Amerika kërkon bashkëpunim politik, jo bashkëqeverisje

Nga Ervis Iljazaj

Pas një interviste të zv.ndihmës/sekretarit të Shtetit Hoyt Brian Yee për Zërin e Amerikës ku ai bëri thirrje për vazhdimin e bashkëpunimit mes shumicës dhe opozitës, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve, janë bërë aludime përsëri në media për ekzistencën e mundësisë së një bashkëqeverisjeje midis Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste. Kjo deklaratë ka shërbyer në fakt për të krijuar spekulime që bashkëqeverisja ka dhe bekimin amerikan.

Që nga momenti i marrëveshjes kaq shumë të përfolur midis Ramës dhe Bashës për të futur vendin drejt zgjedhjeve me pjesëmarrjen e opozitës e cila kërcënonte me mospjesëmarrjen e saj, kjo marrëveshje është parë si një lloj akti sekret që, ndër të tjera, parashikon dhe bashkëqeverisjen midis dy forcave politike kryesore.

Edhe pse tashmë ajo marrëveshje e mbaroi misionin e saj, vazhdon ende të shihet si një marrëveshje që do të shkojë përtej zgjedhjeve. Ka shumë nga zërat publikë, që e shohin atë si një premtim që Rama i ka bërë Bashës për ta përfshirë në qeveri.

Përtej faktit që një bashkëqeverisje pas një rezultati të tillë zgjedhor, është kundër interesit publik dhe logjikës politike, pasi deformon vullnetin e sovranit, i cili zgjodhi qartazi forcën politike që do ta qeverisë në katër vitet e ardhshme, ka një keqkuptim midis asaj që quhet bashkëpunim politik dhe bashkëqeverisje.

Marrëveshja politike midis Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste është e domosdoshme sa herë që nevojiten votat për reforma esenciale, si për shembull ajo zgjedhore apo reforma të ndryshme kushtetuese. Kjo lloj marrëveshjeje duhet mbështetur për të krijuar një klimë politike bashkëpunuese sa herë që nevojitet për rregullat e lojës, por bashkëqeverisja është një marrëveshje totalisht e kundërt dhe, që duhet refuzuar, sepse është në dëm të vetë forcave politike që do ta aplikojnë atë dhe lë vendin pa opozitë, e cila, me gjithë problematikat e saj, ka qenë instrumenti i kontrollit ndaj pushtetit nëpërmjet denoncimeve dhe betejës politike që zhvillon në Parlament.

Në këtë mënyrë duhen kuptuar të gjitha deklaratat e Yee për Zërin e Amerikës. Amerikanët kërkojnë vullnet politik për të çuar reformat përpara të domosdoshme për integrimin e Shqipërisë në BE. Reformat në optikën e tyre kërkojnë dhe miratimin e opozitës. Kështu që, bashkëpunimi politik bëhet i domosdoshëm, por kjo nuk do të thotë bashkëqeverisje. Të lodhur nga klima konfliktuale e politikës shqiptare, padyshim, që i është sosur durimi dhe, në këtë mënyrë kërkojnë të imponojnë një frymë bashkëpunimi midis forcave politike kryesore.

Nëse ky bashkëpunim do të bëjë të mundur, aprovimin e reformave thelbësore që i duhen vendit, atëherë mirë se të vijë. Por, nëse përkthehet në një aleancë të gjerë qeverisëse, atëherë kjo përbën një marrëveshje totalisht kundër çfarëdo lloj arsyetimi politik normal.

Në letër duket një gjë e duhur: kundërshtarët tradicionalë bëjnë aleancë për interesin kombëtar, për të formuar një qeveri të qëndrueshme që mundëson realizmin e reformave të vështira por të domosdoshme. Por, ideja e një bashkëqeverisjeje do të rezultonte një katastrofë politike, jo vetëm për këto dy parti, por edhe për sistemin politik në përgjithësi, siç e kanë demonstruar dhe shumë raste të tilla në vendet ku është aplikuar një model i tillë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ekspozita: ‘Veprat e kthyera’ jashtë propagandës

Këtë të diel do të jetë falas hyrja në Galerinë Kombëtare të...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *