Andi Bejtja, thirrje gazetarëve: A keni dinjitet?! Bojkotoni Ramën!


Pamë sot një skenë, që nuk e kemi parë në asnjë vend të botës, në asnjë vit, në asnjë shekull, në asnjë epokë:

Kryeministrin e një vendi, që del përballë gazetarëve të kombit të vet duke i thënë haptas që “kam dalë të merem me ju” dhe i fyen, i poshtëron, i quan të paditur, injorantë etj etj, jo për 10 sekonda, një apo dy minuta, po për minuta të tëra, madje duke u larguar, dukej qartë dhe i pangopur…

Nga Andi Bejtja

Nuk i mjafton që ka blerë, pjesën dërrmuese të pronarëve të medias me njëmijë mënyra të drejtpërdrejta e të tërthorta, por do, të mendojnë si ai, jo vetëm gazetarët e thjeshtë, por edhe operatorët, edhe montazhierët, madje dhe shoferët e medias.

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që gazetaria shqiptare ka problemet e veta, mund të ketë shumë më pak të ditur se Edi Rama, mund të ketë dhe shumë më të ditur e të shkolluar se ai, por një gjë ja u them me plot gojën: Me gjithë problemet, me gjithe padituritë, me gjithë kompromiset, madje dhe me faktin e shëmtuar se shpeshherë, media ka qënë dhe zgjatim i politikes, media shqiptare është më pak e qelbur dhe më profesionale se politika shqiptare.

E kemi parë Kryeministrin tonë ne studio televizive me gazetarë të ndryshëm, që i ka ofenduar po njësoj si sot, por akoma nuk e di t’i japë përgjigje pyetjes se cili është investimi më i madh në Shqipëri dhe nuk e thotë dot akoma sot e kësaj dite; e kemi parë nëpër samite të ndryshme, kur ai tregonte barcaleta dhe Kryeministri i Serbisë merrte para për vendin e tij..etj etj.

E kemi parë të shajë dhe të ofendojë këdo, jo vetëm gazetarët, por dhe opozitën dhe ish-aleatë. Të jeni të sigurtë, pak më vonë do të shajë dhe do të ofendojë edhe popullin me të cilin mendon se po bashkëqeveris tani. Të vetmit që nuk ka sharë asnjëherë janë të fortët dhe trafikantët.

Po nuk ka rëndësi, le të bëhemi pak amerikanë: Kryeministri po e mbron me thonjtë e lyer me baltë, profesionin e tij, politikën. – Gazetarë, mbroni profesionin tuaj, gazetarinë: Hiqjani mikrofonin Edi Ramës!

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

Dino Mustafiq: “Kultura dhe mentaliteti shqiptar, të forta si emocione…”

Regjisori boshnjak me origjinë shqiptare, Dino Mustafiq, rikthehet në Tiranë me një...
Read More