Ambasadori Lu në Portokalli, shfaqje e paprecedent, e qartë dhe e vendosur

Nga Ervis Iljazaj

Shfaqja e Ambasadorit Donald Lu në emisionin humoristik Portokalli, shkaktoi debate të mëdha për faktin se, edhe pse në një spektakël humori, ishte më serioz se asnjëherë tjetër.

Për natyrën e mesazheve, për vendosmërinë dhe qartësinë e tyre, të krijohej ideja se Lu ishte i ftuar në një emision politik dhe jo humoristik. Por, siç është ajo shprehja popullore: “me të qeshur më të ngjeshur’’, Lu gjeti rastin për të bërë batuta nga më të ndryshmet, që në thelb, nuk janë asgjë tjetër, përveçse ritheksimi i linjës politike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të tij në Shqipëri.

Aktorët e talentuar të Portokallisë, të transformuar në personazhet kryesore të politikës shqiptare, të vendosur përballë ambasadorit, atij të vërtetit, ishte një skenë e montuar që fliste më shumë se çdo realitet tjetër. Deri aty sa, ishte ambasadori ai që vendoste “tregun” politik, që në këtë rast ishte kamufluar si treg mallrash për arsye të humorit.

Në fakt, kjo shfaqje e Ambasadorit Lu, është një shfaqje e paprecedent. Asnjëherë nuk ka ndodhur, që një ambasador të shfaqet në një nga emisionet më të ndjekura shqiptare, duke dhënë mesazhe kaq të forta dhe të drejtpërdrejta.

Kjo tregon vendosmërinë e misionit të tij politik në Shqipëri. Batutat me “burgun” me “peshkun e madh”, apo me fjalinë “Nuk iki pa vënë drejtësinë në Shqipëri”, janë mesazhe që nuk janë dëgjuar ndonjëherë më parë nga ndonjë ambasador me kaq insistim.

Mund të jetë vallë një insistim personal i Donald Lu dhe jo i Shteteve të Bashkuara një linjë politike kaq e qartë dhe këmbëngulëse?

Faktet deri më tani kanë treguar që jo. Sigurisht që, nga të gjithë ambasadorët amerikanë të shpërndarë nëpër Botë, mund të ketë edhe raste kur një ambasador ka zhvilluar një politikë personale dhe ka përfituar nga ajo, por, kurrsesi një shtet si Amerika ku politika e jashtme zë një pjesë shumë të rëndësishme, nuk mund të lejojë devijime apo të tolerojë që një ambasador të mos realizojë interesat e shtetit të tyre, aq më tepër, kur ka në dispozicion për këtë arsye një sërë shërbimesh mbështetëse.

Kështu që, duan apo nuk duan politikanët shqiptarë, Reforma në Drejtësi, zbatimi i saj dhe lufta ndaj korrupsionit, që nënkupton hetim për të gjithë zyrtarët e lartë që kanë abuzuar dhe abuzojnë me pushtetin, nuk është aspak një mision personal i Donald Lu, por një mision i Shtetit Amerikan në Shqipëri dhe më gjerë.

Drejtësia është duke u përdorur si instrument diplomatik nga SHBA në të gjithë Rajonin e Ballkanit. Sepse, kurrsesi interesat gjeopolitikë nuk mund t’ia lërë në dorë klasës politike ballkanike të korruptuar.

Prandaj, në radhë të parë drejtësia e pavarur dhe lufta ndaj korrupsionit në Shqipëri është interes i vetë Shteteve të Bashkuara dhe në radhë të dytë, interes i qytetarëve shqiptarë, të cilët vuajnë mungesën e drejtësisë për më shumë se 15 vite në kurrizin e tyre apo arrogancën e pushtetit që i përplas në fytyrë pasurinë e tij pa i hyrë gjemb në këmbë.

Për këtë arsye, Donald Lu nuk rresht së thëni në publik se politika nuk e do Reformën në Drejtësi, duke u kthyer kështu në armikun kryesor të saj, por në mikun më të mirë të qytetarëve shqiptarë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Gjiri i Vlorës dhe ferri i betonit të Lungomares

Baza e projektit të Lungo Mares janë muret dhe shkallët e betonit ...
Read More