Ardhja e Markut, ja lëvizjet që mund të kryejë prokurorja e re


Kreu i Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Saimir Vishaj, gjatë një prononcimi për mediat ka dhënë opinionin dhe vlerësimet e tij për rolin e kryeprokurores së përkohshme të zgjedhur para pak ditësh. Sipas Vishajt, Arta Marku nuk mund të ndërhyjë në emërime e shkarkime. Por megjithatë ai shton se ajo mund të kryejë të gjitha atributet e saj administrative ashtu si i parashikon ligji. Në të njëjtën kohë Vishaj ka folur edhe për drejtuesit e përkohshëm të prokurorive në rrethe.

Ndryshimi i kreut të akuzës ka rikthyer edhe një herë debatin për lëvizje të mundshme në radhët e drejtuesve të prokurorive, të cilët konsiderohen si “të besuarit e Adriatik Llallës”.

Por ndryshimet ligjore kanë reduktuar kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm, i cili sipas Ligjit të Prokurorinë dhe Statusin e Gjyqtarit dhe Prokurorit nuk mund të kryejë lëvizje pa miratimin e prokurorëve.

Disa nga prokuroritë më të mëdha në vend prej kohësh drejtohen nga prokurorë të komanduar, të cilët emërimin e kanë në prokurori të tjera, por edhe lëvizja e tyre do jetë e vështirë për shkak të ndryshimeve ligjore.

Kështu në Nenin 53 të Ligjit për Prokurorinë thuhet se termi “Komandim” ndryshe nga sa parashikohej në ligjin e mëparshëm, tashmë përcaktohet si lëvizje e magjistratëve në një pozicion jo magjistrat në një institucion brenda sistemit të drejtësisë.

Po ashtu, ligji ka përcaktuar një tjetër term për drejtuesit e prokurorive, të cilët tashmë nuk quhen më të komanduar, por të caktuar përkohësisht. Por edhe në këto raste parashikohet se “caktimi i përkohshëm” mund të kryhet vetëm në rastet kur caktohet në pozicione të tjera apo për arsye që parashikohen në ligj.

Por edhe në këto raste është Këshilli i Lartë i Prokurorisë që vendos dhe jo Prokurori i Përgjithshëm. sipas ligjit, kryeprokurori ka vetëm dy kompetenca që mund të ndikojnë tërthorazi në punën e një prokurori të caktuar.

E para ka të bëjë me pezullimin nga detyra të prokurorit në rast të evidentimit të shkeljeve, çka kërkon një procedurë kontrolli apo kryerjen e një akti të rëndë.

Ndërsa lëvizja e dytë ka të bëjë me vlerësimin e punës së prokurorëve, përfshi edhe rivlerësimin kalimtar të punës së tyre dhe konkluzionet në formën e një raporti i përcillen Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Pra, transferimet, komandimet apo lëvizjet e prokurorëve sipas kompetencave ligjore nuk mund të kryhen nga Prokurori i Përgjithshëm.

Kompetencat e kryeprokurorit sqarohen edhe nga avokati Saimir Visha, i cili thotë se kreu i organit të akuzës as nuk mund të emërojë dhe as nuk mund të komandojë drejtuesit e prokurorive. “Kryeprokurorja Arta Marku nuk mund të emërojë apo shkarkojë, por mund të komandojë në drejtimin e çdo lloj prokurorie të rrethit gjyqësor çdo prokuror me integritet moral dhe profesional”.

Kështu shprehet kreu i Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Saimir Vishaj, gjatë një deklarate për mediat lidhur me lëvizjet e mundshme në prokuroritë e rretheve me firmë të Arta Markut.

Vishaj sqaron se sipas ligjit të ri për Prokurorinë, Kryeprokurori i Përgjithshëm edhe pse me mandat të përkohshëm nuk ka rol urdhërues për hetimet apo shfuqizimin e vendimeve, pasi një gjë e tillë i ka kaluar gjykatës.

Sipas tij, Arta Marku në krye të organit të akuzës nuk mund të krijojë institucione të tjera pa u ngritur më parë Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

“Kjo Kryeprokurore edhe pse me mandat të përkohshëm nuk mund të emërojë apo shkarkojë, por mund të komandojë në drejtimin e çdo lloj prokurorie të rrethit gjyqësor çdo prokuror me integritet moral dhe profesional. Me ligjin e ri të organizimit të Prokurorisë, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme është thjesht një administrator dhe nuk ka një rol urdhërues për hetimet apo shfuqizimin e vendimeve, pasi atë e vendos gjykatësi. Por, mandati i Kryeprokurores është procedural, më shumë është një administrator i mirë, se sa një proceduralist i mirë, që do të thotë të urdhërojë hetimin apo pushimin e një çështjeje. Nuk urdhëron prokurorët e sektorëve që të kryejë një veprim të padëshiruar nga prokurori i sektorit”, u shpreh Vishaj.

Prokurorët në rrethe

Sa iu përket drejtuesve të prokurorëve me mandat të përkohshëm, sqaroi ai, është në atributet e kryeprokurorit të përgjithshëm, por ai ngriti shqetësimin se në drejtimin e prokurorive sot ka prokurorë të cilët kanë humbur funksionet e të komanduarit.

“Mandati i këtyre drejtuesve të përkohshëm nuk duhet të kalonte më shumë se 6 muaj, aktualisht kemi drejtues me mandat 2-3−vjeçar që kanë humbur tërësisht funksionet e një të komanduari. Nëse kemi mbi 6 muaj ata duhet të jenë të emëruar. Sot institucioni i emërtesës që është KLP, mungon”.

Pengesë në ngritjen e institucioneve të reja të prokurorisë sipas Vishajt është bërë bllokimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).

“Drejtuesja e Prokurorisë së Përgjithshme nuk mund të krijojë institucione të tjera pa u ngritur KLP. Kjo mungesë bën që të kemi vakum në punën e Prokurorisë. Roli i Prokurores së Përgjithshme duhet të jetë zgjedhja e prokurorëve më të mirë, janë 6 prokurorë të cilët pasi të kalojnë Vettingun do jenë pjesë e KLP, bashkë me pesë anëtarët që do vijnë nga Kuvendi. Brenda janar-shkurt duhet të ngrihet KLP, pasi është një ngërç tërësisht i madh. Duhet paralelisht me ligjin e ri procedural të kemi edhe institucionet e reja. Vetëm një dakordësi e subjekteve politike do bëjë të mundur që brenda pranverës të kemi institucionet e reja”, -tha më tej kreu i Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Saimir Vishaj.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Pasi vendosi taksa të majta, Edi Rama nuk mund të vendosë edhe taksa të djathta

Nga Ervis Iljazaj Protestat kundër pagesës në “rrugën e kombit”, përtej rastit...
Read More