Antifilozofët, ose Si të jetosh si neglizhent, skeptik, dogmatik apo vetmitar?

Nga Klementin Mile

“Faleminderit, po nuk jam i interesuar! Kam gjëra më të mira për të bërë”. Këtë thotë neglizhenti dhe supozon se filozofia nuk është aq e rëndësishme sa për t’i kushtuar kohë. Por është e pamundur që njeriu të mos filozofojë (të mos mendojë për çështje që lidhen me moralitetin, kuptimin e jetës dhe të vdekjes, raportin e mendjes me trupin, vullnetin e lirë etj). Jeta na hedh në situata që kërkojnë vendime filozofike. Megjithatë, edhe pse filozofimi nuk mund të shmanget, përpjekja për ta bërë këtë ose të kushtuarit shumë pak kohë filozofisë është për të ardhur keq. Sokrati thoshte: “Një jetë e pashqyrtuar nuk vlen të jetohet nga njeriu – mbase nga breshka, por jo nga njeriu”. Po ashtu edhe Paskali shkruante: “Është e qartë që njeriu është bërë për të menduar. Në këtë qëndron dinjiteti dhe merita e tij; dhe e gjithë detyra e tij është të mendojë si duhet”. Pra, do të ishte gabim të mos e shfrytëzonim kapacitetin tonë unik për reflektim filozofik. Ata që ndihen të painteresuar për filozofinë duhet të pyesin veten se pse ndihen ashtu dhe nëse ky është rezultat i keqkuptimit të tyre për filozofinë.

Një tjetër alternativë ndaj filozofisë është skepticizmi. Skeptiku thotë: “Nuk është se unë nuk jam i interesuar për filozofinë. Jam. Por nuk mendoj se mendja njerëzore është e aftë t’u përgjigjet pyetjeve të filozofisë. Filozofët kanë argumentuar të njëjtat pyetje për 2500 vjet pa iu afruar ndopak përgjigjeve të tyre. Pyetjet janë shumë të thella dhe mendja është shumë e kufizuar. Prandaj të bësh filozofi është humbje kohe”. Te qëndrimi i skeptikut fshihet një deluzion: Kush thotë këtë nuk po e hedh poshtë filozofinë, por po merr një pozicion filozofik (epistemologjik në fakt) – skepticizmin. Por skeptikët duhet të bashkohen në dialog racional me të tjerët që mendojnë se mendja njerëzore mund të arrijë më tepër se ç’besojnë skeptikët. Siç shkruan Hegeli: “Njeriu, për shkak se është mendje, duhet ta konsiderojë veten të vlefshëm për më të lartën; ai duhet ta kuptojë madhështinë dhe pushtetin e mendjes së tij dhe, me këtë besim, asgjë nuk do të jetë aq e vështirë sa të mos zbulohet para tij. Qenia e universit, fillimisht e fshehur dhe e mbuluar, e ka të pamundur t’i rezistojë kërkimit për dije; ajo detyrohet të çelet para kërkuesit”.

Dogmatiku, nga ana e vet, thotë: “Ndryshe nga njerëzit që nuk janë të interesuar për çështjet e filozofisë, unë jam i interesuar. Ndryshe nga skeptiku, unë besoj se mendja njerëzore mund t’iu përgjigjet pyetjeve të filozofisë. Por ne nuk kemi nevojë të ‘bëjmë’ filozofi për të zbuluar përgjigjet e pyetjeve të saj. Kemi nevojë vetëm të shohim përreth nesh dhe menjëherë është evidente se cilat janë përgjigjet. Filozofia është për njerëzit që nuk duan të përballen me faktet, pasi nuk i pëlqejnë ato”. Supozimi i dogmatikut është se filozofia është e panevojshme, pasi është e dukshme se si është realiteti. Dogmatiku ka të drejtë kur thotë se kur ne bëjmë filozofi, shpesh dëshirat dhe neveritë tona përcaktojnë presupozimet dhe konkluzionet. Por kjo vlen dhe për të. Dogmatiku nuk e toleron dot pasigurinë dhe ka nevojë të ndiejë që çka e beson për të vërtetë është padyshim e vërtetë. Ose është i verbuar nga emocioni për të dalluar pranueshmërinë e ideve të ndryshme prej të tijave. Ose i mungon formimi dhe imagjinata për të kuptuar që ka alternativa serioze për të parë gjërat. Dogmatiku nuk e pranon faktin që jemi të gjithë të gabueshëm, madje edhe për gjërat që duken evidente. Dogmatizmi nuk arrin ta shpjegojë faktin se si individë njësoj inteligjentë, të sinqertë dhe të edukuar mund të debatojnë thellësisht me njëri-tjetrin për përgjigjet ndaj pyetjeve të filozofisë. Problemi me dogmatikun nuk është çfarë beson, por si e beson atë gjë. Nëse besimi dogmatik është i vërtetë, qëndrimi dogmatik i tëhuajëson të tjerët nga kjo e vërtetë. Nëse besimi dogmatik është fals, qëndrimi dogmatik e ndalon dogmatikun ta zbulojë të vërtetën.

Alternativa e katërt ndaj filozofisë është ajo e vetmitarit. Ky i fundit thotë: “Unë jam i interesuar për çështjet e filozofisë dhe nuk mendoj se përgjigjet e tyre janë evidente. Gjithashtu besoj se mendja njerëzore mund të bëjë progres, por nuk dua të përfshihem në dialog me njerëz të tjerë lidhur me to. Është shumë stresuese dhe ndonjëherë e sikletshme. Prandaj do mendoj vetë dhe vetëm për çështjet e filozofisë”. Implikimi i tij është se mund të bësh filozofi në kokën tënde. Por përvoja, mprehtësia dhe imagjinata e secilit prej nesh është e kufizuar. Kemi nevojë për njëri-tjetrin për të patur një gamë më të gjerë idesh dhe për të reflektuar mbi alternativa që i kanë menduar të tjerët. Privatisht nuk mund të mendojmë aq qartë dhe saktë sa kur komunikojmë me të tjerë. Në Bibël thuhet: “Ashtu si hekuri mpreh hekurin, edhe njeriu mpreh njeriun”. Ndërkohë edhe Dekarti shprehet: “Padyshim që ne e shqyrtojmë më me kujdes atë që presim të lexohet nga të tjerët se sa atë që e bëjmë vetëm për veten, dhe shpesh idetë që mua më janë dukur të vërteta kur i konceptova fillimisht, pastaj më janë dukur false kur desha t’i hedh në letër”. Siç shkruan Jaspersi: “Për të vërtetën nevojiten dy”.

Rubrika Peripatos

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Koha që Rama të përballet me demonët e tij

Nga Arjan Çuri Për ata që ndoshta nuk janë hasur ndonjëherë me...
Read More