ne si Bashkim Europian kemi parë në javët e fundit një përpjekje të rëndësishme, të bërë nga autoritetet shqiptare, nga Policia e Shtetit shqiptar, kam dhënë dhe një deklaratë për këtë, dhe duhet të vazhdojë kjo rrugë, duhet që ne të kemi një Ministri të Brendshme funksionale e cila është e aftë të vazhdojë me forcën e ligjit kundër krimit të organizuar”-deklaroi ambasadori i BE-së Luigi Scoreca. Rruga e Shqipërisë drejt BE-së shpesh është vënë në rrezik nga përplasjet politike në vend, kjo u konstatua edhe nga diplomatët e huaj, që bënë thirrje për bashkëpunim më të madh mes forcave politike në interesit të vendit, veçanërisht para vendimeve të rëndësishme që do të merren në qershorin e vitit të ardhshëm, për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë. Kreu i BE-së në vendin tonë shprehet se lufta kundër korrupsionit është një luftë e përditshme. “Është detyrë e të gjithëve ne së bashku. Janë çështje që duhet të çohen përpara nga autoritetet e vendit, ka sensitivitete të ndryshme brenda BE-së, ka persona të ndryshëm që duhet të vijnë në një përfaqësim mendimi, dhe shpresoj që autoritetet shqiptare të fokusohen në këto reforma”-tha Scoreca.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Detajet e hetimeve: A po ngushtohet ‘laku’ për Saimir Tahirin…?

Vetëm pak ditë pasi ka dorëzuar mandatin e deputetit ngjarjet rreth Saimir...
Read More