Analiza gjermane: Ja përse i humbi zgjedhjet PD-ja

Fondacioni “Konrad Adenauer” ka përgatitur një analizë për zgjedhjet në Shqipëri. Walter Glos, drejtori për Shqipërinë, shkruan në analizën e tij se socialistët dolën nga këto zgjedhje si fitues të qartë, ndërsa rendit katër shkaqe kryesore që sipas tij shkaktuan humbjen e demokratëve

Lideri demokrat Lulzim Basha thotë se zgjedhjet u manipuluan masivisht, por një analizë gjermane thotë se shkaqet për humbjen e thellë të demokratëve janë të tjera. Fondacioni “Konrad Adenauer” ka përgatitur një analizë për zgjedhjet në Shqipëri.

Walter Glos shkruan në analizën e tij se socialistët dolën nga këto zgjedhje si fitues të qartë.

“Kurse PD, partneri i PPE, nuk ia doli që të paraqesë një alternativë të besueshme për përmirësimin e të këqijave në vend, qoftë edhe për shkak të humbjes së forcave gjatë 90 ditëve protestë në çadër. Gjithashtu, vështirë se e kuptoi dikush se çfarë programi dhe çfarë qasjesh qëndronin pas të ashtuquajturës “Republika e Re”, që u propagandua për muaj të tërë në çadër nga kryetari i PD-së”.

“Gjatë kohës që PD merrej me veten e saj (90 ditë protestë në çadër dhe bojkot parlamentar), PS dhe LSI punuan për javë të tëra fushatë, duke planifikuar gjithçka dhe duke mobilizuar votuesit e tyre. Publiku thjesht nuk besoi në një ndryshim politik. PD nuk ia doli që të përfaqësojë një alternativë të vërtetë ndaj Edi Ramës”.

Sipas analizës, katër faktorët për dështimin e PD-së janë:

-Protesta në çadër dhe bojkoti parlamentar. Strategjia e opozitës ekstra-parlamentare nuk bindi bazën e tyre elektorale apo votuesit e lëkundur se PD është një alternativë e përgjegjshme politike ndaj PS.

-Mungesa e skuadrave përgjegjëse për organizimin dhe betejën elektorale. Në vend të kësaj, kryetari i PD Lulzim Basha u përfshi në mikro-menaxhimin e fushatës.

-Mungesa e demokracisë së brendshme. Hartimi i listave vetëm nga kryetari i PD, shkaktoi shumë trazira dhe grindje brenda partisë. Në publik nuk u kuptua se përse shumë politikanë të njohur të PD-së, si Topalli, Bregu apo Patozi, mungonin në lista. Për më tepër, në listë mungonte edhe kryetari i angazhuar i organizatës rinore dhe shumë drejtues të organizatave lokale të partisë. Po kështu, as forumet e rëndësishme të partisë nuk u përfshinë në vendimet e kryetarit.

-Mungesa e komunikimit të programit politik dhe financiar. Programi u hartua në bashkëpunim me këshilltarë politikë gjermanë, si një alternativë e qartë rregullatore ndaj politikës aktuale qeverisëse. Por ai u paraqit shumë vonë në publik dhe nuk u shpjegua në mënyrë të mjaftueshme.

Në analizë thuhet se marrëveshja mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës ishte një hap i rëndësishëm, por me sa duket votuesit e PD nuk e panë atë si sukses.

Tani që ka nisur një garë për të zgjedhur kryetarin e ri të PD, në analizë theksohet: “Mbetet për t’u parë se si PD do të manovrojë nga kriza aktuale për të gjetur sërish unitetin. Me cilin kryetar tek e fundit”.

Por përpos analizës së Fondacionit “Konrad Adenauer”, në Partinë Demokratike shkaqet e përgjegjësisë po shihen gjetkë. Edhe pse ka ngrirë veten, Lulzim Basha takoi në cilësinë e kryetarit të partisë vëzhguesit e OSBE-ODIHR dy ditë më parë. Dhe nga takimi, gjithçka u fokusua në shitblerjen e votës. Edhe pse PD-ja nuk e ka thënë ende fjalën e saj përfundimtare nëse do t’i njohë ose jo zgjedhjet, qëndrimi i deritashëm i Bashës të çon në këtë drejtim.

“Basha theksoi se problemi i blerjes masive të votave u shtri në të gjithë vendin me përmasa masive dhe organizim sistematik në zona urbane dhe rurale, shoqëruar nga mbledhja e kartave të identitetit. Përveç angazhimit në shitblerje votash të strukturave partiake të PS-së dhe partive të tjera qeveritare u aktivizuan po ashtu bandat kriminale

që vepronin pa asnjë pengesë dhe në disa raste me ndihmën e strukturave shtetërore, si dhe vetë strukturat shtetërore. Në ndihmë të tjetërsimit të vullnetit të zgjedhësve u përdor edhe shumëfishimi i listës së përfituesve të ndihmës ekonomike në këmbim të votës, punësimet masive në administratë dhe ente publike etj. Një rol të veçantë në shtrirjen masive të shitblerjes së votave ka luajtur paraja e përfituar nga kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike nga bandat kriminale me lidhje dhe mbështetje qeveritare”, thuhej

në njoftimin për shtyp të PD-së. Edhe në deklaratën e parë pas zgjedhjeve të 25 qershorit, Basha tha se procesi ishte triumf i paligjshmërisë.

“…Blerja e votës u bë masivisht, duke zëvendësuar edhe një herë debatin për alternativën, me shukun e parave për votën, duke zhvleftësuar planin dhe projektin, me pagesë për varfërinë e thelluar, për ta bërë më të lehtë këmbimin e saj me të holla. Me para të pista droge dhe korrupsioni qeveritar…”, u shpreh Basha pak ditë më parë.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Morali dhe interesi publik e do që ministrat teknikë të dorëhiqen

Nga Ervis Iljazaj Përtej disa incidenteve episodike, por që nuk cenuan absolutisht...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *