Ameba – vëllim me tregime nga Rigel Rizaj



Nga Diana Çuli – Para disa kohësh pata nëpër duar librin me tregime, Ameba, të Rigel Rizajt. Dhe, siç na ndodh shpesh – punët e ndryshme, urgjencat e ditës, ato që janë më të nevojshme, po jo më të mirat – më penguan që ta lexoja menjëherë. Ndoshta në nën-ndërgjegje e ndjeja se duhet të gjeja një kohë më të qetë dhe një çast të pangarkuar që të lexoja këtë libër. Ndoshta prandaj dhe nuk u nxitova.

Pritja e meritonte kohën që mori. Leximi i këtij vëllimi rreth tetëdhjetë faqesh dhe reflektimi mbi të do të ndehet, besoj, jo pak në reflektimet e mija letrare. Për mosbesimin e pabazë që shumë njerëz shpesh shprehin për ardhmërinë e letërsisë shqipe, për shpërfilljen ndaj shkrimtarëve të rinj ose më pak të rinj, për shkrimtarët prodhimtarë – të cilët nuk i lexojnë fare po vetëm i përbuzin, për kritikën letrare që nuk është ajo që do të dëshironim të kishim, për hierarkinë e vlerave apo për vlerësimin e vlerave që mund të kemi….

Këto përsiatje më erdhën fillimisht në mendje kur mbarova së lexuari tregimet e Rizajt, por, vetëkuptohet se mendova edhe mjaft mbi origjinalitetin e këtij tregimtari, që shpresoj të mos tutet nga heshtjet, nga indeferencat, nga dilemat e natyrshme të krijimit dhe të vazhdojë të shkruajë.

Ameba, na thotë autori në tregimin me të njëjtin titull, është një ndjesi, një metaforë, një figurë që ndihmon të shprehurit e një ideje letrare, e një veprimi fizik, e një kërkimi ekzistencial, e një dashurie apo mallëngjimi….ajo është kjo ndjesi, e përftuar nga një sintezë e fuqishme figuracioni.

Në të vërtetë figuracioni – metaforat, alegoritë, grotesku, kontrasti, simbolikat, paralelizmat figurative e shumë të tjera e pasurojnë në të gjithë regjistrin gjuhën e përdorur, e cila, në vetvete është shumë e pasur. Jo vetëm që Rigel Rizaj e përdor me mjeshtëri fjalën shqipe, sintaksën e morfologjinë e shqipes, jo vetëm zbulon e ringjall, duke iu dhënë dritë shumë formave gjuhësore të lëna në harresë, por edhe fjalëformon pa shkaktuar bezdi, përkundrazi.

Por, gjuha dhe format e saj të të shprehurit janë mjetet që ai vë në punë për të përçuar idetë apo atmosferën e skicave dhe tregimeve që shkruan.  Në disa prej tyre, si Gjithë qytetërimet e mija, Shtojzovarga, Mbi tim atë dhe engjëjt apo Vdekja e labirintit, po edhe në të tjerët, ndeshim një kërkim autentik të njohjes së vetvetes, përmes hetimit dhe vëzhgimit të zonave pak njohura, ose dhe të njohura të qenies njerëzore, por të prekura e të trajtuara nga një pikëshikim tepër origjinal. Një proverb, një gjest, një orë dashurie, një peizazh mund të jenë objekt përsiatjeje, përshkrimi e thellimi për tregimtarin Rigel Rizaj. Mënyra e tij e të shkruarit dhe ky depërtim në psiken njerëzore më ndërmend, pohimin e dikurshëm të surrealistëve se çlirimi i personalitetit kalon përmes çlirimit të gjuhës.

Në një kohë kur prirja e letërsisë në rang global mund të përcaktohet “më shumë realitet e më pak fantazi”, Rigel Rizaj duket sikur dëshiron të ngulmojë se në letërsi nuk ka kanone, por vetëm përpjekje dhe sfida të mundimshme për të shkruar mirë.

E vetmja gjë që do të doja që autori ta kishte pak kujdes, është që pasuria e madhe e figurshmërisë të mos shndërrohet një ditë në pengesë për vetë rrëfimtarinë. Por kjo mund të jetë një drojë e padrejtë e imja. Ai që shkruan të tilla tregime e di se në çfarë shtrati duhet ta drejtojë lumin e tij.

loading...
Shkruar Nga
More from Redaksia

Prokurorët shqiptarë zbarkojnë në Katania, do të marrin në pyetje Moisi Habilajn

Mediat italiane raportojnë se prokurorë të Krimeve të Rënda në Tiranë do...
Read More