Ardian Muhaj: Ç’deshën në Shqipëri ushtarët grekë?

 

Vendimi i qeverisë aktuale për vazhdimin e ndërtimit të varrezave të reja të ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941 është thjesht një vazhdim dhe aktualizim i absurditetit që trashëgohet nga qeveria në qeveri, që i bashkon të gjitha qeveritë shqiptare, të majta apo të djathta qofshin. Nëse ka diçka për të cilën ka konsensus gjithëpërfshirës në qëndrimet e qeverive tona është pikërisht gatishmëria për të përmbushur çdo kërkesë absurde që vjen nga pala greke.

Ndërtimi i varrezave për ushtarët grekë që paskan rënë në Shqipëri ka qenë një nga kushtet kryesore që ka vendosur çdo qeveri greke në bisedimet greko-shqiptare dhe njëkohësisht një nga kushtet kryesore që çdo qeveri shqiptare e ka përmbushur në kundërshtim të plotë dhe flagrant me të drejtën ndërkombëtare dhe me interesat kombëtarë. Vendimi i marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, më datë 13 dhjetor është thjesht konfirmim i vendimit të marrë nga qeveria e Berishës. Pra, Rama dhe Berisha pajtohen plotësisht në qëndrimet ndaj Athinës.

Sa u mbush një muaj nga takimi i 11-12 nëntorit në ishullin e Kretës midis dy ministrave të Jashtëm Nikos Kotzias e Ditmir Bushati, doli edhe tymi i parë i bardhë nga oxhaku i absurdit diplomatik shqiptaro-grek. Vendimi i 13 dhjetorit, duke zbatuar kërkesën absurde greke duket se do të hapë siparin e teatrit absurd të negociatave të trumbetuara si historike mes Greqisë dhe Shqipërisë, skena e dytë e të cilit do të luhet sërish midis Kotzias e Bushatit, këtë herë në Korçë, më 20 janar. Absurdi nuk ka limit përderisa numri i varrezave nuk kufizohet në numër.

Edhe pse janë ndërtuar në kohën e qeverisë Berisha në vitet 2010 e 2012, dy varreza të ushtarëve grekë, një në Këlcyrë dhe një në Dropull, do të ndërtohen edhe të tjera. Ka shumë mundësi që të tilla varreza të kërkohen nga pala greke, të miratohen e ndërtohen nga pala shqiptare në qarkun e Korçës, që do presë edhe raundin e dytë të bisedimeve. Sipas vendimit të fundit të qeverisë gjeografia e absurditetit të varrezave të tilla shtrihet në dy a më shumë qarqe, gjë që lihet qartë për t’u kuptuar nga përdorimi i numrit shumës në formulimin e VKM-së: “ngarkohen prefektët e qarqeve ku do të zhvillohen punimet për zbatimin e këtij vendimi”.

Përveç gjeografisë së qarqeve të cilat nga një në kohën e Berishës bëhen disa në kohën e sotme, tani edhe gjeografia ministeriale bëhet më hijerëndë dhe gjithëpërfshirëse. Kështu rolin kryesor e merr Ministria e Brendshme, e cila urdhërohet që “në bashkëpunim me bashkitë të cilat do të jenë pjesë e procesit të kërkimit, identifikimit, zhvarrimit dhe varrimit të eshtrave, të sigurojë të gjitha lejet për procesin, të përgatitë të gjithë dokumentacionin shoqërues, si dhe të marrë të gjitha masat për të bërë të mundur fillimin dhe vazhdimin e procesit në zbatim të marrëveshjes”. Në ndihmë të Ministrisë së Brendshme dhe bashkive do jetë Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë që do të ndjekin procesin e shpronësimit të trojeve për ndërtimin e varrezave.

Për më tepër koncerti institucional plotësohet edhe me urdhërimin e Prefektëve të qarqeve ku do të zhvillohen punimet e kërkimit që në bashkëpunim me bashkitë përkatëse, të ofrojnë të gjithë infrastrukturën e nevojshme për zbatimin e procesit të kërkimit, identifikimit, zhvarrim-varrimit në territoret e tyre. VKM shpreh qartë absurditetin e një vendimi të tillë.

Pra, sipas vendimit thuhet se bëhet fjalë për zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941. Deri këtu asgjë të keqe nuk ka. Ushtarët e rënë në luftë apo kushdo tjetër le të prehen ashtu siç e meriton çdo qenie njerëzore. Kudo ku ata kanë rënë në luftë për mbrojtjen e vendit të tyre, në Kretë, në Athinë, në Eube, në Thesali le të varrosen e t’u ndërtohen varreza monumentale.

Fundja nuk ka arsye që qeveria greke të marrë lejen e askujt për varrezat e ushtarëve të rënë në Greqi. Ata ranë duke mbrojtur vendin e tyre dhe bravo ju qoftë. Mirëpo absurdi nis e zbulohet në pjesën përmbyllëse të nenit 1, ku thuhet se ndërtimi i vendprehjes për ta, do të bëhet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në zbatim të marrëveshjes së ratifikuar me ligjin nr. 10256, datë 25.3.2010, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes. Për më tepër Ministria e Mbrojtjes, (siç) sipas nenit 7 të vendimit, urdhërohet të organizojë, në bashkëpunim me palën greke, ceremonitë zyrtare në përkujtim të të rënëve në luftë, çdo vit, në datën 28 tetor.

Tani le të theksojmë edhe njëherë absurditetin e vendimit. U bëka fjalë për ushtarë grekë të rënë gjatë luftës italo-greke në vitet 1940-1941, jo në Greqi duke mbrojtur vendin e tyre, por në Shqipëri duke sulmuar e pushtuar vendin tonë! Pyetja qëndron: ç’donin ushtarët grekë në territorin shqiptar të pushtuar nga Italia fashiste?

Me ç’të drejtë pikësëpari, ata ushtarë, që na thuhet se qenkan 10 apo 12 mijë të vrarë kanë shkelur aty ku nuk është dashur të shkelnin kurrë, në asnjë rrethanë? Çfarë kërkonin ushtarët grekë në territorin shqiptar? Pse ushtarët grekë u dashkan trajtuar ndryshe nga ushtarët italianë? Përderisa asnjë institucion shqiptar, as ndërkombëtar nuk u kishte kërkuar hyrjen e tyre të armatosur në territorin e shtetit shqiptar të njohur ndërkombëtarisht më 1913, atëherë ata janë ushtarë pushtues dhe ushtri pushtuese po aq sa ç’janë edhe kundërshtarët e tyre, ushtarët italianë.

Ky vendim absurd që për më tepër ka konsensusin e qeverive të majta e të djathta e zhbën dhe i kthen përmbys tërësisht konceptet e Luftës nacionalçlirimtare, të kolaboracionizmit, të pushtuesit/të pushtuarit dhe të sovranitetit të shtetit. Aq më tepër dhe më e rëndë bëhet shkelja e palës greke dhe mëkati politik i ushtarëve grekë që hynë në Shqipëri në kundërshtim me çdo të drejtë ndërkombëtare, po të mendohet se ata as nuk e kishin një ftesë nga qeveria shqiptare nën pushtimin fashist.

Pra, nëse italianët janë pushtues, grekët që na paskan rënë me mijëra janë dyfish pushtues. Çështja është e thjeshtë: ushtarët grekë sikur të mos kishin qenë pushtues, sikur të mos kishin hyrë pa pyetur kënd në territorin shqiptar, nuk do të kishin pasur nevojë fare të vdisnin në territorin shqiptar dhe për rrjedhojë as për varre. Meqë janë dyfish pushtues, do të duhej të ishin të fundit në radhë për të pritur të varroseshin në territorin shqiptar.

Nëse italianët nuk kërkojnë varreza, kur dihet se të paktën një qeveri kukull shqiptare i kishte mirëpritur dhe mbështetur në territorin shqiptar. Nëse gjermanët nuk kërkojnë varreza, kur dihet se një regjencë figurash të njohura i kishte pranuar e mbështetur, atëherë grekëve nuk u takon aspak të kërkojnë varreza në tokën shqiptare sepse ato varreza janë monumente të pushtimit grek, ashtu siç do të ishin varrezat e ushtarëve italianë apo gjermanë monumente të pushtimit italian e gjerman.

Nderimi zyrtar i tyre që urdhërohet të organizohet çdo 28 tetor nga Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë në bashkëpunim me shtetin grek e hedh në kosh luftën nacionalçlirimtare. Nderimet zyrtare nga shteti shqiptar për ushtarët pushtues të një vendi të huaj, të rënë gjatë agresionit kundër vendit tonë, e zhbëjnë dhe e zhvlerësojnë tërësisht retorikën dhe simbolikën e Luftës nacional çlirimtare. Nderimi i 28 tetorit grek në territorin shqiptar, e zhvlerëson 29 nëntorin dhe vetë luftën antifashiste. Pushtuesit janë pushtues pavarësisht këmishës që mbajnë veshur. Këmishëzinj apo këmishëkaltër, nëse kanë hyrë të paftuar në territorin shqiptar, janë pushtues.

Ushtarët grekë kanë hyrë në territorin shqiptar të njohur ndërkombëtarisht si agresorë dhe fakti që kanë luftuar kundër italianëve nuk e ndryshon aspak këtë fakt. Kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Shqipërisë më 1913 kanë qenë të ditur edhe për fëmijët e klasës fillore në vitin 1940, prandaj çdo oficer grek që ka hyrë në territorin shqiptar dhe ka lënë kockat nga italianët, ka hyrë si pushtues. Nëse pranojmë varrezat dhe për më tepër nderimin zyrtar të tyre çdo 28 nëntor, atëherë kot që lodhemi të diskutojmë për Luftën nacionalçlirimtare, as për datën e çlirimit, as për kolaboracionizmin.

Ne po nderojmë pushtuesit e paftuar nga askush, të pambështetur nga askush dhe të vrarë nga tjetërkush. Është e tmerrshme dhe absurde njëkohësisht dhe kulmi i pafytyrësisë të kërkohen varreza ushtarësh pushtues grekë në Hormovën e martirizuar nga vetë grekët.

Pikërisht në Hormovë ku ushtarëve pushtues grekë kërkohet t’u ndërtohet një varrezë, janë vrarë mbasi janë torturuar e masakruar nga grekët 220 shqiptarë civilë të pafajshëm e të paarmatosur. Shqipëria përpara se të ndërtojë monumente ushtarëve pushtues grekë, duhet së pari, të ndërtojë varrezat dhe monumentin e përkujtimit të masakrës së andartëve grekë në Hormovë më 1914.

Prandaj, përpara se të flitet për absurditetin e varrezave të ushtarëve grekë, duhet të sqarohet se përse dhe me ç’të drejtë këta ushtarë në momentin e vrasjes nga italianët gjendeshin në territorin shqiptar. Pra, ç’deshën në Shqipëri këta ushtarë?

Shkruar Nga
More from Redaksia

Kalimi i armëve në Angli, mediat britanike: Rrezik për sulm terrorist

Në lidhje me pjesët e armëve që u gjetën në aeroportin e...
Read More