Ambasadorët shqiptarë si agjentë marketingu

Nga Ervis Iljazaj

Edi Rama ka zhvilluar një takim më trupën diplomatike shqiptare, ku në fokus ka qenë diplomacia ekonomike. Në këtë takim është theksuar roli i rëndësishëm që mund të kenë ambasadorët tanë për të tërhequr sa më shumë investime të huaja.

Në vitet e fundit ka një rënie të investimeve të huaja në Shqipëri, dhe në këtë kuptim, me sa duket qeveria shqiptare duket e shqetësuar, duke qenë se ato përbëjnë një nga elementet thelbësore të ekonomisë shqiptare.

Diskutimet mbi investimet e huaja janë më shumë sesa një takim me ambasadorët, dhe kërkojnë strategji afatgjatë për të tërhequr sa më shumë të tilla. Strategji të cilat në këto 27 vite kanë munguar, dhe shpesh jemi kufizuar me ndonjë investitor të “madh” që më shumë sesa kanë investuar kanë përfituar dhe janë larguar pa lënë nam dhe nishan.

Pothuajse asnjë nga multinacionalet e rëndësishme nuk ka shkelur asnjëherë tokën shqiptare, si Nestle, Ikea, McDonalds apo ndonjë tjetër. Kështu që, tërheqja e investimeve të huaja të rëndësishme në Shqipëri mund të konsiderohet një dështim, me përjashtim të ndonjë rasti të veçantë dhe biznesi jo shumë të konsiderueshëm të huaj.

Edhe pse faktorët që ndikojnë në tërheqjen e investimeve të huaja janë të shumta, është e vërtetë që diplomacia ekonomike ka një rol të rëndësishëm në këtë drejtim. Rol të cilin ambasadorët tanë nuk e kanë kryer siç duhet deri më tani.

Ambasadorët tanë, kudo të shpërndarë nëpër Botë, duhet ta shohin Shqipërinë si një korporatë, e cila ka nevojë të përfaqësohet denjësisht dhe vetëm në interes të saj.

Roli i ambasadorëve, i cili mjaftohet me takime dhe ceremoni formale që organizohet si pasojë e protokollove të paracaktuara dhe ku i vetmi funksion në to është vendosja e flamurit shqiptar, është një diplomaci që duhet të marrë fund.

Korporata Shqipëri ka nevojë për një aksion më aktiv në interes të zhvillimit të saj në një konkurrencë globale dhe të ashpër. Ambasadorët janë prezantimi i parë që vendet e huaja kanë me Shqipërinë. Në këtë kuptim ata janë marketuesit e parë të saj. Dhe ky është një mision i rëndësishëm. Duke filluar që nga formimi i tyre, kultura e tyre, e duke përfunduar tek aftësia e tyre për ta paraqitur atë me të gjithë potencialet e saj, është detyra kryesore e ambasadorëve shqiptarë.

Është normale që të tërheqësh investime të rëndësishme, ka nevojë për kushte ekonomike dhe politike të cilat duhet të plotësohen brenda Shqipërisë për të qenë sa më joshës për bizneset ndërkombëtare të rëndësishme, por një rol i rëndësishëm duhet të kryhet edhe nga përfaqësuesit tanë kudo në vendet europiane dhe përtej. Është vështirë të mendosh, se shumica e ambasadorëve tanë, kanë si fokus të tyre takimet apo lobimet me kompanitë e mëdha ndërkombëtare për t’i tërhequr ato në Shqipëri. Apo nëse vërtet janë të shqetësuar për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë në sy të të huajve, i cili sjell të mira kulturore dhe ekonomike.

Të përfaqësosh Shqipërinë sot, shihen si një fund karriere dhe si një post ku mund të punosh pa stres dhe në qetësi, larg llogaridhënies ndaj qytetarëve. Shpeshherë posti i ambasadorit shërben si një qokë ndaj një miku apo një të afërmi. Një punë pra, që nuk kërkon sakrifica dhe mundime, por si një privilegj i rehatshëm dhe pa shumë kokëçarje.

Ndërkohë që logjika e përfaqësimit duhet të jetë totalisht e kundërt. Shqipëria nuk ka ndonjë peshë të rëndësishme në arenën ndërkombëtare dhe gjeopolitikën e saj. Vendimet e saj politike në politikën ndërkombëtare nuk mund të ndikojnë thelbësisht fatet e Europës apo të Botës. Në këtë kuptim ambasadorët tanë duhet ta shohin rolin e tyre, si agjentë marketingu dhe ekonomie të Shqipërisë, vetëm me një funksion, të ndikojnë sa më shumë të jetë e mundur për zhvillimin ekonomik të saj, duke e marketuar atë kulturalisht dhe potencialisht si një vend i cili ka të gjitha mundësitë për investimet e huaja.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Librat më të debatuar: 10 historitë që ndezën provokime në media

Politika, letërsia, realiteti, erosi, anonimati, diktatura, dosjet, hakmarrja…janë disa arsye që i...
Read More