Apelohet vendimi: Prokurorët nxjerrin misteret e telefonit të Vis Martinit

Tre prokurorët që po hetojnë vrasjen në lokalin  ”Monopol” në ish Bllok të ndodhur 4 tetor, apelojnë vendimin e gjykatës, që ka caktuar datën 4 dhjetori 2018, si afatin e fundit që Ervis Martini duhet të qëndrojë në qelitë e paraburgimit 302 në rast se prokuroria nuk dorëzon prova të reja.

Report TV ka parë një kopje të ankimit në apel, ku kërkohet masa e “arrestit në burg pa afat” për Martinin. Treshja e prokurorëve Kreshnik Ajazi, Artan Lulaj dhe Anisa Qilimi kanë dorëzuar kërkesën e apelimit, duke kërkuar ndryshimin e vendimit të dhënë nga gjyqtari Gjermeni, që caktonte masën “arrest me burg” 30 ditor për Martinin.

Argumenti më i fortë që prokurorët kanë në dorë është ajo çfarë është gjetur brenda telefonit të Ervis Martinit, një celular i-Phone X, i gjetur mbyllur me pasuord, por që është hapur në kohë rekord nga ekspertët izraetikë pas kërkesës për të vepruar për llogarinë e prokurorisë shqiptare. Prokurorët pikërisht për këtë celular thonë se janë evidentuar të dhëna të plota më rëndësi për faktet objekt hetimi.

Ky celular është i rëndësishëm sepse sipas prokurorëve të çështjes nga ai aparat telefoni nëpërmjet applikacionit ”Telegram” është dërguar një mesazh për të thirrur disa persona ‘që të vinin menjëherë në lokalin e Redi Popeskut të armatosur’, shkruan Report TV.

Bëhet fjalë për 239 faqe, në të cilat përveç bisedave të ndryshme në aplikacion ”Telegram” dhe ‘Whatsapp’, janë listuar numra telefonikë të memorizuar në aparatin celular, sms, foto dhe video që sipas prokurorisë tregojnë lidhje të forta dhe të shumta me çdo pjesë të shoqërisë shqiptare që Elvis Martini kishte ndërtuar ndër vite. Prokurorët në dokumentin e apelimit thonë:

“Nga të dhënat e administruara në hetim dhe të parashtruara në gjykim rezulton qartësisht se i hetuari Ervis Martinaj ka vepruar në pozicionin e organizatorit të rrethit të personave të tij, ku përfshihen edhe shtetasit e identifikuar deri në këtë fazë të hetimit si viktima Fabian Gaxha dhe i hetuari Eljon Hato, në ngjarjen e datës 4 tetor 2018”.

“Si përfaqësues të organit të akuzës, edhe pse në mungesë të një akti ekspertimi kontabël kemi vënë në dispozicion të gjykatës një raport të përgatitur nga inspektorë të hetimit tatimor ku kanë dhënë një panoramë të përgjithshme të gjendjes pasurore të Ervis Martinaj dhe familjarëve të tij, duke paraqitur edhe vlerën e fshehjes së të ardhurave deri në momentin e paraqitjes së kërkesës për masë se sigurimi.  Në këto kushte mendojmë se kjo “detyrë” e caktuar nga gjykata është e ezauruar që në momentin e paraqitjes së kërkesës për caktim masë sigurimi dhe aktet bashkëlidhur”.

Prokurorët shpjegojnë se gjyqtari Artan Gjermeni  nuk ka marrë parasysh rrezikshmërinë shumë të lartë shoqërore të veprës penale te Elvis Martinaj. Pjesë e apelit është edhe mos marrja në konsideratë e rrezikut të ikjes dhe shmangies nga përgjegjësia penale nga i hetuari për të cilin prokurorët thonë se i kanë sjellë prova të mjaftueshme që ai  ka në përdorim një pasaportë të Republikës së Kosovës me të dhëna të dyshuara të falsifikuara të shtetasit me gjeneralitetet Admir Koca. Një pasaportë, që në rastin e lirimit, mund të ndihmonte Ervis Martinin për t’u larguar jashtë vendit.

Shkruar Nga
More from Redaksia

UET-PRESS promovon librin “Zëra nga errësira”, Eni Vasili: Jam shokuar dhe përlotur

“Zëra nga errësira” quhet libri i gazetares Eni Vasili, që u promovua...
Read More