Antropologjia, kërkimi i një jete

Nga Aleksandër Dhima

Një vit më parë u promovua në UET libri “Antropologjia etnike e shqiptarëve”, me autor Prof.dr. Aleksandër Dhima, botim i UET-Press. Libri është një punim monumental. Studimi është një punë që analizon gjendjen disashekullore të popullsisë shqiptare, bazuar në gjetjet antropologjike të përftuara prej ekspeditave në terren, burimeve dhe të dhënave dokumentare historike, në një hark kohor që fillon nga ngjizja e popullit shqiptar në Ballkanin Perëndimor dhe vjen deri në shekullin XX”. 

Ndryshe nga degët e tjera zbatuese të shkencave humane, Antropologjia etnike ka njohur historikisht ulje-ngritje, si pasojë e ndërhyrjes së ideologjive të kohës. Megjithatë, në dhjetëvjeçarët e fundit vihet re një rritje e interesit për këtë fushë, për shkak të theksimit të identiteteve etno-nacionale në kushtet e reja të globalizmit. Me botimin e kësaj monografie, kam rastin t’i prezantoj publikut shqiptar dhe më gjerë rezultatet e punës sime kërkimore 40-vjeçare në këtë fushë. Përmes trajtimit të disa prej aspekteve më të rëndësishme të “prerjes” etno-kulturore të shqiptarëve, kam synuar të nxjerr në pah bashkëlidhjen e tipareve të natyrave të ndryshme në sintezën antropologjike të shqiptarëve. Kjo ndërmarrje nuk ka qenë e lehtë, sepse më është dashur të shkel në një terren pak të njohur të shkencave albanologjike. Megjithatë, dokumentacioni historiko-arkivor, burimet e literaturës dhe narracioni i vjelë gjatë kërkimeve në terren ka qenë mjaftueshmërisht i plotë, çka më ka lehtësuar punën drejt orientimit tematik të kërkimit antropologjik të mirëfilltë dhe më ka shtyrë t’i studioj më thellë disa prej dukurive të karakterit biologjik, historik, demografik e social-kulturor nëpërmjet një hulumtimi të dokumentuar rreth shkaqeve, pasojave dhe mundësive të krijuara në rrjedhën e shekujve për ecurinë e fenotipave të dallueshëm në trevat e Shqipërisë, çka përbën objektivin kryesor të këtij punimi. Dëshiroj të përmend këtu ndihmën e paçmuar të etnografëve, arkeologëve dhe historianëve të shquar vendas, si Rrok Zojzi, Selim Islami, Skënder Anamali, Kristo Frashëri, Frano Prendi, Selami Pulaha, Muzafer Korkuti, Neritan Ceka, Abaz Dojaka etj., të cilët, duke më qëndruar pranë gjatë kërkimeve të hershme në terren dhe me këshillat e tyre të vlefshme në trajtimin shkencor të dokumentacionit, u bënë nxitës dhe udhërrëfyes metodikë për vazhdimësinë e punës sime shkencore. I njëjti vlerësim u takon kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të panumërt arkeologë, etnografë, mjekë si dhe kryetarëve të bashkësive lokale e gjurmuesve të trashëgimisë kulturore, me të cilët kam ndarë mundin e punës në terren. Gjithashtu, me këtë rast, unë duhet të falënderoj dhe kujtoj me mirënjohje autoritetet shkencore të huaja në sferën e antropologjisë, me të cilët kam pasur kontakte të drejtpërdrejta, në kuadrin e projekteve shkencore rajonale dhe të bashkëpunimit ndërinstitucional, në konferenca shkencore ndërkombëtare të specialitetit dhe vizitave të punës. Ata janë të shumtë, por unë do të përmend këtu miqtë e mi të çmuar: Prof. Aris N. Poulianos, Athinë (Greqi), i cili, me insistimin e tij në Kongresin e parë të Studimeve Ilire, që u mbajt në Tiranë në tetor të vitit 1972, u bë promotori i nisjes së kësaj disipline të re në Shqipëri; Prof. János Nemeskèri, Budapest (Hungari), me të cilin kemi punuar bashkërisht në terren për studimin paleodemografik të popullsisë apolloniate të shek. I-III të erës sonë; Prof. Dr. André Chevantré, Instituti i Studimeve Demografike pranë CNRS, Paris; Prof. Dénise Ferembach, (Francë); Prof. Petar Vlahović, Katedra e Etnologjisë në Universitetin e Beogradit (Serbi); Prof. Živojin Gavrilović, Universiteti i Novi Sadit (Vojvodinë), i cili ka qenë ndër të parët studiues që ndërmori studime antropologjike mbi shqiptarët e Kosovës; Prof. Dr. Pavao Rudan, Universiteti i Zagrebit (Kroaci), një ndër personalitetet e shquara të antropologjisë bashkëkohore të zbatuar; Prof. Dr. Živko Mikić, Qendra e Studimeve Ballkanologjike, Sarajevë (Bosnje-Hercegovinë), me të cilin kam shkëmbyer mendime të vlefshme mbi facies-in antropologjik të ilirëve; Prof. Dr. Thornstein Sjøvold, Instituti Mbretëror i Antropologjisë, Solna (Stokholm), i cili më ka udhëhequr në përvetësimin e metodës së studimit të tipareve epigjenetike, të hartuar prej tij; Prof. Dr. Eike-Meinrad Winkler, Instituti i Antropologjisë/ Universiteti i Vjenës (Austri), i cili më vuri në dispozicion të gjitha fondet skeletore të disponueshme për studim, sidomos për problemet e vështira të përcaktimit të gjinisë dhe të moshës në skeletet e periudhave të hershme historike; Prof. Cleto Corrain, Universiteti i Padovës (Itali), i cili studioi me përkushtim indikatorët gjenetikë/ prejardhjen e bashkësive arbëreshe, të shpërndara në krahinat qendrore-jugore të gadishullit Apenin. Qëndrimi në Gjermani, në kuadrin e bursës së fondacionit të mirënjohur gjerman “Alexander von Humboldt” për studime pasdoktorale (1991- 1993) më shërbeu për nxënien e përvojës së pasur gjermane në fushën e antropologjisë dhe për pjesëmarrjen me kumtesa në kongrese dhe konferenca shkencore ndërkombëtare në Berlin, Potsdam dhe Madrid. Kohën e qëndrimit në Gjermani e shfrytëzova për përpunimin dhe analizën me metoda bashkëkohore të materialit faktik nga Shqipëria, çka më ndihmoi në rindërtimin më të qartë të morfobiologjisë së popullatave të vjetra dhe në përvijimin e elementëve evolutivë të karakterit antropologjik deri në popullatën e sotme të vendit. Me këtë rast, u bë e mundur të qartësoheshin disa prej hipotezave të hedhura kohë pas kohe nga albanologët (shqiptarë dhe të huaj) mbi prejardhjen ilire dhe vazhdimësinë iliro-shqiptare. Me mirënjohje të veçantë kujtoj përkushtimin e mentorit tim të parë, Prof. Dr. Dr. Dr. Wolfram Bernhard, në udhëheqjen e punës sime shkencore gjatë qëndrimit në Departamentin e Antropologjisë dhe Gjenetikës Humane në Universitetin “Johannes Guttenberg” të Majncit si dhe në hartimin e punimit pasdoktoral “Beitrag zur ethnischen Anthropologie der Albaner” [Ndihmesë për antropologjinë etnike të shqiptarëve]. Synimi i kësaj ndërmarrjeje shkencore ishte një interpretim shkencërisht i besueshëm i përbërjes antropologjike të shqiptarëve, në kuadër të popullatave të Evropës Juglindore dhe të hapësirës mesdhetare. Për mua do të mbeten gjithashtu të paharruara takimet dhe konsultimet e shumta me të ndjerën Prof. Dr. h.c. Ilse Schwidetzky, eksperten eminente të historisë antropologjike të popujve të botës dhe promovuesen e punës shkencore të pothuajse të gjithë antropologëve evropianë; ajo, me gjithë moshën e thyer, punoi me përkushtim për redaktimin shkencor të artikujve të mi mbi antropologjinë e shqiptarëve, që panë dritën e botimit në revista ndërkombëtare me bord editorial, si “International Journal of Anthropology” (Firenze, 1993), “Homo” (Stuttgart/ Jena/ New York, 1994) dhe “The Mankind Quarterly” (Springfield-IL, 1995). Një admirim të thellë ushqej sot e kësaj dite për mentorin tim të dytë, Profesor emeritus Dr. Dr. h. c. Horst-Dieter Schmidt, i cili, qysh në vitin e largët 1990, më ftoi për të mbajtur ligjëratën e parë jashtë vendit me temë: “Hulumtime antropologjike mbi popullatat e vona të Shqipërisë” në Departamentin e Antropologjisë të Universitetit të Ulmit; më tej, ai më udhëhoqi me përkushtim në fushën e demografisë historike dhe mundësoi praninë time me kumtime të përbashkëta në tubime shkencore brenda Gjermanisë, duke u bërë një mik i pazëvendësueshëm. Besoj se profesorët gjermanë, të përmendur më lart, e meritojnë dedikimin që unë kam vendosur t’u kushtoj në këtë monografi. Së fundi, lejohem të shpresoj që kjo monografi do të hapë rrugën për një gjykim realist mbi “trasenë” e kërkimeve të mëtejshme në këtë fushë.

 

Qasje antropologjike: Marrëdhëniet e individit me shoqërinë shqiptare të tranzicionit

Prirja e shoqërisë shqiptare në këto 25 vite tranzicion ka çuar në mbylljen e individit në “guaskën” e tij dhe, me sa duket, individualizimi social në shoqërinë tonë, dikur të hiperkolektivizuar, po bëhet sundues. Kjo dukuri ka lidhje të drejtpërdrejtë me raportet e reja individ/ shoqëri, përkatësisht njeri/ grup social.  Problemi i mësipërm është për shoqërinë shqiptare objekt debati dhe diskutimi, jo vetëm me natyrë filozofike dhe akademike, por edhe praktike, sepse në demokraci ka raporte të reja midis individit, si qenie e pavarur, dhe grupit social, në të cilin ai bën pjesë (Morris 1996: 41-46). Këtë “sëmundje të modernitetit” po e ndiejmë në familje, në rrethin shoqëror, në bashkësitë lokale, të cilat duket se kanë tashmë probleme kulturore, përkatësisht strukturore dhe funksionale, me pjesëtarët e tyre. Prirjet e reja në raportet individ/ shoqëri lidhen organikisht me përgjigjet e pyetjeve: si përjetohet sot ndryshimi social, kulturor dhe politik i vendit mbas “përmbysjes së madhe”; në ç’raport gjendet individi me shoqërinë shqiptare në kushtet e sotme; si pasqyrohet ecuria e vlerave në kontekstin shqiptar; çfarë perspektivash ofron antropologjia sociale për shpjegimin e këtyre ndryshimeve.

  1.  

Shoqëritë bashkëkohore shoqërohen me qasje (nën)kulturore të shumta dhe sa më të moderuara/ të hapura ndaj kulturave të tjera që bëhen ato në kushtet e globalizmit, aq më shumë iu ekspozohen “rreziqeve” të natyrave të ndryshme; ato vijnë për shkak të mospajtimeve mes brezave dhe dukurive të reja që shumë herë janë shkaktare, qoftë drejtpërdrejt apo tërthorazi, të sjelljeve devijuese të individit në shoqëri e që jo rrallë përfundojnë në pasoja të pakëndshme në rrafsh grupi apo komuniteti. Në këtë kuptim, “bashkëkohorja” solli progres dhe të mira për individin dhe shoqërinë, por në anën tjetër edhe dukuri që më parë nuk njiheshin. Shembja e idhujve moralë dhe ekzistencialë të shoqërisë që lamë pas, përpara 25 vjetësh, ka krijuar vërtet një “rrëmujë sociale” vlerash, besimesh dhe simbolesh, që pengojnë njeriun tonë të orientohet për të dalluar atë trashëgimi që vlen nga ajo që duhet flakur si e padobishme në kushtet e reja. Në këto procese transformimesh shoqërore nga “tradicionalja” në “bashkëkohoren”, pavarësisht se ato janë objektive, vërehen handikape me një feedback real. Kështu, në skenën shoqërore të vendit u shfaq një model i ri social, i cili vendos në qendër të tij njeriun “e lirë”, por edhe të vetmuar; të guximshëm, që mund të arrijë gjithçka, por dhe që mund të humbasë çdo gjë nga identiteti i vjetër social; individin e lirë nga paragjykimet, por të mbuluar nga iluzionet; individin pragmatist, por të rrezikuar nga valët e rrezikshme të tjetërsimit; njeriun e çliruar nga “prangat” sociale, por edhe të vetmuar dhe ndonjëherë të braktisur në momente të pafavorshme të jetës, kur ai ka nevojë për mbështetje shoqërore. Derisa kemi zbehje të rolit të familjes, martesa jo stabile, dukuri të reja kriminale dhe, në anën tjetër, derisa gatishmëria e institucioneve nuk është në nivelin e duhur për t’iu përgjigjur kërkesave dhe nevojave të tilla, atëherë nuk do të mungojnë krizat shoqërore.

  1.  

Në shoqërinë shqiptare të dy dhjetëvjeçarëve të fundit vërehet një prirje për mbivlerësim të së drejtës së njeriut për të qenë një personalitet i përveçëm, i papërsëritshëm. Në mendimin e sotëm shqiptar po gjallërohet debati për të përcaktuar drejt dhe normalisht raportet e individit me shoqërinë, të personalitetit të njeriut me grupin social. Në këtë pikë ndeshim dy mendime ekstreme, sidomos në shumë artikuj gazete me natyrë sociale, që përpiqen të bëjnë interpretime të këtij raporti ekzistencial: disa mbivlerësojnë grupin në raport me individin; nga ana tjetër ka syresh që nisen nga principi se njeriu është një “personalitet social”, i pavarur nga shoqëria. Kjo ide e fundit ka ndikuar në situatën sociale në vendin tonë, në të cilën ndihet gjithnjë e më shumë një mbivlerësim i individit dhe lënia pas dore e rëndësisë së grupeve sociale. Natyrisht, duke dashur të shmangen keqkuptimet apo interpretimet e sforcuara të marrëdhënieve midis këtyre dy entiteteve, siç janë individi dhe grupi, si për të larguar çdo përfytyrim të vjetër metafizik të lidhjeve midis tyre, janë vënë në qarkullim dy koncepte që sigurojnë “urat e lidhjes” midis grupit dhe individit, të cilat janë pasqyruar në nocionin e “marrëdhënies sociale” apo “veprimit social”. Këto koncepte konsiderohen si kategori, me anë të të cilave mund të përshkruhen marrëdhëniet midis njerëzve në shoqëri apo veprimet me karakter shoqëror të njerëzve. Por, asnjëherë nuk është mbyllur përfundimisht problemi i raportit të njeriut “të veçantë” me shoqërinë “në tërësi”, apo ai i individit “konkret” me grupin social. Çdo gjë e mirë ka masën e saj, përtej së cilës jep kundërefekt negativ.

  1.  

Gjatë viteve të regjimit totalitar “mbretëronte” udhëheqja dhe fjala e një individi që shihej si “idhull” nga shqiptarët, falë propagandës ideologjike apo edhe diktatit të vetë shtetit. Sot, me ndryshimet rrënjësore politike, kjo vlerë negative është çrrënjosur nga mendja e gjithsecilit; tani askush nuk shihet si “idhull i paprekshëm”, përkundrazi, qytetari e bën vetë vlerësimin e tij për drejtuesit e shtetit: e do, e përbuz, apo qëndron indiferent ndaj tij.  Në sistemin e kaluar, shumë vlera të paqëndrueshme imponoheshin “me zor”, duke bërë që njerëzit të trajtoheshin si “turmë”. Kështu p.sh., vlerat fetare të trashëguara ndër shekuj u luftuan deri me dënime masive të klerit, shembje të objekteve të kultit e ndalim të riteve fetare; në diktaturë ishte e ndaluar letërsia apo kultura “rozë”, pse jo edhe ajo erotike, ishte e ndaluar piktura kubiste e surrealiste apo çdo lloj rryme arti e ashtuquajtur “dekadente”, sikurse muzika perëndimore apo edhe moda “e huaj” në veshje dhe në paraqitjen e jashtme; censura ishte në shkallë të lartë dhe shpesh herë liberalizmi dënohej me masa ekstreme. Për fatkeqësinë tonë, diktatura na çoi në rrënimin e shumë vlerave origjinale, duke i fshirë ato nga memorja historike dhe kulturore e qytetërimit tonë. Ndonëse shqiptarët janë zgjuar nga “gjumi tragjik” gjatë këtyre viteve të tranzicionit, ata nuk janë çliruar ende plotësisht nga “hipnoza” 50-vjeçare.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Europa ime, kur do të qeshë edhe gjermani?

Nga Beqë Cufaj Takohen danezi, italiani, holandezi, francezi, belgu dhe britaniku. Flasin...
Read More