Amerika si dora e shpëtimtarit të largët, të kthyer në simbol përjetësisht i afërt

Marrë nga libri Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane

Nga Ndriçim Kulla

Presidenti  amerikan  Wilson  shkoi  në  Konferencën  e Paqes në Paris me synime tërësisht të ndryshme nga  ato  të  liderëve  të  fuqive  të  tjera  të  mëdha  të  Antantës, fitues të Luftës së Parë Botërore, të cilët donin të vazhdonin me traditën e diplomacisë së vjetër që i vendoste hartat e rajoneve të ndryshme të botës mbi tavolinat diplomatike dhe i hiqnin vijat e kufijve sipas interesave të tyre. Wilsoni u shpall mbrojtës i parimit të vetëvendosjes së kombeve. Prandaj,  qëkurse  Wilsoni  shpalli,  që  para  përfundimit  të luftës, parimet e tij të njohura, ai u bë shpresa e kombeve të shtypura që rrezikoheshin përsëri nga diplomacia e fuqive të mëdha fituese të luftës. Shqipëria ishte një nga vendet e vogla më të rrezikuara nga kjo diplomaci e pamëshirshme.

Përfaqësuesit e Britanisë së Madhe dhe të Francës në Konferencën e Paqes, e shikonin Wilsonin si pengesë për të realizuar Traktatin e fshehtë të Londrës të vitit 1915, për shkak se parimet që kishte shpallur Wilsoni për paqen, binin ndesh me konceptin e këtij traktati, që copëtonte territorin e më të dobëtit në favor të më të fortëve. Prandaj përfaqësuesit e lartë të fuqive të mëdha aleate, përfituan nga largimi i Wilsonit në Amerikë, për të realizuar në mungesë të tij planet e tyre për të cilët e dinin se ai nuk do të ishte dakord. Kështu, në 14 janar 1920, në Konferencën e Paqes u arrit një marrëveshje e arritur mes përfaqësuesve të Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë, për ndarjen e Shqipërisë mes Italisë, Greqisë dhe Mbretërisë serbo-kroato-sllovene. Përfaqësuesit e tri fuqive të mëdha e shmangën edhe përfaqësuesin e mbetur amerikan Polk, duke menduar se Amerika nuk do të donte që t’i ndynte duart me punë të tilla dhe do të ishte dakord në heshtje. Por Wilsoni u indinjua shumë nga një sjellje e tillë e aleatëve.

Që nga ky çast nisi një leksion i gjeopolitikës etike nga ana e presidentit amerikan ndaj drejtuesve të Francës dhe Britanisë së Madhe. Në një notë që presidenti Wilson iu dërgoi në 10 shkurt kryeministrave të Francës dhe Britanisë së Madhe thuhej:

Memorandumi i 9 dhjetorit (1919- N.K.) ruante, deri në njëfarë mase, unitetin e shtetit të Shqipërisë. Ai i 14 janarit e ndan popullsinë shqiptare, me gjithë protestat e saj të fuqishme, midis tri fuqive të huaja të ndryshme.

Qeveritë e Francës dhe Britanisë së Madhe dhe drejtuesit e tyre Klemansoi dhe Lloid Xhorxhi nuk e kuptonin dot këtë gjuhë të re etike, në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ato ishin mësuar që në konferenca të tilla si ajo e paqes pas Luftës së Parë Botërore, të flitej me një tjetër gjuhë, me atë të interesave të fuqive të mëdha dhe të aleatëve të tyre. Prandaj ato në notën e përbashkët të përgjigjes për qeverinë amerikane, thoshin:

Qeveritë e Britanisë së Madhe dhe të Francës e quajnë të udhës të përsërisin se e kanë të vështirë të kuptojnë qëndrimin e tanishëm të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara ndaj propozimeve të tyre dhe ato shpresojnë se, pas shpjegimeve që po jepen, kjo Qeveri do të gjejë mënyrën që ta rishikojë qëndrimin e saj.

Qeveria franceze dhe ajo britanike nuk e kuptonin gjeopolitikën etike të qeverisë amerikane ndaj Shqipërisë dhe mendonin se ajo ishte vetëm një retorikë boshe që do të merrte fund në një çast. Në këto kushte, presidenti Wilson u detyrua t’u thoshte troç Klemansoit dhe Lloid Xhorxhit, me notën e 6 marsit 1920, se gjeopolitika etike amerikane ndaj Shqipërisë nuk ishte një hipokrizi, por një gjë serioze.

Megjithatë, çështjet shqiptare nuk duhet të futen në diskutimin që propozohet midis Italisë dhe Jugosllavisë dhe Presidentit i duhet të deklarojë edhe një herë se nuk do të miratonte asnjë plan që do t’i jepte Jugosllavisë një kompensim territorial në pjesën veriore të Shqipërisë, në vend të një diçkaje që mund t’i shkëputej gjetiu.

Në notën e 6 marsit, presidenti Wilson ndalonte edhe copëtimin e Shqipërisë në Jug, ndonëse nuk përmendte shprehimisht kundërshtimin ndaj pretendimeve greke dhe italiane. Por, duke refuzuar zbatimin e Traktatit të fshehtë të Londrës, të vitit 1915, i cili i jepte Greqisë një pjesë të Jugut të Shqipërisë, si dhe Italisë Vlorën me një zonë të gjerë përreth saj, presidenti Wilson kishte vënë veton edhe kundër tyre.

Politika e përcaktuar qartë dhe e pranuar nga Qeveria amerikane gjatë gjithë kohës që ajo ka marrë pjesë në vendimet e Konferencës së Paqes, ka qenë kjo: që ajo të mos konsiderohet si e lidhur me traktatet e  fshehta për ekzistencën e të cilave ajo nuk ka patur dijeni më parë. Atje ku dispozitat e këtyre traktateve janë të drejta dhe të arsyeshme, Shtetet e Bashkuara janë të disponueshme t’i respektojnë. Por kryeministrat e Francës dhe Britanisë së Madhe nuk mund të presin, natyrisht, që Qeveria e Shteteve të Bashkuara të jetë dakord për zbatimin e kushteve të traktatit të Londrës.

Lloid Xhorxhi dhe Klemansoi kishin menduar se Wilsoni donte të lante duart si Pilati, për zbatimin e Traktatit të fshehtë të Londrës, dhe se ai donte vetëm një justifikim moral para historisë, duke thënë se ai ishte kundër këtyre lojërave të ndyra me fatin e popujve. Por udhëheqësit britanikë dhe francezë ishin gabuar shumë. Wilsoni e kishte seriozisht kur kërkonte gjeopolitikë etike.

Fan Noli në fjalimin e mbajtur në parlamentin shqiptar në 11 shkurt 1924, me rastin e vdekjes së Presidentit Wilson, tha për të, duke iu referuar fjalës që i kishte dhënë Nolit në Malin Vernon:

Dhe e mbajti fjalën. Në janar 1920, një erë zije dhe dëshpërimi kish rënë më të gjitha anët e vendit tonë, i cili qe si i vdekur në agoni. Projektet e copëtimit të Shqipërisë redaktuar prej Aliatëve, ishin njohur dhe pritej vetëm një firmë që të bëhej një fakt definitiv. Firma që mungonte ishte ajo e Presidentit Wilson, firmë që nuk u vu në atë projekt aq të padrejtë. Presidenti Wilson, jo vetëm që nuk vuri firmën, por u përgjigj me dy nota, në të cilat mbronte të drejtën e Shqipërisë së vogël për vetëqeverim, dy nota që janë dy nga xhevahirët më të ndritshëm të karrierës së tij të shkëlqyer. Ato nota ndaluan copëtimin e Shqipërisë që gëzojmë sot.

Por në çastet e fundit pati një tjetër përpjekje djallëzore të fuqive të mëdha europiane për ta anashkaluar veton e Wilsonit kundër  copëtimit  të  Shqipërisë.  Mehdi  Frashëri, i cili ishte anëtar i delegacionit qeveritar shqiptar në Paris, në cilësinë e Ministrit të Punëve të Jashtme, në kujtimet e tij tregon edhe për një truk me të cilin diplomacia dinake e fuqive të mëdha europiane u mundua ta anashkalonte pengesën e Wilsonit, duke nxjerrë teorinë e dhënies së tokave shqiptare me mandat, jo me aneksim:

“Konferenca në një anë zgjidhjen e sipërtreguar ia propozonte Jugosllavisë, në anën tjetër, kinse për të ruajtur tërësinë shqiptare, Shkodrën dhe Drinin nuk ia aneksonte Jugosllavisë, po i jepte mandatin dhe Greqisë i jepte mandatin mbi Korçën dhe Gjirokastrën, si një provincë autonome. Konferenca për të justifikuar këtë zgjidhje kundrejt Wilson-it, më thirri mua me anë të monsinjor Bumçit dhe me anën e delegatit ingliz zotit Lipper, na propozoi që të pranonim tri mandatet. Imzot Bumçi ishte kryetar i dërgatës shqiptare dhe unë si ministër i jashtëm, prandaj mora fjalën dhe iu përgjigja duke i thënë se: “mandati nuk është një send tjetër veçse një aneksim i tërthortë; mandati është një fjalë e krijuar për të gabuar vulgun””.

Meqenëse Wilsoni kishte rënë dakord me modelin e mandatit për vendet e Lindjes së Mesme, kishte rrezik që ta bindnin që ta pranonte këtë kompromis edhe për tokat që kërkohej t’i shkëputeshin Shqipërisë, sipas Traktatit të fshehtë të Londrës. Zgjidhja e mandatit mund t’i dukej oportune Wilsonit edhe për të zbutur konfliktin që ishte krijuar mes Amerikës dhe fuqive të mëdha aleate evropiane, për çështjen e Shqipërisë. Nuk dihet se si do të kishte shkuar ky plan i atyre që nuk ia donin të mirën Shqipërisë, në qoftë se delegacioni shqiptar në Konferencën e Paqes, me të mësuar këtë rrjedhje informacioni nga bisedimet e fuqive të mëdha, të mos lobonte me shpejtësi te Wilsoni. Mehdi Frashëri thotë për këtë në kujtimet e tij:

“Mbi këtë rrjedhje, po atë ditë afër akshamit, kërkova një pjekje me ambasadorin e Amerikës, i cili meqënëse vetë ishte i zënë për çështje të Konferencës, më tha se do të më pranonte kryesekretari i tij. Prandaj menjëherë u ngrita dhe vajta te sekretari i tij, i tregova propozimin e zotit Lipper dhe ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndaluar coptimin e Shqipërisë. Kryesekretari i Ambasadës, fort simpatik dhe njeri i zgjuar, më tha se menjëherë do t’i hiqte telegraf Wilsonit e “nesër të vish e të të jap përgjigjen” dhe më dha të kuptoja se Wilsoni vendimin e Konferencës nuk do ta pranojë. Mbi këtë, menjëherë u ktheva dhe lajmërova shokët, dhe Wilsonit drejtpërdrejt i bëmë një telegraf me kuptimin e poshtëshënuar: “Konferenca e Paqes, Shqipërinë e vogël dhe të dobët është duke e therur. Nuk kemi tjetër mjet shpëtimi veçse mbështetjen dhe parimet e shpallura të zotërisë suaj në emrin e 120.000.000 amerikanëve””.

Kur Wilsoni ka marrë këtë telegram me siguri që atij iu kujtua fjala që i dha Nolit në Malin Vernon. Noli kishte dalë me nder nga ky ballafaqim se të dërguarit e Wilsonit në Shqipëri kishin verifikuar që kërkesat shqiptare qenë të drejta. Tani ishte radha e Wilsonit që ta mbante fjalën që i dha, si kalorës botëror i gjeopolitikës etike, mbrojtës i kauzave të popujve të shtypur dhe pa mbrojtje. Dhe për Wilsonin nuk do të kishte qenë justifikim nëse do të thoshte se ndaloi copëtimin duke e zëvendësuar me mandatin e Greqisë, Mbretërisë serbo-kroato-sllovene dhe Italisë, mbi tokat që atyre iu jepte Traktati i fshehtë i Londrës. Wilsoni e mbajti fjalën dhe nuk e pranoi as këtë truk të fundit të fuqive të mëdha Europiane. Mehdi Frashëri shkruan se kjo histori përfundoi kështu:

Mbas dy ditësh kryesekretari i ambasadës më bëri telefon dhe më tha se kishte lajme nga Washingtoni se Wilsoni mendimin e Konferencës e refuzoi. Mbi këtë përgjigje më erdhi pak shpresë, por megjithëkëtë çështja e Adriatikut mbeti pezull. Wilsoni në telegrafin e tij që i hiqte Konferencës thoshte se për të kompensuar një shtet nuk pranohet dëmtimi i një shteti tjetër, d.m.th. për të kënaqur Italinë dhe për të kompensuar Jugosllavinë, dëmtimi i shtetit të tretë që është Shqipëria nuk është i drejtë.

Tani mund të thuhej se Shqipëria kishte shpëtuar plotësisht. Më 26 mars 1920, në mesazhin përshëndetës që Këshilli i Lartë i dërgoi Kuvendit Kombëtar (parlamentit) me rastin e fillimit të punimeve, kishte dhe një falënderim për presidentin amerikan Wilson që kishte mbrojtur çështjen e Shqipërisë. Kjo është hera e parë në historinë e shtetit shqiptar që i bëhej një nderim i tillë një burri shteti të huaj. Dhe kjo gjë iu bë pikërisht një presidenti amerikan. Shqipëria kishte shpëtuar nga dora e një shpëtimtari të largët, i cili që nga ai çast u bë për shqiptarët një simbol i afërt dhe i pavdekshëm, së bashku me vendin e madh që përfaqësonte.  Woodrow  Wilsoni  vuri  gurthemelin  më  të madh në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Vdes pasagjeri në tragetin Bari-Durrës, dëshmitarët: Nuk e ndihmuan, nuk kishte staf mjekësor

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në qytetin e...
Read More