Amendamentet e PD-së për buxhetin, më në fund një akt politik i vërtetë

Nga Ervis Iljazaj

Partia Demokratike pas mbledhjes së Grupit Parlamentar, ka dalë me një listë amendamentesh për ndryshime në buxhetin e vitit 2018. Pas një periudhe të gjatë politike, ku opozita ka marrë rolin vetëm të një denoncuesi dhe aspak të një partie që duhet të frymëzojë qytetarët si një alternativë e besueshme, më në fund kemi një akt politik të vërtetë nga ana e saj.

Natyra e opozitarizmit në Shqipëri ka qenë gjithmonë e kësaj natyre. Deri më tani jemi mësuar me opozita që reduktohen thjesht në parti politike që denoncojë dhe nuk frymëzojnë, e që presin radhën të vijnë në pushtet jo si meritë të tyre por si largim i kundërshtarit politik. Kjo është fatkeqësia më e madhe e politikës shqiptare. Alternativa politike nuk ka ardhur si pasojë e një politike ndërtuese, por si pasojë e një politike vetëshkatërruese e partisë në pushtet.

Në këtë kuptim, amendamentet e opozitës janë për t’u përshëndetur, si një akt politik me rëndësi, nëpërmjet të cilit, Partia Demokratike shpreh vizionin e saj mbi ekonominë dhe mënyrën e zhvillimit.

Edhe pse për përmbajtjen e tyre ka shumë për të diskutuar. Nëse u hedhin një shikim të shpejtë amendamenteve, gjeja e parë që vihet re, është kontradikta e politikave që propozohen. Në to propozohet ulja e taksave, pothuajse në të gjitha të ardhurat personale, dhe rritja e shpenzimeve sociale, rrogat, tekstet falas etj. Pra, propozime populiste, siç është zakon e çdo opozite. Në këtë kuptim, ato janë jo të menduara mirë, pasi nuk gjendet asnjë shpjegim logjik ekonomik se si me një të rënë të lapsit, do të ulen taksat në këto nivele duke rritur kaq shumë shpenzimet sociale.

Megjithatë, e rëndësishme për politikën, dhe këtu qëndron vlera e vërtetë e propozimeve të Partisë Demokratike, është fakti që më në fund të futemi në diskutime dhe përballje të tilla alternativash ekonomike.

Ligji i buxhetit është ligji më i rëndësishëm për një shoqëri. Aty përcaktohen taksat, investimet, infrastrukturat e reja që do të ndërtohen, rritja ekonomike. Pra, jeta e qytetarëve dhe si do të jetë ajo vitin e ardhshëm.

Nga ligji i buxhetit shihet vizioni që një forcë politike ka për zhvillimin e ekonomisë dhe shoqërisë në përgjithësi. Po ashtu, dallohen ndarjet ideologjike dhe mendimet për politikën. Prandaj, ligji i buxhetit është jo vetëm ligji më i rëndësishëm në aspektin ekonomik, por edhe në atë politik.

Nuk ka moment tjetër më të rëndësishëm politik se sa momenti i diskutimit të projektbuxhetit. Në këtë kuptim roli i opozitës është shumë i rëndësishëm në këto momente.

Opozita shqiptare, bën një gabim fatal nëse mendon se mund të braktisë këtë moment. Për një forcë politike, momenti i diskutimeve për buxhetin është aq i rëndësishëm sa vetë ekzistenca në politikë. Të gjitha të tjerat, janë konsum mediatik i ditës, që as nuk ka vlerë për shoqërinë.

Partia Demokratike, në të mirë të saj dhe të Shqipërisë, bën mirë që të ketë alternativën e saj për projektbuxhetin e 2018-s. Politika e vërtet bëhet me problematikat e qytetarëve, dhe jo me retorikë boshe që nuk krijon besim tek askush.

Vendi ka nevojë për një alternativë të besueshme, e cila ndërtohet me një dimension politik të qartë, dhe një dimension i tillë ndërtohet vetëm duke prekur problemet konkrete të qytetarëve, që parashikohen në ligjin e buxhetit. Deri më tani, për fat të keq tek opozita nuk kemi parë një vizion të qartë se si mund të qeveriset vendi.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Për Metën president

Nga Ndriçim Kulla Ilir Meta hyri në Presidencën e Republikës pasi i...
Read More